Ne aty kërkuam që të përshpejtohet njohja e pavarësisë së Kosovës

Në Mekë të Arabisë Saudite nga 4-6 qershor nën patronatin e mbretit saudit Abul Aziz al Saud u mbajt Kongresi Ndërkombëtar që pati për temë të vetme “Dialogun”.Në këtë kongres qenë të pranishëm 500 pjesëmarrës nga e tërë bota, ku dominonin përfaqësuesit e shteteve të konferencës islamike të cilat përfaqësoheshin në nivel ministrash.

Në këtë kongres nga Kosova qenë të pranishëm Myftiu Mr. Naim Tërnava dhe dekani i FSI-së Dr. Rexhep Boja.

Gjatë kohës sa mbahej Kongresi Myftiu Tërnava e dekani Boja patën një sërë takimesh me përfaqësues të shteteve të ndryshme nga të cilët kërkuan që të ndikojnë tek qeveritë e vendeve të tyre që sa më parë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Për të mësuar diç më tepër për aktivitetin e delegacionit tonë në këtë kongres ne me t’u kthyer biseduam me Myftiun mr. Naim Tërnava

 

D.I.: Myfti në fillim na thoni diç për formatin e Kongresit të mbajtur në Mekë ku ishit i pranishëm ju dhe dr. Boja?

Myftiu Naim Tërnava: Me ftesë të Ligës Botërore Islame me seli në Mekë kam marrë pjesë në Kongresin e mbajtur në pallatin mbretëror “Saffa”. Ky kongres  u mbajt nën patronatin e mbretit saudit  ku morën pjesë rreth 500 përfaqësues nga e mbarë bota. Kongresi i zhvilloi punimet për tri ditë rresht, hapjen e të cilit e bëri mbreti i Saudisë Abdullah.

Në këtë kongres temë boshte diskutimi qe “Dialogu”, ku ndër të tjera gjatë tri ditëve u bisedua lidhur me problemet e shumta që ka sot bota në përgjithësi e në veçanti Bota Islame, ku gjithsesi u diskutua edhe për Kosovën, ngase ne aty kërkuam që të përshpejtohet njohja e pavarësisë së Kosovës.

D.I.: Çfarë ishte struktura në këtë kongres?

Myftiu Naim Tërnava: Në këtë kongres unë dhe dr. Boja shfrytëzuam rastin  dhe në takimet e shumta që patëm me përfaqësues të shteteve të ndryshme kërkuam nga ata që të ndikojnë tek qeveritë e tyre për njohjen e Kosovës. Madje ne bashkëbiseduesëve tanë ua prezantuam edhe të arriturat që janë shënuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, siç është miratimi i ligjeve që dalin nga pakoja e presidentit Ahtisari e që në përgjithësi kanë të bëjnë me garantimin e të drejtave të minoriteteve, pastaj miratimi i Kushtetutës së Kosovës, miratimi i simboleve, konsolidimi institucional si dhe procesi i njohjes së pavarësisë së vendit tona nga shtete të shumta të botës 43 soshë

 

Në këtë kongres qenë të pranishëm shumë ministra, me disa nga ministrat e pranishëm ne patëm takime shumë të përzemërta dhe morëm premtime që do të angazhohen pranë qeverive të tyre për njohjen e Kosovës.

 

 Image

 

D.I.: Myfti në takimet që keni pasur ju çfarë ishte interesimi i bashkëbiseduesve tuaj për Kosovën?

 

 

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Kryesisht interesimi i tyre ishte se si funksionon shteti i ri i Kosovës dhe si janë relacionet me shtetet fqinjë. Ne atyre ua bëmë me dije se pavarësia e Kosovës është faktor stabiliteti për rajonin dhe me pavarësinë e Kosovës në një farë mënyre përfundon procesi i dezintegrimit të ish-Federatës jugosllave.

 

D.I.: Do e veçoni ndonjë takim?

