Unioni i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani më 18.12.2016, në qytetin Duissburg, organizoi manifestimin qendror për mbarë Gjermaninë kushtuar Mevludit-Ditëlindjes së Muhamedit a.s. Pejgamberit të paqes, dashurisë dhe mëshirës  me ftesë të kryetarit të UQISHGJ, Mensur ef. Halilit. Manifestimin e nderoi me prezencën e tij përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës Mr.Ekrem Simnica, njëherit edhe Drejtor për Diasporë, në mungesë të Myftiut Naim ef. Tërnava I cili në të njejtën ditë ishte pjesmarrës në Forumin për Promovimin e Paqes në Shoqëritë Muslimane të mbajtur në Ebu Dhabi,në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Përfaqësuesi i BIK-ut, z. Ekrem Simnica ju drejtua të pranishmëve me nj fjalë rasti:
Kam nderin dhe kënaqësinë që sot t’ju drejtohem me këtë fjalë rasti dhe njëkohësisht t’ju përshëndes e t’ju përcjellë përshëndetjet dhe të ju falënderoj në emër të BIK, strukturave udhëheqëse të saja në emrin e Myftiut  Naim ef Tërnava dhe popullit të Kosovës për kontributin tuaj të dhënë në përgjithësi për vendlindjet dhe për kontributin tuaj të veçantë z. Mensur Halili dhe stafi juaj në këtë manifestim. Manifestim i cili temë bosht ka përkushtimin e besimtarëve tanë ndaj figurës dhe personalitet të ndritur të Pejgamberit Muhamedit a.s. në njërën anë dhe në anën tjetër manifestimin që e kanë organizuar besimtarët tanë në shenjë respekti e dashurie ndaj Pejga-mberit të Allahut ndër vite e mote.
S’ka dyshim se përkushtimi i besimtarëve ndaj Pejgamberit a.s. është i kuptueshëm, sepse Allahu xh.sh. e zgjodhi atë për të dërguar të Tij deri në Ditën e Kiametit; e bëri mëshirë për botët mbarë dhe për të gjithë njerëzit.
Dhe jo vetëm kaq, por Zoti I Madhërishëm emrin e tij e renditi pas emrit të Vet, kurse besimtarët i urdhëroi që t’iu përmbahen rrugës dhe mësimeve të tij.
Në historinë e ndritshme është i njohur përkushtimi, nderi e respekti që kanë treguar besimtarët ndaj Pejgamberit a.s., që nga ashabët e deri te ne sot. Mënyra e shprehjes së dashurisë ndaj Pejgamberit a.s. ndër gjenerata e breza mori forma e trajta të ndryshme, kronistët regjistruan me pietet e dashuri jetën dhe biografinë e tij të ndritur, ulematë morën dhe zbatuan me përpikëri mësimet e thëniet e tij, pedagogët mësuan nga mësimet, edukata dhe etika e tij, ndërsa poetët e letrarët thurën vargje dhe e përjetësuan në prozë, poezi e ode të ndryshme kushtuar jetës, veprës dhe muxhizeve të Pejgamberit tonë të fundit, Muhamedit a.s.
Këtë formë të thurjes së lavdeve dhe konsideratave për Pejgamberin a.s., si për askënd tjetër, e gjejmë edhe te populli ynë, që, sikurse dihet, deri sot, janë shkruar mbi 30 mevlude në gjuhën shqipe, pa përmendur këtu edhe poezitë, e kasidet e panumërta.
Të theksojmë se shumica e këtyre mevludeve janë shkruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare nga personalitete dhe dijetarë të shquar e të dëshmuar, si në rrafshin fetar ashtu edhe në rrafshin kombëtar.
Këta ulema që shkruan dhe thurën lavdet, si për askënd tjetër, me një stil të lartë e të pashembullt, për Pejgamberin a.s. në gjuhën shqipe ishin personalitete me arsimim të lartë, njerëz të respektuar e të dëshmuar dhe që dhanë kontribute edhe në fusha të tjera si në Kuran, tefsir, histori, hadith, fikh, gjuhësi, letërsi, publicistikë etj. Nuk do të mund të mos përmendnim këtu  Hafëz Ibrahim Dalliun, Hafëz. Ali Korçën, Hafëz Ali Ulqinakun, Tahir efendi Popovën etj.
Nuk do të thoshim ndonjë gjë të re nëse konstatojmë se manifestimi i mevludit ndër myslimanët shqiptarë ka qenë një ndër më të përhapurit; ata, sa herë që ka ardhur muaji Rebiul-Evvel, – muaj në të cilin lindi Pegamberi a.s., – në ambientet e tyre familjare po gjithsesi edhe publike janë tubuar për ta shënuar këtë datë të rëndësishme.
Dhe jo vetëm kaq, ngase besimtarët tanë, përveç shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s., organizonin mevlude edhe në raste gëzimi, si me rastin e lindjes së fëmijëve, të hyrjes në shtëpi të reja dhe në raste të tjera. Me një fjalë, mevludi i ka përcjellë besimtarët që nga djepi e deri në varr.
