Nga Besim Abazi

Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, i tha Zërit të Amerikës se e mbështetë çdo veprim kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, që nuk kanë asgjë të përbashkët as me islamin e as me kombin shqiptar

 

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, i tha Zërit të Amerikës se e mbështetë operacionin e policisë për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në luftërat në Siri e Irak. Ai tha se terrorizimi dhe ekstremizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin fetar islam dhe se Bashkësia Islame e Kosovës do të bëjë gjithë çfarë është e mundur edhe në bashkëpunim me bashkësitë tjera fetare që të ruhet toleranca ndërmjet besimeve të ndryshme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai bëri thirrje besimtarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet për të luftuar çdo kërcënim ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Tërnava, këtë javë filloi një operacion në shkallë të gjerë drejtuar kundër personave të përfshirë në luftërat në Siri dhe Irak dhe sot ka pasur të arrestuar edhe në mesin e imamëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Si e shihni këtë operacion?

Naim Tërnava: Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës ka vite që ka qenë e shqetësuar për këso lloj aktivitetesh, të cilat ne i kemi gjykuar qysh herët se shkojnë në dëm të vendit, në dëm të bashkëjetesës, në dëm të tolerancës dhe vendit, në dëm të përsiatjeve tona shekullore të përbashkëta që të arrijmë tek qëllimi final. Po sigurisht që për këtë operacion të marrë nga institucionet e vendit, nga policia e Kosovës, BIK ka dalë edhe me deklaratë për opinion, që ka përkrahë dhe përkrah çdo operacion që ka të bëjë me sigurinë e vendit, ngase Kosova, populli i Kosovës nuk guxon asnjëherë të tolerojë askënd, pavarësisht se kush është ai, i cili synon destabilizimin e vendit dhe i cili synon që në mesin e popullit tonë të mbjellë farën e urrejtjes dhe të ndasisë. Po, janë marrë 40 persona, janë arrestuar dhe janë tash në procedura të mëtutjeshme për t’u vërtetuar fajësia apo pafajësia e tyre, që është punë të cilën e kryen gjykata dhe sigurisht që ata do ta japin edhe fjalën e fundit në lidhje me këta të dyshuar për nxitje të urrejtjes dhe për një rrezik për terrorizëm apo për një ekstremizëm të mundshëm fetar. Sigurisht që ne e presim fjalën e gjykatës se çfarë do të vendosë në lidhje me këta. 

Zëri i Amerikës: Nisur nga rasti i sotëm dhe siç kanë paralajmëruar autoritetet, hetimet përfshijnë edhe imamë që kanë nxitur radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve që kanë shkuar në lindjen e mesme. Cilat janë informacionet tuaja? Sa është i madh numri i imamëve të tillë?

Naim Tërnava: BIK është përgjegjëse direkte për nëpunësit e saj të cilët janë të shpërndarë në të gjitha pjesët e Kosovës dhe janë imam aktiv nëpër xhamitë e Kosovës. Rasti që ka ndodhur mbrëmë dhe ku është arrestuar një imam i vetëquajtur, në një xhami në Gjilan, e them kështu ngase ai nuk është imam i cili ka vendim nga BIK-u, absolutisht. Por, megjithatë, ne jemi përgjegjës për aktivitetet që i bëjnë imamët brenda xhamisë. Derisa për aktivitetet e mundshme bëjnë jashtë xhamisë, çfarë ata punojnë pas orarit të punës dhe ku ata gjenden e çfarë veprojnë, ajo është punë të cilën duhet ta kryejnë institucionet e vendit, që sigurisht ata e dinë më mirë se ne se sa janë apo sa mund të jenë ata individë, qofshin imamë, qofshin qytetarë të rëndomtë, kushdo qoftë ai. Sepse, sigurisht që askush, siç po themi së paku, edhe pse nuk po ndodhë, por po themi se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Se asgjë nuk ka në Kosovë më të rëndësishme sesa siguria dhe asgjë nuk mund të dalë përtej interesave kombëtare, nacionale të kombit tonë, ngase për këtë siguri, për këtë tolerancë dhe për këtë mirëqenie të popullit tonë është derdhur gjak shekuj me radhë dhe sigurisht e kemi të freskët edhe luftën e fundit sesa dëshmorë kanë shkuar që ne të jemi këtu ku jemi, të jemi një shtet i pavarur, sigurisht që më dëshira edhe më të mëdha që të anëtarësohemi edhe në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë dhe në BE.

