Me rastin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme Të OKB-së në Nju Jork

Për kënd do të votojnë arabët dhe myslimanët:
Për të drejtën e kosovarëve për pavarësi apo për krimet serbe?!

Më 8 tetor në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara  në Nju Jork, do të votohet për projekt rezolutën e Qeverisë serbe  drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur më 17 shkurt 2008. Pala kosovare, e përfaqësuar në presidentin e saj Dr. Fatmir Sejdiun dhe Ministrin e  Punëve të Jashtme, Skënder Hysenin, bëri përpjekjet e saj që të bind përfaqësuesit e vendeve të ndryshme, që ata të votojnë kundër  projekt rezolutës serbe, sepse ajo nuk është në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon, por  aq më tepër ajo mund ta minojë atë në tërësi.

Në anën tjetër, pala serbe për muaj të tërë bëri përpjekje të pa reshtura që të bind  një numër sa më të madh të shteteve të botës që mos ta njohin pavarësinë e Kosovës. Për ta arritur këtë qëllim diplomacia serbe përqendroi tërë forcën e vet në shtetet e botës së tretë. Kryediplomati serb, Vuk Jeremiq mori pjesë në samitin  e vendeve të Painkuadruara në Teheran, ku përmendi rolin që ka luajtur Beogradi si nikoqir i konferencës së parë të kësaj lëvizje në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, duke mos lënë pa e  përmendur rolin e ish-liderit Josip Broz Tito në tërë këtë lëvizje, duke ia atrbuar Titos edhe llagapin “lideri ynë”. Për çka natyrisht kishte fituar apluadimet e të pranishmëve të informuar si duhet me realitetin e trashëgimisë së Titos. E tërë ajo që i interesonte kryediplomatit serb ishte  që këto vende të mos  e njohin pavarësinë e Kosovës.
 
Për fat të keq, suksesin më të madh propaganda dhe diplomacia serbe kanë arritur në zemër të  shumicës së vendeve arabe dhe islame. Argumenti më i mirë për këtë është se asnjë vend arab, nga 22 shtete sa numëron Liga Arabe që nga 17 shkurti nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kurse nga 57 shtete sa numëron Organizata e Konferencës Islamike vetëm 6 vende e kanë njohur deri më tash. Ky hezitim dhe kjo mospërfillje e kësaj bote ndaj pavarësisë së Kosovës, ku  përqindja e qytetarëve të përkatësisë së fesë islame arrin në 95% ka shkaktuar një zhgënjim të paparë ndaj qeverive të vendeve arabe dhe islame. Populli i Kosovës ka pasur një besim të thellë se vëllazëria islame dhe solidariteti islamik, do të mbizotëroj  mbi të gjitha interesat kombëtare dhe rajonale, cilat do qofshin ato. Sepse, okupimi serb për më shumë se një shekull ia kishte  ndaluar atij një solidaritet të tillë.

Mirëpo, ne duhet ta themi botërisht dhe pa ekuivokë se ne kemi gjetur mirëkuptim dhe solidaritet më të madh, për kauzën tonë tek amerikanët dhe  evropianët, të cilët na u gjetën në momentet më të vështira të historisë sonë më të re. Ata u rreshtuan në anën tonë edhe pas shpalljes së pavarësisë, duke përkrahur politikisht kauzën tonë në të gjitha instancat ndërkombëtare. Duke e konsideruar çështje të drejtë të një populli që ishte i robëruar  nga serbët për më   shumë se një shekull.

Më 8 tetor do të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për projekt rezolutën serbe për të marr mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas asaj q[ë propagandon diplomacia serbe thuhet se shumica e vendeve arabe dhe atyre islame  mund  të radhiten në anën e Serbisë, sepse ato ende nuk  e kanë  njohur pavarësinë e Kosovës.

Këtë propagandë serbe edhe pesimistët më të mëdhenj nuk   mund ta besojnë  thjesht për shkaqet vijuese:

E para: Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë votimi për një shtet që është themeluar mbi bazat e politikës hegjemoniste ndaj ish-Republikave të ish-Federatës Jugosllave, e cila rezultoi me shkatërrimin e ish – Federatës. Sepse në themelet e saj dëshirohej  restaurohej Serbia  e Madhe.

E dyta: Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë votim për  shtetin, i cili  brenda  5 viteve shkaktoi 5 luftëra shkatërrimtare.

