Të renditur një më një, të moshuarit e fshatit Bob të Kaçanikut ishin rreshtuar përgjatë oborrit që nga rruga kryesore e deri në derën e hyrjes së xhamisë, ashtu siç e do tradita dhe zakonet shqiptare, për të përshëndetur të gjithë mysafirët që kishin mësyrë këtë shtëpi të Zotit për të dëgjuar lutjen me rastin e përfundimit të leximit të Kuranit nga nxënësit dhe të moshuarit e këtij fshati. Të dëgjoje pleq e të rinj, në këtë ditë të bekuar, si këndonin pjesë nga Kurani dhe ilahi, vërtet të jep një ndjenjë dhe emocion të papërshkueshëm.

Nikoqiri i këtij manifestimi, Fadil ef. Sopa, imam i xhamisë, pasi i përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi ata për pjesëmarrje në këtë ngjarje, ndër të tjera tha: “Ndiehem krenar dhe i privilegjuar që me praninë e tij më nderoi edhe kryeimami Sabri ef. Bajgora me bashkëpunëtorë, që bashkërisht ta kurorëzojmë punën dhe angazhimin tim me këta nxënës, që sot janë ulur dhe renditur para jush”. Ai pasqyroi sipërfaqësisht edhe mënyrën e punës së tij me nxënës, dhe më e veçanta e asaj që tha ishte se grupi i nxënësve të tij përbëhej nga grupmosha të ndryshme, që varionin nga mosha 11 vjeçare, e deri te ajo 64 vjeçare.
Kjo larushi e moshave të nxënësve të bënte të kuptosh se vullneti, guximi dhe forca për të përmirësuar veten dhe për të ecur përpara kërkon punë, durim dhe vendosmëri. Ky varietet vërtet ia shtonte hijeshinë dhe madhështinë këtij tubimi.
Në fjalën e tij, Florim ef. Neziraj – kryetar i Këshillit të BI në Kaçanik, falënderoi kryeimamin Bajgora për pjesëmarrje, shoqëruesit e tij: Fatmir ef. Iljazin dhe Rexhep ef. Lumën, si dhe kryetarin e Këshillit të BI në Han të Elezit, Musa ef. Vilën, dhe ndër të tjera tha: “Sot vërtet ndihem krenar që jam në mesin tuaj, e njëkohësisht e përgëzoj jo vetëm imamin e xhamisë Fadil. Ef. Sopën për kontributin, mundin dhe angazhimin e tij të palodhshëm në edukimin e brezave të rinj, por edhe nxënësit e tij, që me punë dhe durim arritën që sot ta përfundojnë hatmen e Kuranit, për çka bëjnë që edhe ne, si udhëheqës dhe prijës fetarë, të ndihemi mirë dhe të relaksuar. Dashtë Allahu e të ketë bereqet në punën tuaj të mëtutjeshme. Gjithashtu duhet rikujtuar se Pejgamberi a.s., me fjalën e tij ka lavdëruar dhe ka nxitur njëkohësisht mësuesin e Kuranit dhe ata që e mësojnë atë, kur ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve”. Pra, vazhdoni të punoni, vazhdoni të kontribuoni për këtë shoqëri, fe e vatan, ashtu siç ju, banorë të këtij fshati, dini të kontribuoni, siç keni bërë edhe në ditët më të vështira, për të ardhmen e Kosovës. Ju dhuruat më të shtrenjtit tuaj që ne sot së bashku të gëzojmë frytet e lirisë, të frymojmë lirshëm e të praktikojmë besimin në Zot, ashtu siç na ka hije…”, tha kryetari Neziraj.
