Myftiu Tërnava po qëndron për vizitë në Katar Doha, 5 tetor 2015 Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava sot ka nisur një vizitë zyrtare me ftesë të ministrit për vakëfe dhe çështje fetare – Gaith Al Kawari, në kryeqytetin e Katarit, Doha. Në takim me ministrin Al Kawari, Myftiu Tërnava edhe kësaj radhe fillimisht falënderoi qeverinë dhe popullin e Katarit për përkrahjen dhe ndihmën që i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj gjatë dekadave të fundit. Më pas Myftiu e njohu ministrin me historikun, funksionimin, projektet dhe sfidat që ka Bashkësia Islame e Kosovës. Myftiu Tërnava dhe ministri Al Kawari biseduan për mundësinë e financimit të projekteve të BI që kanë të bëjnë me vakëfet dhe projektet që i përkasin rregullimit të infrastrukturës së BIK. Ministri Al-Kawari në fjalën e tij tha se Ministria e Vakëfeve e Katarit në të ardhmen do të rris bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovës. Po sot, myftiu Tërnava u prit edhe nga Haled Al Ganem – drejtor për çështje islame në Ministrinë e Vakëfeve, si dhe nga drejtori ekzekutiv i Shoqatës “Qatar Charity”.