E treta:  Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë votim për shtetin, i cili u ngrit në themele të kufomave dhe eshtrave të viktimave të civilëve të Vukovarit (Kroaci),  të kufomave të fëmijëve dhe pleqve të Sarajevës së rrethuar, viktimave të Srebrenicës (Bosnje e Hercegovinë), viktimave të Likoshanit e Qirezit, Prekazit, Reçakut ( Kosovë). Si dhe dëbimit të mbi një milion qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë  e tyre, për shkak se ata i përkisnin një komb dhe fe tjetër  nga serbët. 
 
 E katërta: Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë përkrahja e shtetit, i cili në mënyrë  sistematike dhe të organizuar, duke përdor ushtrinë dhe policinë, shkatërroi, dogji dhe granatoi mbi 1000 xhami në Bosnje e Hercegovinë dhe mbi 220 në Kosovë me të vetmin qëllim eliminimin e gjurmëve të Islamit dhe myslimanëve nga ato pjesë të Ballkanit. Edhepse gjurmët e Islamit shkojnë në një periudhë kohore më shumë se gjashtë shekuj.

 E pesta: Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë anashkalim dhe injorim i mbi 250.000 dëshmorëve si dhe dhjetëra mija motrave tuaja myslimane të dhunuara nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

 E gjashta: Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë anashkalim dhe humbje e afër nëntë viteve të një pune të mundimshme dhe intensive  diplomatike, të bisedimeve të vazhdueshme të niveleve më të larta  shqiptaro-serbe me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ish presidentit finlandez, Marti Ahtisarit.

E shtata: Votimi për projekt rezolutën serbe, do të thotë solidarizim me kriminelët e luftës. Sipas statistikave të Gjyqit  të Hagës për ish-krimet dhe gjenocidin në ish—Jugosllavi, shihet se mbi 90% të kriminelëve, që janë dënuar, janë në gjykim e sipër apo i kanë ikur gjykimit  janë serbë. Vlen të theksohet se pjesa dërrmuese e tyre kishin poste të larta në udhëheqjen e shtetit, ushtrisë apo policisë.

 E teta: Votimi për projekt rezolutën serbe do të thotë përtëritje e plagëve të luftës jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në Ballkan.

Ndërsa votimi kundër projekt rezolutës serbe do të thotë:

 E para: Sigurimi i të drejtës të vetëvendosjes për më shumë se 95% të popullatës së Kosovës, respektimin e vullnetit të tyre dhe dëshirën  për të jetuar të lirë në shtetin   e tyre.

 E dyta: Besimi i thellë i popullit të Kosovës, pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare në solidaritetin njerëzor dhe atë islam të gjithë popujt e botës.
 .
E treta: Respektimi i angazhimit heroik të forcave të Paktit NATO për të ndalur agresionin e forcave serbe për ta shpëtuar një popull të pambrojtur, që dëshironte të jetonte me dinjitet në tokën dhe shtetin   e tij.
  
E katërta: Kosova nuk mund të jetë përjashtim nga realitet  e reja të krijuara pas shkapërderdhjes së ish-Federatës Jugosllave dhe paraqitjes së shteteve, të cilat ishin më të afërta si në aspektin etnik, fetar apo gjuhësor. Për dallim nga Kosova, e cila nuk kishte asgjë të përbashkët më Serbinë,  qoftë në aspektin etnik, fetar apo gjuhësor.
 
E pesta: Pavarësia e Kosovës  nuk ishte akt i njëanshëm, ashtu  siç propagandon këtë diplomacia serbe para botës.. Ajo ishte rezultat i bisedimeve të mundimshme dhe intensive që zgjatën më shumë se dy vjet në mes palës shqiptare  dhe   asaj serbe me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Marti Ahtsarit, i cili në fund doli me propozimin  e vet, të cilin pala kosovare   e pranoi, ndër kohë që  pala serbe e refuzoi.

E gjashta:   Votimi i juaj kundër projekt rezolutës serbe, do të thotë vendosja e themeleve të një paqe të qëndrueshme në Kosovë, por edhe  në Gadishullin e  Ballkanit në tërësi.

Kjo është një letër e hapur drejtuar në mënyrë të veçantë  përfaqësuesve të vendeve islamike, me qëllim që ju  të mos bini viktimë e propagandës serbe,  që në emër të popullit tuaj të merrni vendimin  e gabuar. Në vend  që  të votoni për të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Kosovës për pavarësi, të ia jepni votën tuaj qeverisë serbe, duart  së cilës janë të zhytura me gjakun e vëllezërve tuaj deri në bërryla. Atëherë, mbi ju do të bijë mallkimi i Zotit në këtë botë para botës tjetër.!
 
O  Zoti im,  dëshmo se unë kreva amanetin tim!

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…