Prishtinë, 22 mars 2016
Në prani të shumë qytetarëve të komunës së Shtimes, më 22 mars në fshatin Mollopolc u vendos gurthemeli për rindërtimin e xhamisë së re. Përveç përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës nga niveli qendror dhe lokal, pjesëmarrës që nderuan tubimin ishin edhe strukturat komunale, përfaqësues të KFOR-it turk, si dhe një numër i konsiderueshëm i mysafirëve nga Katari-përfaqësues të shoqatës “Charity”, me në krye Aish El Kahtani. Këtë tubim me pjesëmarrje e nderuan edhe KBI i Ferizajt, me në krye Bujar ef. Hasanin.
Me një lexim të bukur të verseteve kuranore, që flasin për vlerën e ndërtimit të shtëpive të Zotit, zemrat e të pranishmëve i qetësoi studenti kosovar në Kajro, Egzon Ibrahimi nga Ferizaj.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Shtime, nikoqiri Isa ef. Tërshani, që njëkohësisht edhe falënderoi të gjithë ata që ndihmuan për rindërtimin e xhamisë, duke filluar nga Kryesia e BIK-ut, shoqata “Charity” nga Katari, si dhe kontribuuesit vullnetmirë nga fshati Mollopolc.
Në emër të Komunës së Shtimes z. Rrahman Jakupi tha se ndihet i nderuar që është në mesin e besimtarëve të Zotit, si dhe lavdëroi bashkëpunimin në mes të dy institucioneve në nivel lokal, Komunës dhe KBI të Shtimes.
Edhe përfaqësuesi nga shoqata e Katarit u shpreh se për të është një ndjenjë e veçantë që është në një vend të bukur si Kosova, dhe i rrethuar nga besimtarët myslimanë, për të nisur një vepër të hairit, e që do t’i sjellë dobi jo vetëm atyre që sot janë të pranishëm, por edhe gjeneratave që do të vijnë pas.
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës një fjalë rasti mbajti  Ahmet ef. Sadriu, i cili shoqërohej nga Fatmir Iljazi dhe Rexhep Luma, përcolli përshëndetjet e myftiut të Kosovës, Naim ef Tërnavës  duke përgëzuar të gjithë qytetarët e asaj ane për rindërtimin e objektit te ri fetar për plotësimin e nevojave të tyre shpirtërore. Ai theksoi të drejtën dhe lirinë e të besuarit dhe praktikimit të besimit në Zotin xh.sh., duke tërhequr në këtë mënyrë një paralele në mes të kohës së sotit dhe viteve të sistemit komunisto-ateist, kur besimtarët privoheshin nga e drejta e tyre për të besuar, torturoheshin psikikisht dhe fizikisht, persekutoheshin, e besa edhe likuidoheshin. “Sot kënaqësia ime më e madhe është kur në një kompleks të përbashkët shoh shkollën fillore dhe xhaminë, që qëndrojnë dhe e mbështesin njëra-tjetrën. Dy institucione që edukojnë brezat dhe gjeneratat në vazhdimësi, ku përveç arsimit të obliguar gjeneratat në vijim do të kenë mundësi të edukojnë edhe shpirtin e tyre”.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim

Prishtinë, më 28 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…