Prishtinë, 19 prill 2017
Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të DIYANET-it të Turqisë, të mërkurën me datë 19 prill 2017, në sallën e konferencave në Fakultetin e Studimeve Islame u mbajt manifestimi i javës së ditëlindjes së Muhamedit a.s. Në këtë ngjarje morën pjesë myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, dekani i FSI-së, prof.dr. Fahrush Rexhepi, përfaqësuesi nga DIYANETI, z. Mustafa Bodur, komandanti i KFOR-it turk, si dhe personalitete të jetës fetare e kulturore të vendit. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti dekani prof.dr. Fahrush Rexhepi, i cili iu dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, duke kujtuar se dita në të cilën lindi Muhamedi a.s. ishte ditë historike për botën dhe njerëzimin. Kurse Mustafa Bodur nga DIYANETI i Turqisë tha se java e manifestimit të ditëlindjes së Muhamedit a.s. është java në të cilën shpjegohet dhe jetohet këshilla e tij, që ne si shoqëri kemi nevojë shumë, e sidomos të duhur, duke vënë theksin në epokën të cilën po e jetojmë, e që është epoka e komunikimit dhe shkencës. Ai potencoi se Muhamedi a.s. u quajt El Emin (i besueshëm) edhe para se të ishte pejgamber. Në fjalën e saj ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kilic theksoi se ditëlindja e pejgamberit Muhamed është drejtësi, siguri e afrim mes njerëzve. “Feja islame është fe e bukur dhe e sigurisë, e cila e do paqen dhe është paqësore, e s’ka të bëj asgjë me dhunën dhe me egërsinë. Jeta e Muhamedit a.s. reflektoi siguri dhe dritë në jetë. Ne duhet të mundohemi ta bëjmë botën më të lumtur dhe të krijojmë më shumë siguri”, shtoi mes tjerash ambasadorja.
Ligjëratën kryesore e mbajti myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili para të pranishmëve theksoi se, kur bota mbytej në errësirë dhe tirani, Allahu i dhuroi mbarë njerëzimit dritën e cila shndriti këtë univers, pasi që atë e kishte kapluar errësira. Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin a.s. mëshirë të pafund për të gjitha krijesat e gjalla e jo të gjalla, dheun e gurin, lumin e detin, qiejt e tokën, kohën dhe hapësirën, e në veçanti mëshirë për njeriun. E bëri atë shkak të begatisë, udhëzimit, mëshirës, butësisë dhe shpëtimit. Muhamedit a.s. me paraqitjen e tij bëri një kthesë vendimtare në tri kontinentet, në Azi, Afrikë dhe Evropë. Me vrullin e fuqishëm të përhapjes së mësimeve të tij u lëkundën dhe shkatërruan nga themelet e tyre dy perandori të mëdha, Bizanti dhe Persia. Ai u paraqit në vendin më të shkatërruar, më të prapambetur, e në mesin e adhuruesve më të mëdhenj të idhujve. Ai me urdhrin e Allahut xh.sh. gjeti forcën, dijen e kurajën dhe pa hezitim shpalli Islamin fe të vetme të Allahut xh.sh., e cila urdhëron besimin në një Zot të vetëm, dhe largim nga besimet e kota në idhuj e puta. Ai me punën e tij dhe misionin e marrë nga Zoti xh.sh., vuri themelet e një shoqërie të qytetëruar e të kulturuar, ky besim e qytetërim i ri në mesin e atij populli, i cili po jetonte në errësirën mesjetare e rilindi atë për një jetë të re e të begatë. Në vazhdim Myftiu Tërnava theksoi, se i Dërguari i Allahut xh.sh., ngrihej para një të vjetri, i ndihmonte dhe i vizitonte të sëmurit, i mëshironte dhe i donte të varfrit, u kushtonte kujdes të veçantë të mjerëve dhe të braktisurve,e ngushëllonte të dobëtin, ishte tolerant dhe i afërt me të gjithë, ai ulej në rërë dhe flinte në tokë, tek ai nuk kishin rëndësi të madhe statusi, fama, fuqia dhe gjërat materiale të kësaj bote, ai fliste butë dhe me një ton ku shprehte dashuri dhe mëshirë. “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes për të gjithë njerëzit, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Sebe, 28).
