Ligjërata e Myftiut të Kosovës mbajtur në xhaminë Mehmed Fatih më
28.06.2023 me rastin e festes së Kurban Bajramit

Falënderimet dhe lutjet e përgjithshme ia drejtojmë vetëm Zotit xh.sh., përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin a.s., të dërguarin e fundit zotërinë e mbarë njerëzimit.

Të nderuar e shumë të respektuar besimtarë

Haxhi është farz-obligim fetar Islam, për atë që ka mundësi ta kryej. Zoti xh.sh., thotë:

“Vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim, për ata që kanë mundësi udhëtimi te ajo” (Ali Imran 97)

Haxhi është njëra nga pesë shtyllat e fesë sonë Islame. Ndaj edhe nisur nga ky parim sot në vendet e shenjta kemi edhe 1600 vëllezër e motra nga Kosova të cilët iu janë bashkangjitur miliona haxhilerëve tjerë nga e mbarë bota në lutjet e adhurimet e tyre drejtuar Krijuesit të kësaj gjithësie. Edhe dje në Arafat edhe sot në Mina me lutje të vazhdueshme drejtuar Zotit xh.sh., për falje e mëshirë, përmirësim të gjendjes së shoqërisë njerëzore anë e këndë globit, duke u lutur për një të ardhme sa më të mirë të të gjithë njerëzve pa dallim.

Me kryerjen e haxhit kuptojmë: Arritjen e kënaqësisë për Zotin xh.sh., faljen e mëkateve, shpërblim të veçantë për ata që falin namazin në Qabenë e bekuar, shpërblim për tavaf, për sajin dhe ibadetet- adhurimet tjera. Kryerja e haxhit përmban në vete urtësi e begati të shumta, udhëtimi për në haxh përkujton udhëtimin për tek Zoti xh.sh., duke pasur për qëllim që haxhiu të kthehet i falur nga mëkatet, i shoqëruar gjithherë me vepra të mira të cilat qojnë në vazhdimësi individin, familjen dhe shoqërinë nga një e ardhme e sigurt për të mirën e të gjithëve, duke siguruar për të gjithë , siguri, drejtësi, harmoni, sinqeritet, tolerancë, solidaritet, bashkëpunim dhe mirëkuptim mes njerëzve.

I Madhi Zot xh.sh., na tregoi se shtëpia -xhamia e parë e ndërtuar për njerëzit për të adhuruar Zotin xh.sh., është Qabeja. Zoti xh.sh., thotë:

“Shtëpia-Xhamia e parë e ndërtuar për njerëz është ajo që u ngrit në Bekë(Meka)e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin, Aty ka shenja të qarta, vend i Ibrahimit, dhe kush hynë në te ai është i sigurt.” (AliImran 96-97)

Të nderuar vëllezër e motra

Islami dy festat kryesore i ka lidhur edhe me detyrime materiale, të parën me sadakatul fitrin e tjetrën me prerjen e Kurbanit, e kjo është dëshmi se kjo festë është edhe shoqërore, andaj përkushtimi për shoqërinë mbetet jetik për fenë Islame, që askush të mos ndihet i privuar nga të mirat e këtyre festave si nga ana shpirtërore po ashtu edhe nga ajo materiale. Duhet ruajtur vëllazërinë, harmoninë, respektin e dashurinë mes vete dhe bashkërisht të përjetojmë gëzimin që sjellin festat tona. Të vazhdojmë e t’i qëndrojmë pran njëri tjetrit, nëse dëshirojmë që ndihma e Zotit të jetë në anën tonë. O, Besimtarë , vlera e këtyre ditëve është e madhe, prej tyre dallojnë Dita e djeshme e Arafatit dhe ajo e sotit Dita e Bajramit, dhe lutja më e mirë drejtuar Zotit xh.sh., në këto ditë është:

“Nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut Një, Ai nuk ka ortak”.

Haxhi bartë në vete edhe ndjenjën e barazisë mes njerëzve , nga të gjitha anët e botës , pa dallim ngjyre race pozite e pasurie. Në Arafat që të gjithë ndihen të barabartë, e kjo është një dëshmi e madhe ku tregon unitetin e vendosur në besim ndjenja dhe ritual. Zoti xh.sh thotë:

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete” (El-Huxhuratë-13)

Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit besimtarët anë e këndë botës therin edhe kurban, qëllimi i prerjes së kurbanit është afrimi edhe më i madh te Zoti xh.sh., duke e rikujtuar dhe përmendur në vazhdimësi emrin e Allahut xh.sh. Zoti xh.sh., thotë:

“Ne vërtetë të dhamë ty shumë të mira , Andaj t’i falu dhe prej kurban për hir të Zotit tendë”. (El-Kevther-1-2)

Prerja e kurbanit sikur na ringjall, na rikujton në vazhdimësi ndodhinë shumë domethënëse të Ibrahimit a.s., me birin e tij Ismailin, i cili ishte gati të flijojë edhe birin e tij të vetëm për Zotin xh.sh., por mëshira e Zotit ishte që atë gatishmëri dhe atë sakrificë ta zëvendësoj me një kurban, ku Zoti thotë:

“Dhe Ne e zëvendësuam atë me kurban të madh” (Safat-107)

Të nderuar motra e vëllezër, të nderuar besimtarë

Duhet ta dimë se stabilitetin dhe funksionalitetin e një shoqërie më së shumti e kërcënojnë veprat e këqija dhe dhuna me të gjitha llojet e tyre. Ndër veprat e këqija që më së shumti e kërcënojnë familjen janë. Tradhtia bashkëshortore, përdorimi i alkoolit, bixhozi, përdorimi substancave narkotike etj., pothuajse këto nuk ndahen nga njëra tjetra. Fatkeqësisht për këto të liga është krijuar edhe sektor i posaçëm i përfitimit material, një industri e veçantë për përfitim të pandershëm.

