Prishtinë, më 30 mars 2023
Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajti sot mbledhjen e rregullt, në të cilën përpos anëtarëve të Kuvendit mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava. Mbledhja u hap me disa ajete kuranore që u kënduan nga Shaban ef. Haxhi.
Fillimisht u këndua një Fatiha për shpirtin e ish-sekretarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Jashar ef. Jashari, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë.
Në rend dite u shqyrtua dhe u miratua raporti për punën e Kryesisë së BI-së së Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2022, raporti i komisionit financiar të Kuvendit te BIK-ut, u shqyrtia dhe u miratua pasqyra për të hyrat dhe të dalat e Kryesisë (llogarisë përfundimtare) për vitin 2022, si dhe të ndryshme.
Mbledhjen e hapi kryetari i Kuvendit, dr. Ajni Sinani, i cili fillimisht iu shprehu mirëseardhje anëtarëve të Kuvendit, si dhe i falënderoi ata për punën dhe angazhimin e tyre, në veçanti në këtë muaj të bekuar Ramazan.
Më pas, një fjalë rasti para të pranishmëve e mbajti kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava. Ai fillimisht uroi të pranishmit për muajin Ramazan dhe kërkoi nga anëtarët e Kuvendit të që japin kontributin e tyre për avancimin dhe shtyrjen e proceseve përpara, duke lutur Zotin xh.sh., që të na shpërblejë për punën dhe angazhimin tonë për forcimin dhe përhapjen e mesazhit të Allahut te xhemati ynë, ngase e kemi obligim mbi supet tona. Ai vlerësoi se dukshëm është shtuar vëllimi i punës në të gjitha institucionet e BIK-ut dhe po punohet me intensitetin më të madh të mundshëm. Një aktivitet shumë të mirë janë duke bërë mualimet në mësim-besim dhe puna e tyre ka reflektuar dukshëm në terren.
“Ne jemi përgjegjës për jetën fetare brenda dhe jashtë Kosove, aty ku kemi mërgatën tonë. Në kuadër të mundësive tona edhe gjatë vitit 2022 jemi munduar që me vetëmohim, maksimalisht të japim kontributin tonë në fuqizimin e institucionit tonë, duke filluar nga ngritja e kapaciteteve të kuadrit profesional përmes institucioneve tona fetaro-arsimore, gjegjësisht medreseve e Fakultetit të Studimeve Islame, pastaj ngritjes së infrastrukturës së BI-së, me theks të veçantë përmes zhvillimit të vakëfit, me qëllim të vetëm, që sa më mirë të organizojmë jetën fetare në çdo cep të vendit tonë, dhe që ibadetet t’i kryejmë në ambiente sa më të mira e të pastra”- shtoi Myftiu Tërnava.
Ai po ashtu tha se ndjehet krenar me punën dhe angazhimin e anëtarëve të Kryesisë së BIK-ut, të cilët po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në funksionimin e jetës fetare në vend dhe falënderojmë Zotin që sot BIK-u është Bashkësia Islame më stabile në rajon dhe kjo është një mirësi të cilën e kemi arritur me punë dhe angazhim. Ai më pas theksoi edhe projektet e shumta infrastrukturore, e sidomos vakëfet që janë duke u ngritur gjithandej Kosovës. “Në emër të Kryesisë së BIK-ut, i shprehu falënderime të gjithë bashkëpunëtorëve, nëpunësve e drejtuesve të institucioneve për punën e tyre të palodhshme, duke i inkurajuar që edhe më tej të vazhdojmë punën me zell dhe e me përkushtim.”