Myftiu Tërnava priti në takim shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin

Sot, ditë e enjte, më 18.07.2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, priti në takim shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin.

Në takim, u shkëmbyen mendime dhe analiza, u dhanë këndvështrimet e palëve për dukurinë e përdorimit të narkotikëve te ne dhe u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit më të afërt ndërmjet Bashkësisë Islame dhe Task-Forcës kundër narkotikëve, të cilën e ka themeluar Qeveria e Kosovës në muajin e kaluar dhe shef i së cilës është emëruar z. Avdullah Hasani.

Myftiu Tërnava i vlerësoi si shumë të qëlluara dhe përgëzoi qeverinë për vendimet e saj për të themeluar Task-Forcë dhe për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve në shkolla dhe përgjithësisht nga të rinjtë. Ai u shpreh se Bashkësia Islame, nëpërmjet deklaratave publike, organizimeve fetare dhe nëpërmjet imamëve, vazhdimisht ka ngritur shqetësim për dukurinë e përdorimit të drogave nga të rinjtë dhe ka sensibilizuar opinionin kundër kësaj dukurie për aq sa ka pasur hapësirë publike. Falënderoi shefin z. Avdullah Hasani që e ka paraparë dhe e ka konsideruar të rëndësishëm bashkëpunimin e afërt me Bashkësinë Islame, si dhe i dëshiroi punë të mbarë e realizim të objektivave të Task-Forcës e që janë me interes parësor nacional.

Ndërkaq, mysafiri z. Hasani e njohu Myftiun me planin dinamik që ka ndërtuar dhe me objektivat e Task-Forcës, shprehu konsideratën e tij për rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame që ka dhënë e po jep kundër dukurive negative dhe falënderoi për gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të afërt e më të koordinuar.

Myftiu Tërnava i shprehu gatishmërinë që Bashkësia Islame t’i ofrojë Task-Forcës në gjithë veprimtarinë e saj asistencën e kërkuar fetare. Pas takimit dhe pas konsultimit me kryeimamin Sabri ef. Bajgora, Myftiu mori vendim që të premten tjetër, në të gjitha xhamitë e Kosovës, në hytbenë e xhumasë, të jepet mesazhi i njësuar kundër përdorimit të narkotikëve dhe në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës së Qeverisë të themeluar për këtë qëllim.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Qendra Islame nga Londra

Prishtinë, më 22 shtator 2022 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…