Myftiu Naim Tërnava: Po, nga takime që kemi realizuar këtu kisha me veçuar atë me kryetarin e Kuvendit të Indonezisë nga i cili kërkuam që të përdorë autoritetin e tij tek parlamenti dhe qeveria e tij që sa më parë të ndërrojë qëndrimi i vendit të tij në raport me Kosovën dhe sa më parë të njoh vendin tonë si shtet të pavarur e sovran.

Po duhet theksuar se në të gjitha takimet tjera gjatë tri ditëve që patëm me ministrat dhe përfaqësues të lartë të vendeve të ndryshme, kërkuam nga ta që të përshpejtohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike dhe të Unionit Afrikan.

D.I.: Myfti çfarë ishte perceptimi i tyre për kërkesat tuaja?

Myftiu Naim Tërnava: Mund të them që në të gjitha takimet që patëm, hasëm në mirëkuptim dhe morëm përkrahje që në një të ardhme të afërt do të njihet realiteti në Kosovë, respektivisht pavarësia e Kosovës.

D.I.: A mendoni se është dashur që përfaqësuesit tanë politikë e institucional të jenë më aktiv në Lindje?

Myftiu Naim Tërnava: Është e vërtetë kjo, se populli i Kosovës ka pritur dhe pret që shtetet e Botës Islame ta pranonin pavarësinë e vendit tonë, mirëpo në këtë drejtim jam i mendimit që politika kosovare ka çaluar bukur shumë. Edhe në të kaluarën e edhe tash, asnjëherë , asnjë delegacion politik i nivelit të lartë nga Kosova nuk ka vizituar asnjë shtet islam, duke mos përfshirë këtu vizitat që janë realizuar në Turqi si dhe duke mos llogaritur edhe pjesëmarrjen e fundit të Ministrit të Arsimit në Dakar në Senegal, edhe pse siç e dini ajo konferencë ishe e nivelit të mbretërve dhe kryetarëve të shteteve.

 

Kosova aty u prezantua në nivel jo adekuat të paktën kështu unë mendoj dhe atë pa ndonjë parapërgatitje të mëhershëm, por një pjesëmarrje formale dhe këtë në momentin e fundit.

 

 

 

D.I.: Po a mund të na thoni cili është kontributi i BI në këtë rrafsh kur thoni se elita politike e ka lënë anash këtë botë?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Kontributi dhe angazhimi që ka dhënë Bashkësia Islame e Kosovës janë evidente dhe mund të them se kemi dhënë një kontribut edhe jashtë mundësive tona në takimet që kemi patur me përfaqësuesit e vendeve të botës islame dhe mund të them se falë këtij angazhimi e kontributit tonë është arritur që sadopak të sensibilizohen qeveritë e vendeve islame për të diskutuar për Kosovën.

 

Ju siç e dini para pak kohe unë kam takuar edhe mbretin e Arabisë Saudite dhe kam kërkuar nga ai personalisht që ta njoh pavarësinë e Kosovës si dhe të përdorë ndikimin dhe autoritetin e tij edhe tek shtetet tjera për rreth që ta njohin vendin tonë.

 

 

 

D.I.: Po cila qe përgjigja e mbretit saudit?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Mbreti i Arabisë Saudite më ka premtuar se në një të ardhme të afërt do e njoh pavarësinë e Kosovës, e menjëherë pas Saudisë Kosovën do ta njohin edhe të gjitha shtetet e hixhazit (gjirit), prandaj mund të them se  po atë ditë që do ta bëjë të ditur vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës Arabia Saudite po atë ditë Kosova do të njihet edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Omani, Bahrejni, Katari etj.

 

 

Image

Myftiu në takim me mbretin saudit, Abdul Aziz al Saud

D.I.: Kur pritet që të ndodh kjo?

Myftiu Naim Tërnava: Unë besoj shumë afër, unë besoj që brenda pak ditësh do të merret vendim për njohjen e Kosovës?

