Prishtinë, 30 maj 2016
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava priti në një takim nënkryetarin e Komunës së Suharekës, z. Rexhep Kuçin. Në këtë takim myftiu Tërnava e informoi nënkryetarin Kuçi për punën dhe angazhimin që po bën Bashkësia Islame e Kosovës në mirëvajtjen e jetës fetare në territorin e Kosovës. Myftiu po ashtu u ndal edhe në rolin që ka luajtur Bashkësia Islame e Kosovës në ngritjen e institucioneve të shtetit të Kosovës, duke vlerësuar dhe çmuar kontributin e hoxhallarëve dhe institucioneve të BIK-ut në proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon vendi ynë.
Nga ana e tij nënkryetari i Komunës së Suharekës, z. Rexhep Kuçi e falënderoi myftiun Tërnava për pritjen, dhe vlerësoi se ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të mirë me Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Suharekë, dhe këtë frymë të komunikimit dhe të bashkëpunimit do të vazhdohet edhe në të ardhmen.