Kasim Gërguri

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, Atij I Cili është i Pari e i Pafillim, dhe i Fundit e i Pambarim.

“O ju që besuat, përkujtojeni Allahun sa më shpesh! Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje!”[1]

Salavatet, lutjet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi të Dërguarin e Zotit, Muhamedin a.s., mbi familjen e Tij të ndershme dhe shokët e Tij besnikë e fisnikë, dhe mbi të gjithë ata që e përcollën dhe e përcjellin rrugën dhe traditën e Tij deri në Ditën e Gjykimit!

Ka shpëtuar ai që është pastruar, që përkujton Madhërinë e Zotit të vet dhe falet.[2]

 

Të nderuar besimtarë dhe ju tele-shikues, nga kudo që po na ndiqni – Paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

 

Në fenë islame kemi dy festa kryesore: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin, apo thënë më saktë Bajramin e Kurbanit. Që të dyja na vijnë pas realizimit të dy shtyllave të fesë islame: pas përfundimit të muajit të madhërishëm Ramazan vjen Fitër Bajrami; kurse Bajrami i Kurbanit vjen pas përfundimit të ceremonive të Haxhit.

         Ja pra, kaloi muaji i bekuar Ramazan, e neve na la duke marrë me vete veprat tona, të cilat shpresojmë të jenë përplot mirësi, dhe me to të jetë i kënaqur Krijuesi i gjithësisë.

 

         Kjo ditë është ditë feste dhe ushqimi, ditë e furnizimit ndaj të varfërve, jetimëve, skamnorëve, dhe të atyre që nuk kanë përkujdesje.

 

         Kjo ditë është dita në të cilën paraqitet agjërimi te Sunduesi i Plotfuqishëm, dhe ditë kur jepet shpërblimi i agjëruesve nga thesaret e të Gjithëmëshirshmit.

 

         Kjo është ditë gëzimi, sepse ne e realizuam obligimin tonë, sepse ne e kemi ndërgjegjen e pastër para Zotit, sepse e ndiejmë në thellësinë e shpirtit se Allahu është i kënaqur me ne dhe me adhurimin tonë ndaj Tij.

 

         Kjo është ditë gëzimi për shkak të vullnetit të fuqishëm. Është ditë gëzimi e ngadhënjimit të dëgjueshmërisë mbi padëgjueshmërinë, të mirësisë kundër të keqes, dhe mirësisë kundër mëkatit.

 

         Kjo është ditë gëzimi, sepse ngadhënjen fisnikëria mbi koprracinë, falja mbi hakmarrjen, lidhja farefisnore mbi ndërprerjen e saj, dashuria mbi urrejtjen.

 

         Prandaj, urime për atë që agjëroi, gëzime për atë që bëri ibadet gjatë netëve të Ramazanit, që lexoi Kuranin dhe e përmendi të Gjithëmëshirshmin. I gëzuar dhe i lumtur duhet të jetë ai që gjatë këtij muaji i dyfishoi veprat e mira, që dha Zekatin dhe sadakanë.

 

         Dita e Fitër Bajramit është një ditë e festimit, e gëzimit e paqes dhe mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.

 

Sot kemi kryer një obligim njëvjeçar, duke plotësuar numrin e ditëve të Ramazanit. Sot e falënderojmë Allahun si kurrë më pare, që na udhëzoi në rrugë të drejt, dhe që arritëm në Ditën e Bajramit, siç thuhet në Kuran:

Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi, dhe që të falënderoni.”[3]

Festa e Bajramit na kujton një kuvend mbarëpopullor, ku mblidhen të gjithë besimtarët me të njëjtin qëllim, që ta adhurojmë Krijuesin dhe t’i shprehin falënderimin e t’i luten që mbi tokë të mbretërojë paqja, dashuria e respekti, mirëqenia e toleranca ndërnjerëzore. 

         Pas një muaj Ramazan, ku i kemi dhënë prioritet anës shpirtërore më shumë sesa asaj materiale-fizike, sot erdhi dita që për dy komponentët e përmendur të kujdesemi njësoj.

 

         Pas një muaji agjërimi, pas një muaji që e kemi pasur të ndaluar ushqimin dhe pijet gjatë ditës, nga sot ato i kemi të lejuara deri në Ramazanin tjetër.