Elementi tjetër që më së shumti kërcënon familjen është edhe dhuna brenda familjare, e cila marrë në përgjithësi edhe vërehet shumë pak, ajo në të shumtën e rasteve mbetet e fshehtë e padukshme, e strukur në harresë, e si e tillë mbetet edhe e padënueshme, ngase tek ne fatkeqësisht mbretëron mendësia se kjo është pjesë e jetës private. Dhuna asnjëherë nuk është mjet i zgjidhjeve të problemeve por është ushtrim i presionit dhe shtypjes së tjetrit. Derisa shkaqet janë të shumta dhe nga më të ndryshmet dhe ato duhet të kërkohen nga edukata në familje si celulë themelore deri te niveli më i lartë i organizimit institucional të shoqërisë.

Degradimi i familjes në masë të madhe ka shkaktuar kriza, janë shtuar divorcet, janë pakësuar lindjet, kemi shumë fëmijë të braktisur, shumë nëna kanë mbetur kryefamiljare, kemi shumë familje në varfëri, fëmijë pa përkujdesje të bollshme, fëmijë që braktisin shkollën, të rijnë që qëndrojnë në rrugë, konsumojnë drogë, alkool, merren me prostitucion. Nga familjet e shthurura shumë pleq edhe mbeten të vetmuar e pa kujdesin minimal të fëmijëve të tyre. Zoti xh.sh. thotë:

“Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. (Tahrim -6)

Të gjitha llojet e dhunës janë në kundërshtim me parimet e drejta të fesë sonë Islame, më e rrezikshmja është ajo brenda familjes, ngase ajo dhunë nuk është kërcenim vetëm për individ, por për mbarë shoqërinë, ngase ajo lëkund themelet e mbarë shoqërisë, duke shkaktuar plagë fizike por edhe shpirtërore, psikike të cilat me vështirësi edhe mund të riparohen.

Muhamedi a.s. thotë:

“Unë ia kam ndaluar Vetvetes padrejtësinë dhe zullumin, këtë ua ndaloj edhe juve, prandaj mos i bëni padrejtësi njeri tjetrit”. (Muslimi)

Problem tjetër shumë i madh është largimi i një pjese të popullatës prej vendeve tona, si nga Shqipëria, Maqedonia, Mal i Zi, Lugina, Medvegja, Kosova e kudo.

Shqetësim tjetër shumë i madh për neve duhet të jetë edhe asimilimi i shqiptarëve para syve tan brenda trojeve tona, dhe ne sillemi sikur nuk po ndodh asgjë, ata (pra vëllezërit dhe motrat tona) po harrojnë gjuhën shqipe., po harrojnë, traditën adetet e zakonet që e kanë mbajtur gjithherë të freskët shpirtin e shqiptarit, duke zëvendësuar këtë gjuhë kaq të bukur e kaq të dëlirë me gjuhë tjera të huaja, dhe identitet tjetër. Institucionet tona duhet të merren me këtë problematikë sa më shpejt dhe shumë seriozisht me masa të parandalimit të kësaj tashmë dukurie.

Çështja tjetër e ngutshme me të cilën duhet të merren të gjitha institucionet e vendit, a në veçanti qeveria e Kosovës është edhe ndikimi te të rinjtë në veçanti që të mos largohen në këtë numër kaq të madh nga trojet tona. Si qeveri por edhe si shoqëri duhet bërë edhe më shumë që të rinjtë tanë të kenë mundësi të sigurojnë ardhmëri të sigurt për veten dhe familjet e tyre në atdheun e tyre, të krijohen mundësi e kushte ekonomike për të qëndruar në atdheun tonë, në këtë nen qiell kaq të bukur ku na fali i Madhi Zot.

Vëllezër e motra

Gjendja e përgjithshme e sigurisë në vendin tonë nuk është e qëndrueshme sa dhe si duhet, ne veri të vendit tash e sa muaj kemi tensionim të gjendjes. Qeveria por edhe të gjitha institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare duhet të kontribuojnë edhe më shumë me të gjitha mundësit e tyre në shtensionimin e situatës dhe uljen e tensioneve. Të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut e larg nga përdorimi i mundshëm i dhunës. Vlerësojmë punën e institucioneve tona, të bashkësisë ndërkombëtare për kontributin e dhënë në shtensionimin e situatës, dhe vendosjen e rendit dhe sigurisë. Kosova ka kufijtë e vet, ka sovranitetin e vet, ka kushtetutën të cilën duhet respektuar në çdo rrethanë për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve të kombit dhe amanetin e popullit për besimin e dhënë të zgjedhurve të tyre.

Lutemi në këtë ditë feste që në Kosovë të mbretëroj paqja, harmonia, bashkëjetesa, toleranca, siguria, respekti dhe qetësia.

Zoti e ruajt vatanin tonë!

Prishtinë, 28 qershor 2023

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

ANGAZHIMI FAMILJAR DHE KOLEKTIV PËR LUFTIMIN E DHUNËSN DAJ FEMRËS

Të nderuar vëllezër besimtarë!Brenda më pak se një jave u shënuan dy vrasje të grave nga b…