 

 

 

D.I.: Myfti a kanë kërkuar nga ju qeveria që të ndihmoni atë dhe të loboni tek shtetet islame, apo a ju ka autorizuar ju që të loboni tek ajo botë?

 

 

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Jo unë asnjëherë nuk kam qenë i autorizuar nga qeveria e Kosovës që të lobojë apo që të flas në emër të saj. Lobimin apo kontributin për njohjen e Kosovës e kemi bërë me vetëiniciativë duke u nisur nga parimi se një gjë të tillë ja kemi borxh vendit tonë, e për një gjë të tillë as nuk kemi pritur autorizim, as nuk kemi hezituar por aty ku na është dhënë rasti e mundësia kemi dhënë kontributin tonë në të mirë të Kosovës, dhe nuk ka fuqi që e ndal B. Islame në rrugën e saj drejt dhënies së kontributit për vendin tonë.

 

 

 

D.I.: Myfti sa keni arritur rezultate në këtë drejtim dhe a ka mundur që të bëhet më shumë?

 

Myftiu Naim Tërnava: Edhe kur jemi këtu duhet të dimë se të gjithë e kemi për detyrë të kontribojmë për vendin tonë, kudo që na jepet rasti dhe për këtë nuk duhet kursyer asgjë, sepse një gjë të tillë ja kemi borxh vendit tonë, popullit tonë, fëmijëve tanë.

 

 Por dihet përgjegjës për zhvillimin e politikës janë institucionet tona që janë të mandatuara për të udhëheq dhe për të përfaqësuar këtë vend si brenda ashtu edhe jashtë. Unë mendoj që në këtë drejtim duhet bërë më shumë, ndoshta i kuptoj institucionet tona janë në fazën e konsolidimit por një se marr vesh paragjykimet dhe hipotekat e së kaluarës janë shumë të dëmshme për ne e para së gjitha për popullin tonë.

 

 

 

 

 

D.I.: Myfti a ka pasur rrugë tjera qeveria që të bëjë më shumë në raport me Botën Islame?

 

Myftiu Naim Tërnava: Shumë thjeshtë, të bëjë atë që ka bërë me vendet e Evropës dhe SHBA-të, ne e dimë që përfaqësuesit tanë kanë vizituar shumë herë Evropën- kancelaritë e tyre dhe kanë shënuar rezultate të mëdha, por nuk guxojmë të kënaqemi vetëm me këtë, duhet vazhduar me Amerikën Latine, Afrikën atje është Unioni Afrikanë që tubon  një numër të madh shtetesh, pastaj Shtetet Islame, pastaj shtetet e Lindjes së Largët po pse jo të mos bëjmë më shumë edhe tek shtetet që kanë rezervat e tyre karshi nesh, t’u tregojmë se ne meritojmë përkrahjen e tyre, e kjo arrihet vetëm me punë në terren aq më tepër kur tani kemi të themeluar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, që është përgjegjëse për prezantimin diplomatik të Kosovës në Botë.

 

Unë pres që Ministria e Punëve të jashtme të hap një faqe të re në këtë drejtim ngase ne na vyen përkrahja për tu konsoliduar si shtet, por na vyen edhe ndihma ekonomike si dhe investimet e huaja qoftë në ekonomi, qoftë në infrastrukturë. Ne duhet të dimë se jemi vendi më i pazhvilluar në rajon, na duhet shumë punë për të arritur standardet që kërkon BE.

