Prishtinë, 20 maj 2017
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga drejtori i Diasporës, Ekrem ef. Simnica dhe anëtari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ilmi ef. Krasniqi, morën pjesë në përurimin e xhamisë “Dituria” në Gjenevë. Kjo xhami drejtohet nga imami Rijad ef. Aliu, dhe është e destinuar për komunitetin shqiptarë, që përbëhet prej rreth 15 mijë personash, të cilët jetojnë dhe punojnë atje. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe autoritetet zvicerane, pastaj kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender ef. Bruçaj, përfaqësuesi nga Maqedonia, Selver ef. Xhemaili, imami shqiptar nga Berna, Mustafa Mehmeti, Nehat Ismaili,kryetar i Unionit të imameve ne Zvicer, si dhe përfaqësues të komunitetit myslimanë shqiptarë nga Zvicra dhe Lugina e Preshevës.
Myftiu Tërnava në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve dërgoi mesazhe të qarta, që mërgimtarët të mos e harrojnë gjuhën e tyre, identitetin fetar dhe traditat kombëtare, si dhe të respektojnë ligjet dhe rregullat e mjedisit ku jetojnë, se vetëm në harmoni mund të ndërtojnë të ardhme të sigurt. Ai shfrytëzoi rastin që t’ua uroi muajin e Ramazanit, duke lutur Allahun për agjërim të lehtë dhe të pranuar tek Ai. Ai mes tjerash falënderoi edhe strukturat shtetërore, politike e fetare për mundësinë që u japin komunitetit myslimanë shqiptarë për mbarëvajtjen e tyre në këtë shtet mik.
Krerët e komuniteteve myslimane nga Kosova dhe Shqipëria kërkuan që shqiptarët të jenë unik dhe shembull i tolerancës ndërfetare, sikurse që kanë qenë deri tani, dhe të distancohen nga fenomenet negative që nuk janë traditë e fesë islame dhe e kombit shqiptar.
Në fjalën e tij, këshilltari administrativ dhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Gjenevës, Thierry Apotheloz, përshëndeti komunitetin shqiptar për hapjen e xhamisë, duke uruar që kjo qendër fetare dhe kulturore të shpërbëjë për dituri të reja dhe fqinjësi të mirë. Ai vijoi më tej duke thënë se, shqiptarët deri tani janë dëshmuar si shembull i tolerancës. “Kjo qendër është themeluar në vitin 2005 në Vernier, nga një grup etnik shqiptarë, të cilët janë shembull i integrimeve. Kjo nuk është vetëm një shoqatë fetare. Ajo është gjithashtu shoqatë kulturore. Anëtarët e saj organizojnë aktivitetet të tilla, si turne të futbollit të hapur për të gjithë. Ata gjithashtu japin kurse dhe mësime për gjuhën me të rinjtë shqiptarë, sepse ata e kuptuan se integrimi është bërë më i lehtë falë një sfondi  më të mirë arsimor dhe zotërimit më të mirë të gjuhës frënge”, tha mes tjerash këshilltari administrativ Thierry Apotheloz.
Ndërsa, Montasar Ben Mrad, president i Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, theksoi se toleranca ndërfetare e shqiptarëve në Zvicër, së bashku me integrimin e tyre në këtë vend, duhet të jetë shembull për komunitetet tjera fetare.

Në këtë manifestim morën pjesë dhe patën rastin t’u drejtohen të pranishmëve edhe krerët dhe përfaqësuesit e kishës katolike dhe protestante, e po ashtu prezent ishte edhe Albana Krasniqi –Malaj, drejtoreshë e UPSH-së, si dhe Ramadan Avdiu nga konsullata e Kosovës.
Në fund imami i xhamisë, Rijad ef. Aliu falënderoi të gjithë mysafirët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Presheva, si dhe gjithë pjesëmarrësit nga Zvicra, të cilët ndan për disa orë bashkërisht këtë gëzim në këtë manifestim, me shpresën dhe lutjet që Allahu t’i shpërblejë për mundin e dhënë.
Gjatë kësaj vizite Myftiu Tërnava së bashku me delegacionin e tij, vizitoi edhe Konsullatën e Kosovës në Gjenevë, ku u pritën nga konsulli ynë Ramadan Avdiu. Në këtë vizitë u diskutua për një koordinim edhe më të mirë për mësimin e gjuhës shqipe.

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

U mbajt mbledhja e Këshillit organizativ për Konferencën “Myftiu dr. Rexhep Bojës – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”

Prishtinë, më 7 tetor 2024 Këshilli organizativ i Konferencës shkencore “Myftiu dr. Rexhep…