Prishtinë, 2 prill 2020

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava sot ka falënderuar të gjithë nëpunësit administrativë dhe fetarë të Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës, për përpjekjen e përbashkët në luftimin e përhapjes së koronavirusit, duke respektuar në përpikëri të gjitha masat preventive të dala nga Kryesia e BIRK-ut, Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

Myftiu Tërnava po ashtu ka shprehur një falënderim të veçantë për nëpunësit dhe aktivistët e shoqatës humanitare “Bereqeti” në nivel qendror dhe lokal, të cilët në këto ditë të vështira po i qëndrojnë afër familjeve në nevojë, duke bërë shpërndarjen e ndihmave dhe furnizimin e këtyre familjeve me ushqim dhe veshmbathje.

Në këtë vazhdë myftiu Tërnava gjithashtu shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe xhematit në veçanti për mirëkuptimin dhe kulturën e tyre të lartë të shprehur në këto ditë, duke respektuar vendimet e Kryesisë së BIRK-ut për të kryer obligimet fetare nëpër shtëpitë e tyre..

Në fund të këtij falënderimi myftiu Tërnava kërkon që të jemi unik, të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm individualisht dhe si shoqëri, e njëkohësisht të durueshëm në vazhdimin e respektimit të masave në fjalë deri në tejkalimin e rrezikut pandemik.

Ai porosit që të vazhdojmë me lutje drejtuar Krijuesit që sa më shpejtë të kalojë kjo gjendje kaotike dhe jeta t’i kthehet normalitetit të saj, përfshirë këtu edhe hapjen e xhamive dhe kthimin e xhematit.

Shfaq më shumë në Bereqeti

Shfleto

U vu gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Shkabaj të Obiliqit

Prishtinë, më 22 nëntor 2024 Me këndim të tekbireve, sot, pas namazit të xhumasë, u vu gur…