Zëri i Amerikës: Myftiu Tërnava, në rastet kur dyshohet apo vërtetohet se imamë të caktuar mund të jenë të përfshirë në veprimtari nxitëse, cilat janë masat që merr Bashkësia Islame?

Naim Tërnava: BIK deri tash ka marrë disa masa kundër disa imamëve. Mirëpo, mund t’u them edhe njëherë se institucionet e vendit kanë bërë shumë pak në raport me Bashkësinë Islame, ngase ne tash e 15 vjet pas luftës ende nuk e kemi të qartë pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë, në veçanti të BIK-ut. Ende punojmë pa një mbështetje të pozitës sonë, pa qartësimin e pozitës sonë juridike, gjë që neve na e ka vështirësuar dhe po na e vështirëson punët në të ardhmen. Vërtetë, tashmë kur edhe ndodhën këto arrestime, unë edhe njëherë dua të deklarohem se po kërkohet nga BIK-u të flasë kur i është mbyllur goja, po kërkohet nga BIK-u të ecë kur i janë lidhur dy këmbët në mungesë të qartësimit të pozitës juridike që Bashkësia Islame të ketë mundësi që të operojë edhe brenda saj me punëtorët e saj, kudo që ata gjenden. Qofshin ata nëpër xhami, qofshin nëpër këshilla të bashkësive islame, qofshin nëpër institucione të tjera të BIK-ut. Ne kemi rastin kur kemi suspenduar imamë nga gjashtë muaj, kemi rastin kur kemi larguar imamë tërësisht nga xhamia. Mirëpo kemi tepër vështirësi të mëdha, sepse neve na mungon ekzekutivi në mungesë të ligjit për bashkësitë fetare. Në kemi masa të ndryshme ndëshkuese bazuar në kushtetutën e BIK-ut, pastaj edhe në ligjet dhe rregulloret të cilat janë brenda për brenda BIK-ut. Dhe unë edhe njëherë deklaroj dhe kërkoj edhe nga xhemati edhe nga opinioni i gjerë, që aty ku hetohet se dikush vepron apo nxitë diçka kundër interesit nacional, ata të jenë të hapur, ta thonë atë dhe të jenë shumë bashkëpunues edhe me institucionet tjera të vendit, gjë që të keqen ta largojmë nga vetja jonë. Ngase, nëse atë e lëmë që ajo të mbillet në trupin e shëndoshë, ajo do të ndikojë që vërtetë ta dëmtojë edhe trupin e shëndoshë të kombit tonë dhe të vendit tonë. Unë po shprehem edhe sot, si myfti i Republikës tash e dhjetë vjet në vazhdimësi, e dini edhe ju si gazetar, kam kërkuar në vazhdimësi nga institucionet e vendit që të jenë të kujdesshëm në hyrjet dhe daljet e njerëzve të cilët kanë pasur dhe kanë për qëllim mbjelljen e urrejtjes dhe nxitjen për vepra të liga e të këqija të xhematit tonë, në veçanti të një pjesë të të rinjve të Kosovës. Dhe sigurisht që në këtë drejtim është punuar, por jo edhe sa duhet dhe se bashkërisht mungon edhe një koordinim i bollshëm mes BIK-ut dhe atyre organeve tona që janë kompetente në luftimin e këtij problemi, i këtij fenomeni, ta quaj kushtimisht, i cili  nuk është vetëm në Kosovë por është një fenomen tashmë mund ta quajmë global që e gjejmë kudo nëpër botë dhe i cili ka qëllime jo të mira në raport me vetë fenë. Ekstremizmi dhe terrorizmi së pari janë kundër vet islamit, janë kundër fesë islame, janë kundër frymës islame, ngase islami është një fe e cila prodhon vetëm paqe, lumturi, harmoni në mesin e njerëzve dhe nxitë në bashkëpunim njëri me tjetrin.   

Zëri i Amerikës: Gjatë operacionit të së hënës policia mbylli edhe një xhami që u cilësua si e paligjshme dhe jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame. Sa objekte të tilla sipas informacioneve tuaja, veprojnë në Kosovë?

Naim Tërnava: Së pari kjo nuk ka qenë xhami. Është mese e nevojshme që ta kuptojë opinioni i gjerë. Ajo asnjëherë nuk ka qenë xhami. Ajo ka qenë një vend faljeje ku disa individë e kanë marrë me qira nga dikush që nuk e di se kush është ai, nuk e di pronë e kujt është ajo, por aty ka vite, nja pesë-gjashtë vite që aty kanë filluar në vazhdimësi që njerëzit të falin pesë kohë të namazit, ne veçanti gjatë muajit të Ramazanit të jetë shumë aktive. Thënë të drejtën unë në atë xhami, po e quaj tash kushtimisht, në atë vend falje nuk kam hyrë asnjëherë. Mirëpo, e kam parë se është jashtë juridiksionit të BIK-ut dhe kjo na ka shtyrë neve, sepse ne e kemi vendimin nga qeveria e Kosovës se asnjë xhami nuk mund të funksionojë jashtë juridiksionit, jashtë ombrellës së BIK-ut.