Kjo traditë e begatë e manifestimit të mevludit dhe shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s., para një dekade si të thuash, bëhej më masive dhe më madhështore, kurse sot, fatkeqësisht, për shkak të disa rrethanave të krijuara, sikur ka filluar të zbehet dhe ka marrë domethënie dhe formë tjetër.
Të nderuar të pranishëm !
Kur bota islame i gëzohet ardhjes në këtë jetë të Muhamed Mustafasë nëpërmjet rikujtimit të ditëlindjes së tij.
Kur myslimanët në këtë apo atë mënyrë festojnë në shenjë respekti ditëlindjen e Muhamedit a.s.
Kur mbahen manifestime të shumta kushtuar shëmbëlltyrës së tij, jetës e veprës së tij.
Kur Allahu e melaiket luten për te në vazhdimësi.
Kur myslimanët e mbar botës luten për Muhamed Mustafanë.
Kur festat islame edhe më ia shtojnë krenarin fes sonë.
Kur myslimanët në shenjë respekti lexojnë e këndojnë poezi-mevlud në gjuhë të ndryshme të botës.
Kur kujtojmë sistemin komunist dhe rolin e mevludit në shoqërinë Shqiptare.
Vërtetë me plot gojën themi se mevludi në Kosovë dhe nder Shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë  pati një domethënie të madhe në ruajtjen e identitetit islam dhe kombëtar, ndaj me krenari të madhe këndojmë e lexojmë mevlude e mbajmë tubime për këtë shëmbëlltyrë të pa përsëritshme në historinë njerëzore.
Festen e mevludit, festën e Israsë e Miraxhit etj, asnjëherë nuk do të lejojmë të zëvendësojmë sipas dëshirave të disave me Shën Valentinin, Natën e Shtrigave, Festen e të vdekurve, etj.
Shëmbëlltyra e Muhamedit a.s. do të rri prore në zemrat tona, shtëpitë tona, shoqërinë tonë ngase kështu na mëson Kurani, kështu na mëson Muhamedi a.s.
Duke e lutur Zotin e Madhërishëm për një mirëqenie sa më të mirë e të begatë për popullin tonë dhe duke e lutur të Madhin Zot që paqa dhe harmonia të mbizotëroi mes njerëzve mbarë, edhe një herë ju uroi ditëlindjen e Pejngamberit, Muhamedit a.s.
Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të shquara të jetës fetare, kulturore e afariste. Programi u zhvillua me demonstrimin e këndimeve Kuranore dhe paraqitjeve fetare, artistike dhe kulturore. Përveç këndimeve të pjesëve kuranore nga zërat më të bukur të imamëve që shërbejnë në Gjermani si z.Xhelal ef. Kaloshi, pjesëve të mevludit dhe ilahive nga kori i xhamisë shqiptare në Duissburgut, të pranishmit i përshëndetën edhe shumë personalitet të shquara të jetës fetare nga vendlindja si dhe në Diasporë. Manifestimin e nderoi dhe përshëndeti, Reisi I BFI të Maqedonisë z.Sylejman ef. Rexhepi me bashkëpunëtorët e tij,përfaqësuesit e Unioneve Shqiptare Islame nga Austria, Italia, Belgjika dhe Danimarka.
Manifestimi u përmbyll me darkën e shtruar nga organizatorët për të gjithë të pranishmit.
Java e manifestimeve të Ditëlindjes së Profetit të mëshirës në Gjermani u përmbyllë me seminarin trajnues të organizuar nga UIAZD, ku të pranishëm ishin shumica dërmuese e imamëve me shërbim në mbarë Gjermaninë të inkuadruar në Unionin Shqiptar Islam.
Të pranishmëve në këtë seminar të organizuar nga Unioni i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani , në fillim iu drejtuan dy përgjegjësitë për diasporën e Bashkësive Islame: Dr. Selver Xhemaili përgjegjës për diasporën pranë BFIM dhe Mr. Ekrem Simnica,Drejtor për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Ndërsa temat kryesore para imamëve i demonstruan Prof. dr. Musa Musai i cili diskursin e bisedës së tij e kishte të orientuar tek titulli: Thirrësi njohës i rrethanave psikosociale në shoqëri; pozicionimi i thirrësit islam mes tradicionales dhe bashkëkohores.
Dhe ligjëruesi i dytë ishte Dr. Çefli Ademi i cili temën e tij e kishte përqendruar rreth komparacionit mes të drejtës islame dhe kushtetutës së Gjermanisë nga këndvështrimet etike në interpretimin e të drejtës si nocion universal.
Krejt në fund falënderojmë Unionin e Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani për organizimin në nivel dhe njëkohësisht udhëheqësisë dhe drejtuesve të këtij institucioni me peshë në shoqërinë Gjermane iu urojmë sukses në veprimtarinë dhe aktivitetet e tyre të mëtejme.

Ekrem Simnica,
drejtor për Diasporë [layerslider id=”13″]

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Myftiu Tërnava vizitoi punishten e Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Prishtinë, më 8 tetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…