Prishtinë, 31 korrik 2018
Drejtoria për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës organizoi takim me mërgimtarët tanë në ambientet e Medresesë Alaudin. Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava me stafin e tij. Ai përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim-drekë pune dhe u dëshiroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Kosovë. Myftiu Tërnava tha se Kosova i ka shumë borxh mërgatës sonë, sepse ata vazhdimisht kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha proceset që ka kaluar dhe po kalon, ndaj lusim të Madhin Zot që t’u japë shëndet e bereqet. “Bashkësia Islame e Kosovës mbetet edhe më tej e interesuar që t’i mbajë kontaktet me mërgatën tonë dhe që t’u ofrojë ndihmë rreth literaturës, kuadrove dhe aktiviteteve të tjera”, tha Myftiu Tërnava, duke kërkuar nga mërgimtarët tanë që edhe më shumë të japin kontribut në mirëqenien e të gjithëve.
Nga ana e tij, drejtori për Diasporë, mr. Ekrem Simnica, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim-drekë dhe theksoi se drejtoria që ai drejton edhe më do të jetë e përkushtuar ndaj mërgatës sonë.
Në fund përfaqësuesit e mërgatës shprehën falënderimin e tyre për ftesën që ua bëri Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës për këtë takim dhe theksuan nevojën e bashkëpunimit mes Kryesisë dhe mërgatës.
Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendësministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, z. Qerim Bajrami, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se shteti i Kosovës edhe më tutje do të jetë në shërbim të mërgimtarëve tanë dhe do t’i mbështesë kërkesat dhe nevojat e tyre.