Zëri i Amerikës: E megjithatë ka të tilla.

Naim Tërnava: Po, po e përmendi tash, pse kjo është lejuar kaq vite që të funksionojë kështu, këtë e dinë më miri organet tona kompetente, të cilët janë të thirrur dhe janë përgjegjës për atë. Në si BIK në vazhdimësi kemi tërhequr vërejtjen për këtë aktivitet jashtë BIK-ut në Kosovë. Mund të them se në Kosovë të gjitha xhamitë janë nën ombrellën e BIK-ut. Por, po ndodhin disa, kohëve të fundit po e shohim se ka, p.sh. një lagje fillon ta ndërtojë një xhami, paraprakisht e merr imamin dhe për ne është tepër e vështirë pastaj ta lëvizim atë imam prej asaj xhamie, sepse në mungesë të mbështetjes edhe me buxhet të BIK-ut, ne po jemi të detyruar shpeshherë, sepse ne nuk kemi mundësi t’u japim pagë mujore atyre dhe kjo pa krijojnë më tepër vështirësi të mëdha. Në Kosovë, nuk kemi xhami të tjera, që janë jashtë juridiksionit të BIK-ut. Mund të ketë edhe një vendfalje në një vend tjetër e cila gati i përngjanë kësaj të ashtuquajtur xhami e cila tashmë është mbyllur këtu në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Zhvillimet e fundit në Kosovë a mund të dëmtojnë atë që është quajtur për një kohë si një prej pasurive të mëdha të Kosovës – tolerancës fetare?

Naim Tërnava: Jo a mund ta dëmtojnë, por atë e kanë dëmtuar. Por, BIK-u ka gjetur në vazhdimësi, gjen dhe do të gjejë forcë, motiv në bashkëpunim edhe me bashkësitë e tjera fetare në Kosovë që ta tejkalojmë edhe këtë situatë dhe në veçanti qofshin ata imamë, qofshin nëpunës të BIK-ut, kushdo qofshin ata, të njëmendësohen që mbi interesin nacional, mbi interesin e Kosovës, nuk ka asgjë. Këtë e kamë thënë në vazhdimësi, po e ritheksoj edhe njëherë. Edhe gjatë Ramazanit e kam thënë se kjo është një “vijë e kuqe” si po e quajmë ne: sigurinë kombëtare sigurinë nacionale nuk guxon ta prekë askush. Qoftë ai myfti, qoftë kryetar vendi, qoftë kryeministër, qoftë qytetar i thjeshtë. Ajo është e shenjtë dhe aty nuk guxon kush ta prekë atë. Dhe nuk guxon askush asnjëherë që të jetë i paprekshëm në këtë drejtim kushdo qoftë ai, kushdo qoftë ai. Mirëpo, gjithherë me fakte, gjithherë duke  vërtetuar, jo vetëm duke akuzuar njerëz pa fakte është fjala, kushdo qofshin. Kur faktohet, atëherë meriton edhe dënimin për veprën të cilën e ka bërë, sepse nuk guxojmë ne asnjëherë që të punojmë për interesa të grupeve, të klaneve, për interesa të grupeve të ndryshme që mund të na vijnë edhe nga shtete nga jashtë, siç po e shohim tash, ku ne kemi një numër të të rinjve tanë që fatkeqësisht edhe sot gjenden në Irak dhe në Siri. Ne që nga viti 2012 kemi ngritur zërin për mos shkuarje atje. Disave të cilët tash kanë filluar të flasin kohëve të fundit, janë bërë shumë, po them, kanë ngritur zërin shumë të madh në lidhje me këtë problematikë, mirëpo ne kaherë kemi qenë vizionar, pra prej viti 2012, e kemi parë se shkuarja atje nuk ka të bëjë asgjë me fenë. Dhe ne kemi qenë kundër dhe jemi kundër shkuarjes atje dhe marrjes pjesë edhe ne Irak të të ashtuquajturit një ISIS apo një lloj kalifati të rremë i cili absolutisht nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, nuk ka të bëjë asgjë me realitetin islam, nuk ka të bëjë asgjë me parimet, konditat, themelet që i ka Islami, pra me Kuranin dhe Hadithin. BIK në vazhdimësi ka qenë kundër kësaj është kundër saj dhe do të jetë kundër kësaj. Mirëpo, në anën tjetër, kisha thënë edhe njëherë se kjo situatë, e cila veç është në Kosovë, të mos shfrytëzohet që të atakohet, që të, po e shpreh kështu më shkurt, që të shahet dhe të fyhet BIK-u dhe të mos i vishen BIK-ut përgjegjësitë që ajo nuk i ka. Se ne nuk kemi përgjegjësi për qytetarë e Kosovës se çfarë veprojnë ata nëpër vende të ndryshme ku ata gjenden apo nëpër shtëpitë e tyre. Ato janë punë të shtetit. Elhamdurial prej Zotit, e kemi shtetin. Dhe unë e ftoj shtetin edhe njëherë, institucionet e shtetit, që vërtetë me fakte, nëse veç ka fakte të mos hezitojë, qoftë ai edhe Naim Tërnava, qoftë ai edhe myftiu i Kosovës, kushdo qoftë ai, të dalë e të thotë: zotëri, këtë e ke bërë. Por, jo vetëm t’i teket dikujt, me marrë dikë dhe me fye personalitete pa asnjë të drejtë siç po ndodhë çdo ditë tashmë nëpër portale të ndryshme sociale, nëpër gazeta të përditshme dhe nëpër, po e them gjithherë, nëpër disa, jo të gjitha, disa mediume të shkruara apo elektronike. Duhet pasur kujdes në personalitete, duhet pasur kujdes ne vetë fenë, ngase ekstremizmi është i rrezikshëm, sepse nuk ka vetëm ekstremizëm fetar, ke ekstremizëm ekonomik, politik, kulturor e të natyrave të ndryshme. Andaj të mos riprodhojmë ekstremizëm në fusha të tjera. Dhe të mos e shohim “privilegj” të disa njerëzve që vetes po i japin aq të drejtë që të gjuajnë dhe të mundohen ta njollosin BIK-un tamam si në sistemin komunist-ateist që ka qenë në Kosovë. Por, BIK do të dijë t’i kapërcejë edhe këto, sepse mbi interesin nacional, mbi interesin kombëtar, mbi interesin e vendit, të atdheut, bashkësia islame nuk ka pasur, nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë asgjë.

