Prishtinë, 23 prill 2016
Në një ceremoni rasti, më 23 prill 2016, në fshatin Janjevë të Lipjanit u përurua restaurimi i xhamisë “Murat Bej”, ndërtesës shtesë dhe oborrit të xhamisë, projekt ky i financuar dhe ndërtuar nga Organizata Turke për Zhvillim dhe Rindërtim në Kosovë, “TIKA”.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe Myftiu i Republikës, Naim ef. Tërnava, zv.kryeministri i Turqisë, Numan Kurtullmush, ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, përfaqësues nga pushteti qendror dhe ai lokal, KBI e Lipjanit, si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Myftiu Tërnava, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, qytetarëve të saj të krejt nacionaliteteve, falënderoi interesimin që ka populli i Turqisë dhe qeveria turke për ndihmë të vazhdueshme për popullin e Kosovës, në fusha të ndryshme. Tërnava po ashtu njoftoi zv.kryeministrin se ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Ambasadën turke në Prishtinë, dhe po ashtu një bashkëpunim të jashtëzakonshëm më TIKA-n, drejtorin e Vakëfeve, dhe me të gjitha shoqatat qeveritare që janë te ne. Prandaj, Tërnava edhe i falënderoi për prezencën e tyre. “Në sistemin komunist-ateist u rrënuan shumë xhami, shkolla e mejtepe, u nacionalizua me dhunë mbi 90% e pasurisë së vakëfeve që kishte BIK, mirëpo assesi nuk u arrit që nga thellësia e zemrës dhe mendjes së popullit të shlyhet ndjenja për besim në Allahun xh.sh. dhe për vazhdimin e punës sonë edhe më të madhe, sidomos pas luftës në Kosovë, kur popullata e përgjithshme në Kosovë pajiset me ndjenja të pastra të besimit islam. Tash e 400 vjet e kemi lutur Zotin së bashku në këtë xhami, dhe kështu do të vazhdojmë ta lusim Zotin xh.sh., deri në Kiamet. Prandaj, ju falënderoj për këtë bamirësi të madhe që po e bëni në Kosovë, dhe e lus Zotin që t’ju shpërblejë në këtë dhe botën tjetër”, tha pos tjerash myftiu Tërnava.
Zv.kryeministri i Turqisë, Numan Kurtullmush, duke uruar qytetarët e Janjevës për këtë projekt tha se kjo ngjarje na dëshmon për një të kaluar tonën të përbashkët, e cila këtu ka zgjatur përafërsisht 523 vjet, dhe njerëzit këtu jetuan në paqe, lumturi dhe harmoni njëri me tjetrin, e askush nuk e diskriminoi askënd për përkatësinë e tij fetare. Pra, ata jetuan në multikulturalizëm dhe multifetarizëm. Ky restaurim i kësaj xhamie, por edhe xhamive tjera, është një përpjekje për rikthimin e lidhjeve të zemrave tona dhe shpirtrave tanë. Ne kemi qëllim t’ju përkrahim juve dhe t’i restaurojmë dhe rindërtojmë të gjitha xhamitë që janë këtu dhe trashëgiminë kulturore që është këtu, dhe do t’i përkrahim të gjitha komunitetet, varësisht nga nevojave të tyre.[layerslider id=”5″]
Ministri Ferid Agani, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie shumë të mira, dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve është e ndritshme edhe në të ardhmen. “Ndihma e Turqisë dhënë institucioneve të Kosovës nuk ka munguar aspak, sidomos në rindërtimin e pasurisë së tyre kulturore, që në këtë mënyrë të rindërtojmë lidhjet shekullore, kulturore dhe fetare me popullin dhe shtetin modern të Turqisë së sotme. Ju keni ndihmuar të themelohet një vatër edhe më e begatë e diturisë dhe njohurive për fenë islame, dhe një vatër në të cilën do të mund të fuqizohen edhe më tutje vlerat etike dhe morale të qytetarëve të Janjevës”, tha ministri Agani.
Drejtori i TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Juglindore, Mahmut Çevik, tha se TIKA, që nga viti 2004 që gjendet në Kosovë, ka një bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet e qeverisë së Kosovës dhe BIK-un, si dhe ka zhvilluar qindra aktivitete e projekte, e rreth 50 sosh janë për trashëgiminë kulturore, kurse 240 janë projekte të infrastrukturës dhe shëndetësisë. Ne sot e restauruam xhaminë e gjashtë, sipas radhës”, tha Çevik.
Në fjalën e tij kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ndër të tjera tha: “Sot po ia dhurojmë një objekt shumë të bukur infrastrukturës së Janjevës, dhe se ky investim e prezantim i qeverisë turke këtu është dëshmia më e mirë dhe konfirmimi i marrëdhënieve dhe raporteve vëllazërore mes shtetit të Turqisë dhe Kosovës.
Në fund duanë e bëri Myftiu i Republikës, Mr. Naim ef. Tërnava.