23 tetor 2015
Në vazhdën e zhvillimit të aktiviteteve fetare në territorin e Republikës së Kosovës, kryeimami Sabri Bajgora me bashkëpunëtorë të premten qëndruan në komunën e Deçanit, për faljen e namazit të xhumasë. Aty u pritën nga kryetari i KBI të Deçanit, Besim ef. Halilaj, i cili edhe u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, si dhe i falënderoi për vizitën në këtë komunë.
Përfaqësuesit nga Kryesia e BIK-ut u shpërndanë në xhami të ndryshme të kësaj komune, për mbajtjen e ligjëratës së xhumasë dhe faljen e namazit, përderisa kryeimami Bajgora qëndroi në xhaminë e re të komunës së Junikut, ku u mirëprit nga imami Esatef Qestaj dhe xhemati i xhamisë.
“Allahu na begatoi me këtë fe dhe na bëri përgjegjës që ta ruajmë dhe ta përcjellim atë te gjeneratat dhe brezat e rinj, në formën më të bukur e më të urtë, ashtu siç e ka zbritur Allahu. Jemi përgjegjës për familjet tona, jemi përgjegjës për edukimin e fëmijëve tanë, t’ua mësojmë atyre se vetë emri Islam ka kuptimin e paqes, dhe si i tillë, i tëri është paqe, mirëkuptim dhe tolerancë. Feja jonë është plot e përplot urtësi e dashuri, prandaj neve nuk na mbetet më tepër vetëm se ta respektojmë fjalën e Allahut dhe të të dërguarit të Tij, që të duhemi në mes vete, të respektojmë njëri-tjetrin, si krijesa të Zotit, pa marrë parasysh bindjet dhe mendimet e ndryshe që mund t’i kemi”, u shpreh kryeimami gjatë ligjëratës së tij.
Gjatë vizitës së Këshillit të BI në Deçan, kryeimami u shoqërua nga Ahmet Sadriu – drejtor për botim në BIK, Rexhep Luma – zv/sekretar, si dhe Fatmir Iljazi – zv/kryeimam.
Pritet që kryeimami Bajgora me ekipin e tij të vizitojë secilën nga komunat e Kosovës, me çrast do të mbajë edhe ligjëratë për ditën e premte.{gallery}junik1015{/gallery}