Muhamedi a.s. ishte një burrë i cili me karakterin e vet e fitoi respektin universal të gjithë atyre që e njihnin edhe para shpalljes së Kuranit, por edhe pas shpalljes së tij, ai nuk lakmonte në thesaret, pallatet e as pozitat e kësaj jete të përkohshme. Ai synonte atë për të cilën Allahu e kishte dërguar pejgamber, që ai dhe të gjithë ata që besojnë thirrjen e tij ta kenë për qëllim xhenetin, shpërblimin më të madh që Allahu xh.sh. ka përgatitur për ata të cilët e besojnë dhe praktikojnë fjalën e Zotit xh.sh. Pejgamberët kishin karakter të kulluar, shpirt sublim dhe ndjenja krejtësisht të dëlira. Gjithë reflektimi i së vërtetesë që ka ardhur nga Allahu xh.sh, kristalizohet te ata, ashtu siç transmetohet, përjetohet e ndjehet prej tyre në të gjitha përmasat. Ata janë si një burim i kristaltë, si një pikë uji e kulluar, që reflekton e pasqyron të gjitha rrezet e diellit, në zemrat e tyre as drita nuk përthyhet dhe as spektri i saj nuk pëson humbje. Ty o Muhamed të bën keq kurse ti mbete i durueshëm, ata të lënduan ndërsa ti i fale, ata të mallkuan dhe ti nuk ua pe për të madhe, ata ishin të pasjellshëm me ty por ti nuk u ndale në të metat e tyre. Ti je o Muhamed ashtu siç të përshkroi Allahu në shkallën më të lartë të moralit. Ti o Muhamed je njeriu më i mençur, më i urti, më i dituri, më fisniku dhe më inteligjenti në mesin e njerëzve. Ti ke ardhur me shpallje e cila largon gënjeshtrën, e shlyen injorancën dhe e udhëzon mendjen, ngase ti je i udhëzuar nga Zoti. Ti o Muhamed mbushe botën me urtësi e udhëzim të drejtë e drejtësi, paqe e mëshirë, vendose rendin e ri shoqëror, konsolidove shtetin e parë islam në Medine, ti thirre botën mbarë në respektimin e të drejtave njerëzore dhe ishe i pari që i respektove ato. Nuk ka mundësi assesi shembull a model tjetër që mund të krahasohet me ju, andaj edhe mbetesh model e shëmbëlltyrë e pajisur me virtytet më të larta njerëzore që shoqëria jonë duhet ndjekur. Në fund mund të themi me plot përgjegjësi se një pjesë e madhe e botës asnjëherë, as në të kaluarën e as në të tashmen nuk qe në gjendje të vlerësoi pothuajse asgjë pozitive në raport me Islamin dhe shëmbëlltyrën e ndritshme e të pakrahasueshme të Muhamedit a.s. Deri në shek. XIX një pjesë e mirë e botës ka qëndruar jashtë çdo norme dhe çdo kriteri shkencor, sa i përket shprehjes së mendimit për Islamin dhe Muhamedin a.s. Por, edhe pas këtij shekulli, i cili konsiderohet si shekulli i kritikës shkencore, ajo nuk mundi të lirohet plotësisht nga paragjykimet dhe akuzat mesjetare. Detyra jonë parësore është, që në kuadër të mundësive tona të bëhemi ura të cilat do ta bartin mëshirën dhe paqen e Tij që përfshinë të gjitha botët. E kemi për obligim, që në kuadër të aftësive tona këtë personalitet që qëndron në piedestalin më të lartë, t’ia paraqesim gjithë njerëzimit në formën sa më të bukur. Në fund të ligjëratës së tij Myftiu Tërnava nënvizoi se Muhamedi a.s. është shembull butësie dhe dhembshurie ndaj anëtarëve të familjes, është shembull me mëshirën e tij ndaj të dobëtëve, të vetmuarve, robërve e skllevërve, është shembull me faljen dhe mirëkuptimin ndaj mëkatarëve dhe gabimtarëve. Në fund u dha edhe një program artistik, i përgatitur nga nxënësit e Medresesë Alaudin.
-
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt
Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e… -
U vu gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Shkabaj të Obiliqit
Prishtinë, më 22 nëntor 2024 Me këndim të tekbireve, sot, pas namazit të xhumasë, u vu gur… -
Myftiu Tërnava u prit në takim nga kryetari i Obiliqit, z. Xhafer Gashi
Prishtinë, më 22 nëntor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërn…
Shfaq më shumë në Lajme
Shfleto
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt
Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…