 

 

Image

Myftiu me dijetarin bashkëkohor islam, Jusuf Kardawi

 

D.I.: Si e shihni injorimin që i bën politika kosovare Lindjes në emër të afrimit me Evropën?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Shikoni ne jemi pjesë e Evropës, gjeografikisht jemi në Evropë, dhe është normale interesimi i Evropës për proceset në Kosovë. Po ashtu është edhe më normale përcaktimi i elitës kosovare për integrim në struktura evropiane, si BE, pastaj NATO etj.  Ne jemi pjesë e Evropës dhe duhet  të integrohemi në strukturat e saja këtu s’ka dilemë, ky është qëllim nacional jo vetëm i Kosovës po i gjithë kombit tonë dhe duhet bërë të gjitha përgatitjet dhe duhet plotësuar standardet që edhe vendi ynë sa më parë të jetë i integruar në Evropë.

 

Në Evropë duhet të integrohemi kështu siç jemi me të gjitha vlerat tona pozitive, me këtë identitet fetar e kombëtar që kemi kultivuar që sa kohë.

 

Integrimi ynë në Evropë do e begatoj BE dhe do jetë nder për evropianët që të integrojë në radhët e veta edhe 5% të banorëve të saj që i përkasin besimit islam.  E them këtë sepse sot në botë s’ka popull që i përket vetëm një besimi. Mirëpo integrimi në Evropë nuk do të thotë në asnjë mënyrë që ne të mos kemi interesim për botën tjetër, nuk e kam fjalën këtu vetëm për Botën Islame por me të gjitha shtetet e botës në të gjitha kontinentet bashkëpunim, e aq më tepër me ato shtete që kemi diç të përbashkët. Mendoj që duhet të shfrytëzojmë vlerat tona si popull edhe në Lindje e edhe në Perëndim.

 

 

 

D.I.: Kur jemi tek shtetet e Konferencës Islamike është thënë se ato në bllok do e njohin pavarësinë e Kosovës, mirëpo më vonë kjo është lënë që secili shtet ta bëjë veç e veç si e shihni ju këtë?

 

 

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Po sigurisht mos të harrojmë se ish-Jugosllavia ka pasur një ndikim të madh në atë botë, tashmë dihet se themelues të Lëvizjes së të Painkuadruarve kanë qenë tre ish-lider Tito-Naser-Nehru, dhe ai ndikim që ka pasur Tito dhe ish-RSFJ, reflektohen edhe sot tek disa shtete, madje edhe tek disa shtete të Konferencës Islamike. Mirëpo nuk duhet lënë anash as presionin e diplomacisë ruse tek disa shtete që të shtynë njohjen e Kosovës. Unë edhe sot jam shumë i bindur që është një gatishmëri për njohjen e Kosovës nga shtetet e Konferencës Islamike, është e madhe e sidomos e popujve të këtyre shteteve, por duhet thënë se këtë dëshirë të popullit në disa vende nuk e ndajnë ndoshta interesat që ka qeveria.

 

Pos këtyre sigurisht ka ndikuar edhe mosnjohja e realitetit në Kosovë disa qeveri të asaj bote dhe këto kanë bërë që të hezitohet deri tash por pritet që shumë shpejt të hiqen të gjitha pengesat dhe Kosova të njihet nga shumica e shteteve të Konferencës Islamike. Të përmendi edhe këtë në fund të këtij muaj (qershor) në Ugandë mblidhet Konferenca islamike në nivel ministrash por unë s’di a do jenë përfaqësuesit e Kosovës aty që të flasin për Kosovën, të takojnë ministrat e atyre vendeve dhe me kompetence të kërkojnë përkrahje për shtetin e Kosovës.

 

Apo mos vallë qeveria e Kosovës po udhëheq politikë neokomuniste në raport me vlerat islame, dhe ky qëndrim mbetet edhe karshi shteteve islame, e ky qëndrim është kundër interesave të popullit të Kosovës.

 

 

 

(biseduan: b. Siminca & r. shkodra)

Shfaq më shumë në Intervista

Shfleto

“Misioni ynë është që sa më mirë dhe sa më drejt ta shpjegojmë fjalën e të Madhit Zot”

Intervistë ekskluzive për revistën “Dituria Islame”me Myftiun e Bashkësisë Isl…