Zëri i Amerikës:  Shqetësimet për dëmtimin e tolerancës fetare i ka ngritur edhe departamenti amerikan i shtetit mbi liritë fetare në botë. Aty është përmendur edhe emri juaj. Si e vlerësoni raportin?

Naim Tërnava: Unë mirëpres, si gjithherë raportet që vijnë nga State departamenti amerikan. Kuptohet që vijnë nga një vend mik i Kosovës. Nga një vend i cili ka qëndruar gjithherë krah kombit shqiptar, ne veçanti Kosovës gjatë luftës së fundit, por edhe pas luftës së fundit. Kosova ka një miqësi, ta quaj kushtimisht, të veçantë me SHBA-të. Sigurisht që aty nuk ka përcaktuar asgjë raporti. Aty janë ngritur ca dyshime për disa imam, që BIK-u i ka mirëpritur, i ka marrë, i ka shtjelluar, është biseduar për ata, kemi nisur edhe ne të shohim se fare ka dhe çfarë mund të ketë me ata emra që janë përmendur. Ne jemi duke u marrë me atë problematikë. Derisa, sa i përket anës që po e potenconi emrin tim, ngase unë nuk i ikë, pavarësisht se kush e përmend emrin tim, unë jam një myfti i zgjedhur nga myslimanët e Kosovës dhe unë e ndjej veten mire jashtëzakonisht ngase unë e kam pasur përkrahjen e 99 për qind të atyre që më kanë zgjedhur. Dhe edhe njëherë deklarohem se i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pro zgjedhjes sime, kanë qenë zgjedhje shumë demokratike, kanë qene zgjedhje ku prej 30 këshillave që ka BIK-u, 29 më kanë propozuar mua që unë të jem kryetar i BIK-ut. Dhe kjo ka shkuar në mënyrën më demokratike të mundshme. Unë nuk kam fituar me 51 për qind, por kam fituar me 99 për qind.   /zeriamerikes.com/

Shfaq më shumë në Intervista

Shfleto

“Misioni ynë është që sa më mirë dhe sa më drejt ta shpjegojmë fjalën e të Madhit Zot”

Intervistë ekskluzive për revistën “Dituria Islame”me Myftiun e Bashkësisë Isl…