Si i ftuar i veçantë i këtij tubimi, kryeimami i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Sabri ef. Bajgora, përcolli te të pranishmit përshëndetjet e myftiut Tërnava, dhe të gjithë kolegëve të tij, dhe në fjalën e tij, veç tjerash, tha: “Duhet ta ndiejmë veten të lumtur dhe krenarë në mesin e këtyre nxënësve, që sot po e përfundojnë leximin e fjalës së ndritur të Allahut. Të kësaj fjale të shenjtë e cila zë vend dhe prehet në mendjet, zemrat dhe shpirtrat tanë. Për madhështinë e fjalës së Allahut dhe shpërblimet që u takojnë atyre që e mësojnë dhe punojnë me të flasin shumë versete kuranore dhe porosi profetike të Muhamedit a.s. Thotë Allahu xh.sh.: “Sikur ta kishim zbritur këtë Kuran mbi një kodër, (që për ne kodrat simbolizojnë lartësinë dhe madhështinë), sigurisht që do ta kishe parë atë të përulur e të thërrmuar nga përulësia, nënshtrimi dhe respekti ndaj Allahut xh.sh. dhe nga droja ndaj Tij”. Kjo është fjala e Allahut, në të cilën nuk ka kurrfarë dyshimi, ndërkohë që ky Kuran është dritë, udhëzim, dhe kushtetutë e myslimanëve. Ai që i përmbahet udhëzimeve dhe mësimeve të tij, ai do të jetë prej të shpëtuarve në të dy botët. Pa dyshim se jeni populli më i zgjedhur, që të urdhërojmë për punë të mira dhe të ndalojmë nga të ligat, si dhe ta besojmë Allahun Fuqiplotë. Prandaj, nuk është e rastësishme që me vullnetin e Tij Allahu na u drejtua me fjalën e Tij të parë: “Lexo, Mëso, Studio!”, – që neve të na vetëdijesojë se çfarë përgjegjësie të madhe kemi karshi fjalës së Zotit xh.sh. Pra, me këtë Kuran duhet ta lartësojmë veten tonë, familjen, shoqërinë tonë, si dhe atdheun ku jetojmë. Ne ishim ata që derisa në zemrat, shpirtrat dhe mendjet tona kishim fjalën e Zotit dhe praktikimin e porosive të Tij, ishim prijatarë të të gjitha lëmenjve e profileve të ndryshme në mbarë rruzullin tokësor, ndërkohë që derisa po i njëjti libër u zvetënua, duke e radhitur në raftet tona krahas librave të tjerë, sa për të hijeshuar hapësirat e banimeve tona, atëherë umeti mysliman ra në sprovë të madhe dhe me mjaft vështirësi po këndellet. Prandaj, ju bëj thirrje dhe apel që përsëri t’i qasemi Kuranit, të thellohemi në të, të lexojmë, kuptojmë e punojmë me porositë e Famëlartit. Ky është sistem i jetës, që brenda vetes përmban çdo gjë që i nevojitet njeriut gjatë rrugëtimit të tij të shkurtër në këtë botë. Po këtë Kuran Allahu na e bëftë mburojë nga zjarri i Xhehenemit dhe dënimit të Tij. Le të vazhdojmë, ju dhe ne, që t’i edukojmë familjet dhe fëmijët tanë me edukatën islame, me fjalën e të Madhit Zot, derisa ata ta shijojnë ëmbëlsinë e vërtetë të fesë sonë të pastër – Islamit, që edhe ata ta kultivojnë atë te gjeneratat që vijnë pas tyre, ashtu siç ka zbritur – Islam i pastër që kultivon paqe, respekt dhe dashuri ndaj Zotit dhe ndaj çdo krijese të Tij. Allahu ju dhuroftë shëndet, lumturi, mirësi e begati, mëshirë e kënaqësi familjare! Në fund, edhe njëherë e përgëzoj imamin e nderuar Fadil ef. Sopën për punën e Tij të palodhshme, ashtu siç i përgëzoj edhe të gjithë nxënësit që janë ulur para tij, për të përfunduar leximin e Kuranit famëlartë, pa marrë parasysh moshat e tyre. Urime dhe suksese!”, tha kryemami Sabri ef. Bajgora.
Përveç certifikatave që u shpërndanë për nxënësit e kësaj xhamie, duasë së hatmes që e lexoi imami Ali ef. Shehu, dhe pjesëve të Kuranit që u lexuan nga nxënësit dhe imamët Bujar ef. Dervishi dhe Menduh ef. Rexha, nikoqiri kishte përgatitur edhe një koktej rasti për të gjithë të pranishmit. [layerslider id=”6″]

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…