Sot në Prishtinë, 11 janar 2016, në Xhaminë e Madhe, pas namazit të drekës u organizua manifestimi përmbyllës me rastin e muajit të lindjes së pejgamberit Muhamed a.s. Në këtë manifestim qenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të Bashkisë Islame të Kosovës, të prirë nga myftiu Naim ef. Tërnava, pastaj përfaqësuesit e Këshillave të Bashkësisë Islame nga qendrat e ndryshme të Kosovës, si dhe të ftuar e xhematlinj të shumtë.

Për rëndësinë e manifestimit kushtuar lindjes së Muhamedit a.s., para të pranishmëve foli Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili përveç tjerash tha: “Nuk ka më kënaqësi, nuk ka më mirë, nuk ka më bujari, nuk ka më njerëzi sesa kur umeti i Muhamedit a.s. tubohet në një vend dhe e përkujton lindjen e tij, njeriut më të mirë që e krijoj Allahu xh.sh., Muhamed Mustafanë.”
Manifestimet e tilla në përkujtim të të Dërguarit të fundit, Muhamedit a.s. janë traditë e hershme në trojet tona, me çka të parët tanë me devotshmëri, përkushtim e sinqeritet kujtonin Muhamedin a.s., historinë e tij, virtytet e tij, mësimet e tij, udhëzimet dhe rrugën e tij. Këtë traditë duhet kultivuar në të gjitha ambientet tona, në shtëpi, në medrese e nëpër xhamitë tona, siç është manifestimi i sotëm”, tha përveç tjerash myftiu Naim ef. Tërnava.
Ai po ashtu tha se ne jemi umet i Muhamedit  a.s., se kemi prodhuar dhe prodhojmë paqe, solidaritet, harmoni, dashuri, respekt, mirësjellje e shtrirje të dorës njëri me tjetrin. “Feja islame i ka këto veçori, pavarësisht  se dikush mundohet ta kanalizojë e interpretojë ndryshe. Feja islame është kjo. Të mundohemi e ta shpjegojmë këtë fe ashtu siç na e kanë përcjellë baballarët dhe hoxhallarët tanë, tash e mbi 600 vjet”, tha myftiu Tërnava
Ai gjithashtu porositi që të mos e humbasim këtë manifestim tradicional, pavarësisht se dikush po mundohet  të na e zëvendësojë me festa tjera.
Pas fjalës së myftiut, imami veteran Mustafë ef. Dervisholli  nga Prishtina, imami Adem ef. Hoxha nga Ferizaj, si dhe imami Sallah ef. Feta  nga Prishtina, kënduan pjesë nga “Mevludi” i Tahir efendi Popovës, ndërsa performance e tyre nga të pranishmit u përcoll me vëmendje.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Filloi viti i ri akademik në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë

Prishtinë, më 2 tetor 2024 Sot, me një ceremoni solemne ka filluar viti i ri akademik në F…