Naim Tërnava
Myftiu i Kosovës
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani
I nderuari kryetar i KMSH-së, z. Skënder Bruçaj
I nderuari, udhëheqës i Komunitetit Bektashian në Shqipëri, Baba Mondi
Të nderuar Përfaqësues të Komuniteteve Fetare në Shqipëri,
I nderuar Kryetar i Komitetit të Kulteve, z. Hoxholli,
Të nderuar studiues, miq, të ftuar, zonja e zotërinj!
Më lejoni që në fillim të përshëndes organizatorin, Kryegjyshatën Botërore të Bektashive, për organizimin e kësaj Konference, e cila ka për temë vënien në pah të kontributit të Komunitetit Bektashian në sendërtimin e dialogut ndërfetar në Ballkan.
Të nderuar të pranishëm,
Komunitetet fetare te ne kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë gjithë historisë së populli tonë. S’ka dyshim se feja është një ndër faktorët kryesor në zhvillimin e shoqërisë, në edukimin dhe në fisnikërimin e saj, pa harruar këtu rolin primar të saj njohjen me urdhrat dhe mësimet e Zotit xh.sh.
Fetë ndër shqiptarët gjithashtu, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, kanë ushtruar gjithnjë ndikim të rëndësishëm në ecurinë e zhvillimeve historike, shoqërore, ekonomike, politike kulturore, etj.
Tashmë është e njohur botërisht se komunitetet fetare të shqiptarëve shquhen për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit, që është një ndër vlerat më të mira të populli tonë.
Për këtë vlerë dhe për këto virtyte, s’ka dyshim se më meritorët janë prijësit fetar të komuniteteve tona, të cilët me një vetëdije të larët, me përgjegjësi e përkushtim, gjatë gjithë historisë, u shpjeguan besimtarëve të tyre mësimet fetare në mënyrë të saktë dhe i orientuan drejtë dhe mirë.
Nëse i kthehemi historisë dhe shikojmë kontributin e komuniteteve fetare tek shqiptarët për kultivimin e paqes, dialogut, tolerancës e mirëkuptimit, pa dyshim do të shohim se ai kontribut ka qenë shumë domethënës dhe vendimtarë në shumë ngjarje e rrjedha të historisë sonë.
Prijësit tonë fetarë një rëndësi të veçantë i kushtuan edhe sendërtimit të paqes, dashurisë e respektit për njëri-tjetrin. Ata u shquan dhe dhanë një kontribut të çmuar edhe në rrugën tonë të gjatë e të mundimshme, plot vështirësi e sakrifica, drejt kombformimit dhe shtetndërtimit, duke qenë jo vetëm përkrahës, por edhe duke u prirë proceseve dhe ngjarjeve më të rëndësishme nëpër të cilat u gjet populli dhe vendi ynë.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë rrugëtim, s’do mend, se ka dhënë edhe Komuniteti Bektashian me prijësit e tyre në krye, përse edhe kanë vendin e tyre të çmuar në histori dhe meritojnë respektin, nderin dhe vëmendjen tonë.
Nuk është e tepërt të përmendet këtu edhe roli dhe kontributi që kanë luajtur institucionet fetare të komunitetit bektashian, siç janë teqetë e zavijet, në kultivimin e gjuhës, në ruajtën e kulturës dhe traditës tonë kombëtare e fetare.
Komuniteti Bektashian, së bashku me komunitetet tjera fetare kanë qenë dhe mbeten shembuj më të mirë se si duhet mbjellë e rritur tek pjesëtarët e vet ndjenja dhe nevoja për besimin në Zot dhe për atdhedashuri.
Të nderuar të pranishëm,
Toleranca fetare tek shqiptarët nuk është proces i zhvilluar në kohëra moderne dhe as i formuar me arsim dhe shkollë. Ajo është një vlerë që vjen nga thellësia e shekujve.
Prania dhe bashkekzistenca e komuniteteve fetare ndër shqiptarët ka bërë që toleranca ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu, si mjet dhe faktor, që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën tonë si komb, megjithëse shqiptarët kurrë nuk e kanë ndarë përkushtimin fetar nga interesi kombëtar.
Edhe konferenca e sotme dhe prania e përfaqësuesve dhe prijësve të komuniteteve fetare shqiptare dëshmon katërçipërisht për përkushtimin e tyre për sendërtimin e paqes, mirëbesimit, tolerancës, mirëkuptimit, dashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin.
Prandaj, më lejoni që edhe një herë të përgëzoj dhe të uroj organizatorin për këtë konferencë me një qëllim dhe moto kaq domethënëse, duke qenë të bindur se studiuesit me kontributet e tyre do të ndriçojnë aspekte dhe fakte të reja dhe do të venë në pah rolin që ka luajtur komuniteti bektashian në këtë drejtim.
Duke ju dëshiruar punë të mbarë, ju përshëndes me selame e respekt!
{gallery}smpzbktsh{/gallery}
———————————————————————————————-
* Fjala e Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava, në hapje të simpoziumin ndërkombëtar “Roli i bektashizmit në sendërtimin e dialogut ndërfetar në Ballkan”, të organizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë më 24 mars 2014.