Prishtinë, 10 qershor 2016
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, të premten qëndroi në Lipjan, ku mbajti ligjëratë dhe hytbe, me ç’rast edhe uroi Ramazanin te xhemati. Përveç tjerash ai tha se Allahu xh.sh. nga dymbëdhjetë muajt që ka viti e veçoi muajin e bekuar Ramazan.
“Agjërimi është i vjetër dhe kanë agjëruar edhe pejgamberët dhe popujt e tjerë para nesh dhe para Muhamedit a.s., dhe për këtë na mëson edhe Allahu xh.sh., kur na drejtohet neve myslimanëve, duke thënë: “O ju që e keni besuar Allahun, është bërë obligim për juve agjërimi, ashtu sikurse qe bërë obligim edhe për ata që qenë para jush, që ju të jeni të devotshëm.” Me kryerjen e këtij obligimi po e fitojmë edhe më shumë dashurinë ndaj Allahut dhe Muhamedit a.s., dhe po jemi më të devotshëm dhe më afër Zotit. Në këtë muaj myslimani më shumë është i dhënë pas ibadetit, sepse është muaj i veçuar ngase në të është zbritur Kurani dhe në të gjendet Nata e Kadrit, që është e vlefshme sa një mijë muaj. E, Allahu e ka premtuar Xhenetit për myslimanin, dhe do t’i begatojë me të mirat e Tij gjithë agjëruesit”, tha ndër të tjera myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava po ashtu apeloi te besimtarët që ta shfrytëzojnë këtë muaj dhe të mos lejojnë që shejtani të luajë me neve, si dhe të na kujtohet neve që xhenetit ka tetë dyer, dhe një derë është e posaçme dhe quhet Rejan. Në të hyjnë vetëm ata që kanë agjëruar muajin Ramazan. Ne duhet që t’i begatojmë sofrat e jetimëve, fukarenjve dhe atyre që kanë nevojë. Derisa e kemi Kuranit në mendjet dhe shpirtrat tanë, dhe në shtëpitë tona, dhe derisa udhëzohemi në bazë të asaj që porosit Zoti dhe Muhamedi a.s, atëherë ne e kemi për obligim dhe detyrë të udhëhiqemi sipas porosive të Kuranit dhe Hadithet, dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojnë mendime që i bëjnë dëm myslimanit, Islamit, dhe fesë sonë i japin një imazh që nuk i takon. Vrasjet, torturat, dhuna dhe mbytjet në emër të fesë islame nuk kanë vend te ne. Ato janë kundërislame. Ajo që po ndodh sot në Siri dhe Irak, ajo është kundër asaj që urdhëron Zoti e Pejgamberi i Tij, sepse aty është një luftë e pakuptimtë, vëllavrasëse, dhe askush nuk e di se kush me kë po lufton. Andaj një pasqyrë e keqe po i jepet Islamit dhe neve sot, fatkeqësisht, dhe po kemi raste të lexojmë në medie që po ofendohet Islami, po sulmohet pa të drejtë, duke ditur që ai s’ka të asgjë të përbashkët me këto vepra të këqija. Islami është i pastër. Ai është te humaniteti e toleranca. Islami është kundër çdo vrasje e dhune në botë. Kosova është një vend me përqindjen më të madhe myslimane, dhe këtë ne do ta ruajmë. Ne do të jemi shembull edhe për BE-në, dhe ne dëshirojmë që vendi ynë të integrohet në rrjedhat e përgjithshme të BE-së, sepse kjo do të jetë begati edhe për BE-në. Ne jemi pjesë e pandarë e Evropës”, ka thënë Tërnava.
Në fund të ligjërimit të tij myftiu Tërnava tha se Islami gjithnjë thërret në bashkëjetesë, harmoni, humanitet e mirësi, duke u larguar nga çdo gjë që shkon në dëm të individit, familjes dhe shoqërisë mbarë. Bashkësia Islame vazhdimisht do të jetë me xhematin, dhe do të jetë aty ku e lyp nevoja, ashtu siç ka qenë dhe e ka dëshmuar edhe në të kaluarën. {gallery}lipjanrmznxhm16{/gallery}