Prishtinë, 7 tetor 2017
Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame I Gjilanit, në shtëpinë e kulturës së qytetit në Gjilan, u mbajt promovimi i librit të ribotuar të dr. Muhamet Pirrakut “Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore (1942 1951)”. Në këtë eveniment mori pjesë edhe Myftiu i Republikës së Kosovës Naim ef. Tërnava më bashkëpunëtorë .
Fjalë rasti mbajtën Myftiu i Republikës së Kosovës Naim ef. Tërnava dhe kryetari i KBI-së në Gjilan Naim ef. Aliu.
“Ne, Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit duke parë nevojën e lexuesve dhe të të interesuarve që të kenë në dorë këtë libër, vendosëm ta ribotojmë këtë libër të dokumentuar me fakte për jetën, veprën dhe sakrificën e kolosit, Mulla Idris Gjilanit”,-tha kryetari Aliu.
Ndërsa Myftiu Tërnava veçoi se studimet dhe promovimet e tilla janë shumë të rëndësishme e sidomos kur kemi te bëjmë me figurat e shquara të kombit që bënë shumë për vendin dhe për popullin tonë, duke ua vënë në pah vlerat, virtytet e sakrificat e tyre sublime në shërbim të kauzës sonë fetare e kombëtare.
Myftiu Tërnava nënvizoi se me idealet e sakrificën qe ka rrënjët thellë në besimin në Zotin një, Mulla Idrizi organizoi, mbrojti dhe luftoi për tërësinë e tokave shqiptare, ideal ky i kolosëve dhe personaliteteve më të ndritura të popullit tonë, që u paraqitën dhe lindën si feniks nëpër periudha dhe etapa të ndryshme të historisë sonë të lavdishme kombëtare. Populli shqiptar në krye me Mulla Idrizin Gjilanin, me rezistencën e tij heroike në kodrën e Kikës, dëshmoi dhe i tregoi botës mbarë se Ne nuk jemi popull që rrimë duarkryq kur na sulmohet atdheu ynë e as që pranojmë ideologji, sisteme e regjime të huaja që nuk njohin Zot e fe. Shembullin e Mulla Idrizit e ndoqën edhe shumë imamë e hoxhallarë edhe në luftën e fundit në Kosovë, rreth 40 imamë ranë dëshmorë në mbrojtje të atdheut, të motivuar nga atdhedashuria dhe nga inspirimi e motivimi Kuranor e profetik.
Më pas panelistët e nderuar prof. dr. Daut Bislmi, prof. dr. Sabile Kiçmezi dhe mr. Aliriza Selmani referuan për figurën, për rolin e Mulla Idriz Gjilanit dhe për kontributin e tij fetar dhe atdhetar.