Prishtinë, 13 janar 2014
Në kuadër të muajit të Mevludit, sot në xhaminë e Madhe në Prishtinë, u përkujtua personaliteti i pejgamberit të fundit, Muhamed Mustafasë, si i dërguar i Zotit, si mësues fetar, si reformator shoqëror, si prind e kryefamiljar i devotshëm, si burrështetas, mëshirë për botërat, vulë e të gjithë pejgamberëve, pasqyrë e shëmbëlltyrës së lartë.
Masën e gjerë të popullit të mbledhur pas namazit të drekës, në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje kryetari Bahri ef. Sejdiu, njëherë bashkorganizator i këtij evenimenti, me Kryesinë e BI të Kosovës.
Në këtë ditë të bukur dimri me diell, zemrat e besimtarëve u njomën me fjalët e zgjedhura të Myftiut Naim ef. Tërnava, i cili me një ligjëratë modeste edhe njëherë iu bëri të qartë prezantuesve dhe jo vetëm, se Allahu xh.sh. bëri detyrim respektin, dashurinë dhe pasimin e sunetit të tij. “…. nuk ka ditë, datë, kohë, kalendar më me vlerë, më domethënës se dita e lindjes së tij. Prandaj dita më e dashur mbi sipërfaqen e tokës, për ummetin e Muhamedit a.s. do të jetë gjithherë dita e lindjes së tij. E si mos të jetë vallë e tillë, kur botën e kishte kapluar errësira, humbja, injoranca e dekadenca, e kishin kapluar veset e liga, në atë kohë kur njeriu e kishte humbur domethënien e të qenurit njeri, deri sa erdhi shpëtimtari i njerëzimit, Muhamedi a.s. ….” u shpreh ndër të tjera Myftiu Tërnava.{gallery}mevludi2014{/gallery}
Më tej, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë pjesë nga mevludi dhe ilahi, të recituara nga veteranët prej imamëve dhe ata të rinjtë. Xhemati u ndanë të kënaqur me programin dhe uruan njëri tjetrin për shënimin e kësaj date historike.