Prishtinë, 16 korrik 2015
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Nesër më 17.07.2015 është dita e parë e Fitër Bajramit, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, t’i përgëzoj të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë Islame. Duke e lutur Allahun xh.sh që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji për Krijuesin e këtij Universi.
Falënderojmë Allahun xh.sh. i Cili edhe njëherë bashkoi zemrat tona gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, në të cilin shpirtrat shërohen e mendjet njëmendësohen, e prej kësaj dalin mesazhe plot mëshirë e respekt për njerëzimin mbarë. Zbriti Kuranin i cili është burim i kulturës, civilizimit e qytetërimit të besimit dhe besimtarëve. Është dhurata më e madhe e Pejgamberit tonë për njerëzimin.
Gjatë muajit të Ramazanit u munduam që të pastrojmë shpirtrat tanë me devotshmëri, adhurim, sadaka, zekat dhe fitra. Ky Bajram le të mbetet Bajrami i atyre të cilët thyen murin e egoizmit, përmes ndihmave, i atyre që bënë nderë dhe ndan kafshatën e bukës për të nevojshmit, treguan qetësinë shpirtërore, vëllazërinë dhe miqësinë, i atyre që ua hapën derën e shpirtit vëllezërve dhe motrave të tyre, solidarëve, duarve që iu dhanë të tjerëve, atyre që nuk i shtypën jetimët, atyre që nuk përbuzën skamnorët, atyre që ua zgjatën dorën të varfërve, atyre që nuk heshtën para padrejtësive, atyre që u gjenden afër të vetmuarit dhe nuk e lanë askënd të vetmuar.
Në shenjë të kësaj Allahu xh.sh thotë:
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”.(En-Nahl-97).
Vëllezër e motra besimtarë!
Kurani mbështet konceptet e moralit e dashurisë mes njerëzve, andaj përmes agjërimit përhap ndjenjën e përkushtimit, dashurisë e respektit, harmonisë e kënaqësisë, duke i udhëzuar në respekt ndaj njëri tjetrit, në ngritjen e një shoqërie, në të cilën gjykon dashuria hyjnore e ngritur mbi principe të fuqishme të drejtësisë, bamirësisë e mëshirës.
Kështu të bashkuar e unik të qojmë para vendin tonë, duke krijuar perspektiva të sigurta për brezat që po vijnë.
Me këto ndjenja dhe mendime ju uroi të gjithë vëllezërve dhe motrave tanë festen e Fitër-Bajramin, duke e lutur Allahun e Madhërishëm të na sjell paqe, qetësi, drejtësi, liri e dhembshuri.
Me fat festa e Fitër Bajramit!
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava