Prishtinë, 17 korrik 2015
Të nderuar besimtarë,
Vëllezër e motra,
Sot është ditë feste. Sot feston bota mbarë. Feston pasi që besimtarët kanë përfunduar agjërimin e muajit Ramazan, muajit në të cilin I Madhi Zot xh.sh. e zbriti Kuranin, libër udhërrëfyes, dhe udhëzues për mbarë njerëzimin. Falënderojmë Krijuesin e këtij Universi që na dha mundësinë ta përjetojmë këtë muaj, nën hijen e vazhdueshme të Kuranit, mëshirës, urtësisë e begative të shumta që ky muaj solli për besimtarët.
Kaluam një muaj në adhurim të përhershëm ndaj Krijuesit, me qëllim përfitimi të kënaqësisë së Tij, dhe shpërblimeve të shumta, të cilat vijnë si rezultat i angazhimit tonë pozitiv gjatë këtij muaji të Mëshirës.
S’ka dyshim se agjërimi na e forcoi edhe më tepër bindjen tonë në Allahun Një, dhe në dashurinë e madhe ndaj njeriut më të dashur të Allahut xh.sh., pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s.
Duke e ditur se Allahu xh.sh është Krijuesi i njeriut dhe përcaktuesi i çështjes së tij, detyra e parë e njeriut në këtë mision mbi tokë është njohja mirë e Zotit të tij, ashtu siç meriton të njihet dhe të adhurohet Ai. E gjithë Zbulesa hyjnore te të gjithë pejgamberët e dërguar nga ana e Allahut thërret në besim dhe adhurim në Zotin Një, prandaj edhe porosia e Muhamedit a.s. ishte: Adhuroje Allahun, ngase vetëm Ai meriton të adhurohet. Dhe mos i bëj rival Atij, se vetëm Allahu e mbikëqyr këtë univers, se vetëm Ai meriton të adhurohet, dhe se njeriu duhet që patjetër me angazhimet e tij t’i japë domethënie jetës mbi tokë, përmes përkushtimit, devotshmërisë, arsyes dhe angazhimit.
Gjatë këtij muaji u solidarizuam edhe me të varfrit dhe jetimët, me njerëzit në skamje dhe me gjithkënd që kishte nevojë, vetëm e vetëm që të meritojmë kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut xh.sh. Kaluam ditë e net të tëra në adhurim: duke lexuar Kuran, duke bërë namaz, dhe duke ligjëruar mbi vlerat e Islamit, me qëllim që sot, në këtë festë të Bajramit, me të drejtë ta lusim Allahun xh.sh. që për mundin tonë të na shpërblejë në këtë dhe botën tjetër.
Këtë ditë të bekuar engjëjt e Allahut xh.sh qëndrojnë në krye të çdo rruge, duke i pritur robërit e Zotit, të cilët marrin rrugën për në xhami për të Madhëruar Atë, duke e lutur Allahun xh.sh. për shpërblim e begati për ta, në këtë ditë feste, ditë e cila gëzon zemrën e çdo besimtari.
Thotë Allahu xh.sh:
“Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus: 58)
Sot qëndrojmë krenar e të gëzuar ngase kemi kryer edhe një obligim madhor, i cili është edhe shtyllë e Islamit. Me të drejtë gëzohemi dhe festojmë këto çaste festive të kësaj dite, kur bashkërisht jemi tubuar nëpër xhamia e sheshe që ta madhërojmë Allahun xh.sh. përmes faljes së namazit të Sabahut dhe të Fitër Bajramit.
Përmes agjërimit dhe adhurimeve tjera, ne i kemi pastruar shpirtrat tanë nga urrejtja, injoranca, ndjenja e hakmarrjes, i kemi dëlirësuar nga egoizmi, pangopësia dhe koprracia, i kemi udhëzuar në punë të mira, në respekt ndaj njëri-tjetrit e solidaritet mes vete.
Allahu xh.sh. thotë:
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin edhe më të mirë për veprat e tyre.” (En-Nahl: 97)
Porosia e Ramazanit e shtyn njeriun në bamirësi, në vepra të mira, që të jetojmë me mësimet e Kuranit, që të jemi në vazhdimësi të lidhur me Kuranin, që të jemi të përgatitur për takimin me Zotin xh.sh., përmes veprave të mira: përmes namazit, rukusë e sexhdes, ku zemrat e besimtarëve qetësohen dhe stabilizohen me adhurim e shpresë, ngase vetëm aty është shpëtimi.
Të nderuar vëllezër e motra,
Këtë gëzim e falënderim që po e përjetojmë në shpirtin tonë në këto momente, të kësaj feste madhështore të Fitër Bajramit, duhet ta përcjellim edhe në familjet tona, te farefisi, fqinjët dhe shokët, duke i vizituar dhe uruar. Tek ata, duhet ta përcjellim mesazhin e vlerave dhe begative të kësaj feste, siç janë: dashuria, respekti, nderimi, ndihma e atyre që janë në nevojë, përkujdesja ndaj prindërve, ndaj njerëzve të shtyrë në moshë e që kanë mbetur pa përkujdesje etj…
Ne duhet të harrojmë mospajtimet, dhe të shtrijmë dorën e mëshirës, dorën e ndihmës dhe faljes! Sepse, Zoti është Falës, e do faljen, dhe është me ata që falin:
Allahu xh.sh thotë:
“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta. Ai (Allahu) jua mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh.” (El-Ahzab: 70-71)
Allahu xh.sh. e përzgjodhi këtë muaj të bekuar e bujar si dhuratë për besimtarët, që ta edukojë shpirtin dhe zemrën e tyre. Për këtë arsye agjërimi konsiderohet si një punë shpirtërore dhe e vullnetshme. Andaj, si besimtarë jemi të porositur t’i kërkojmë urtësitë e Allahut xh.sh., e të cilat fshihen edhe në agjërimin e muajit Ramazan, muaj ky që shpirtit- xhevahirit të njeriut; të cilin Allahu e ka vendosur në trupin e tij e përmes, të cilit ai jeton logjikon dhe mendon, ndjen dhe shijon, ia mbush çdo zbrazëti.
Njeriu gjithmonë ka nevojë për Zotin, sikurse ka shpirti që vjen nga qielli ,për trupin që vjen nga toka. Madje, këta të fundit kanë nevojë të vazhdueshme për njëri-tjetrin, dhe as njëri e as tjetri nuk janë krijuar pa qëllim. Prandaj nuk është e habitshme që shpirti i agjëruesit ngrihet lart dhe afrohet deri në qiellin më të lartë, për të trokitur në dyert e qiellit, duke e lutur Zotin Fuqiplotë për pranim të lutjeve dhe shpëtim nga ndëshkimi.
Muhamedi a.s. thotë:
Tre njerëzve nuk u kthehet lutja mbrapsht: Agjëruesit derisa të çelë agjërimin e tij, prijësit të drejtë, si dhe atij që i është bërë padrejtësi.”
Përmes agjërimit kuptuam edhe vlerën dhe rëndësinë e ushqimit dhe pijes, ngase këtë nuk mund ta njohim, pa e provuar trupi shijen e urisë dhe etjes. Me agjërim u demonstrua edhe një barazi mes të varfrit dhe të pasurit, në mënyrë që i pasuri të kuptojë të varfrin të cilit i mungon ushqimi, dhe në këtë mënyrë të rritet edhe ndihma ndaj tyre.
Allahu xh.sh thotë:
“O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde, dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni! Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim!” (El-Haxh: 77)
Të nderuar vëllezër e motra,
Nuk ka asgjë më me rëndësi në një shoqëri sesa përkushtimi i të gjithëve për siguri, paqe, harmoni, mirëbesim, respekt e nderim ndaj njëri-tjetrit. Duhet të tregohemi shumë syçelë ndaj asaj që po ndodh sot nëpër disa shtete nëpër botë, si luftë, terror e vrasje, në mënyrë që kjo të mos reflektohet edhe në vendin tonë! E kemi obligim të shenjtë ta ruajmë vatanin tonë si sytë e ballit, ngase këtë e kemi amanet atdhetar e fetar. Nuk guxojmë me asnjë çmim të lejojmë që dikush t’i bëjë keq vendit tonë, duke futur pasiguri, mosbesim e vëllavrasje mes nesh.
Nga ky vend i bekuar, më tërë fuqinë e zemrës, shpirtit dhe fjalëve tona, e rikonfirmojmë edhe një herë përkushtimin e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, dhe të besimtarëve myslimanë, pra se jemi kundër çdo ekstremizmi, të çfarëdo ngjyrimi fetar qoftë, si dhe kundër terrorizmit në emër të fesë. Vetëm të bashkuar e unikë në qëllimet tona për mbrojtjen e atdheut tonë do të pengojmë me kohë çdo përpjekje për destabilizimin e shoqërisë sonë, nga kushdo qoftë. Siguria, mirëqenia dhe interesi i vatanit duhet të jetë mbi interesat tona, se përndryshe nuk e kemi kryer amanetin e marrë nga I Madhi Zot nëpërmjet porosive të Kuranit famëlartë dhe atyre të Muhamedit a.s..
Zaten, edhe lutja e parë që e bëri Ibrahimi a.s. për Mekën ishte:
“Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie, dhe banorët e tij, që besuan Allahun dhe jetën tjetër, furnizoji me lloje të frutave!” (El-Bekare:126)
Edhe ne sot, në këtë ditë feste e krenarie, të lutemi, O Zot, ashtu siç u lut Ibrahimi a.s. për Mekën dikur: që vendin tonë ta bësh të sigurt, ta ruash prej kriminelëve, terroristëve, dhe prej të gjithë atyre që dëshirojnë t’i bëjnë keq tokës tonë, Kosovës, dhe gjithë trojeve tona etnike shqiptare!
Allahu xh.sh. thotë
“…prandaj kini frikë Allahun, përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe, nëse jeni besimtarë, respektojeni Allahun dhe të Dërguarin e Tij!” (El-Enfal-8).
Të nderuar vëllezër e motra,
Në këto çaste feste e krenarie, ju lus ta keni frikë Allahun xh.sh., Krijuesin e çdo gjëje që ekziston, të respektoni urdhrat e Tij, sepse në këtë mënyrë do të gjejmë kënaqësinë dhe lumturinë në këtë dhe botën tjetër. Pra, madhërojeni Allahun xh.sh., dhe falënderoni Atë për dhuntitë e dhuruara!
Me fat festa e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve brenda dhe jashtë Kosovës, brenda trojeve tona etnike shqiptare dhe kudo që ata gjenden nëpër botë me familjet e tyre…
Urime Fitër Bajrami!
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava
*Hytbeja e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava e mbajtur 17 korrik 2015 në namazin e Fitër -Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.