 

         Allahu xh.sh. deri dje na e bëri të ndaluar të hamë dhe të pimë, ndërsa sot na e bëri të lejuar, dhe ne me përkushtim e respektojmë si njërën ashtu edhe tjetrën.

 

Vëllezër të nderuar,

         Dje ishte haram të mos agjërojmë, kurse sot është haram agjërimi.

         Për kenë dje agjëruam, e për këtë sot nuk agjërojmë?

S’ka dyshim se për Allahun, Krijuesin e gjithësisë, Ligjdhënësin e Pandryshueshëm, ligji i të Cilit nuk ndryshon kurrë, sepse Ai në Kuran thotë:

Dhe në ligjin e Allahut nuk do të gjesh ndryshim.”[4]

Vërtet agjërimi ka një vlerë të madhe dhe një shpërblim të veçantë, e në këtë ditë ndahen shpërblimet e pakufishme të agjërueseve. Në lidhje me këtë transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a., se me të vërtetë Pejgamberi a.s. ne një hadith Kudsij thotë: “Thotë Allahu xh.sh.: “Çdo vepër e pasardhësve të Ademit është për ta, përveç agjërimit, e ai (agjërimi) është për Mua, dhe Unë shpërblej për të).

 

Agjërimi është vepra më e sinqertë tek Allahu xh.sh. Agjërimi është shpirti i sinqeritetit me Allahun xh.sh. dhe nuk di kush të shpërblejë më mirë për këtë, përveç Ai që e ka bërë obligim.

 Të nderuar vëllezër besimtarë,

Ne sot kemi kryer një kusht themelor prej kushteve të fesë islame që është detyrim një muaj në vit. Ne sot e ndiejmë veten më të  lirë dhe më të kënaqur që arritëm ta kryejmë edhe këtë obligim.

Ramazani është muaj i bujarisë dhe i bamirësisë. E kush ka qenë bujar e bamirës gjatë këtij muaji, sot ka një shpërblim të veçantë. Prandaj, le ta vazhdojë atë fisnikëri dhe atë bamirësi edhe në 11 muajt e tjerë!

Ramazani është muaj që qetëson shpirtin dhe trupin, e ky qetësim duhet ta mbajë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Ramazani është qetësim i shpirtit dhe pastrim i trupit, e ky qetësim dhe pastrim do të na mbajë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Ramazani njeriun e mëson dhe e ushtron të bëhet i forte, i qëndrueshëm dhe këmbëngulës në qëllimet e veta. E kjo qëndrueshmëri do të na mbajë të fortë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Muaji Ramazan është muaj i solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve, e këtë solidartet dhe këtë bamirësi duhet ta vazhdojmë edhe pas Ramazanit.

** Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., në një hadith thotë:

Shembulli i besimtarëve në solidaritetin dhe mëshirën e ndërsjellë është sikurse shembulli i një trupi të vetëm, nëse një organ i tij ankohet, atëherë edhe organet tjera nuk janë të qeta.

Ramazani na ka mësuar të jemi të butë e zemërgjerë, bujarë e krenarë, të devotshëm e durimtarë, të sinqertë e besnikë, t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në vështirësi e lehtësi…

Muaji Ramazan është muaj bashkimi në mes njerëzve, pa marrë parasysh gjendjen sociale, kulturore, ekonomike, pastaj pozitën etj., pra kur të gjithë duhet të jenë të barabartë. Prandaj, edhe në këtë Fitër-Bajram duhet të vazhdojë një gjë e tillë, e po ashtu edhe në ditët tjera gjatë tërë vitit.

Muaji Ramazan është muaj i programit dhe rregullit në çdo pore të jetës, e po ashtu edhe në ushqim dhe pije në kohë të caktuara, prandaj programi dhe termini në fenë islame luan një rol tejet me rëndësi.

Besimtari, përveç që kryen një obligim njëvjeçar të Allahut xh.sh., mëson edhe program e rregull, e këtë rregull duhet ta ketë parasysh edhe në njëmbëdhjetë muajt e tjerë që na presin në vazhdim të jetës.

Besimtari në muajin Ramazan është dashur të jetë:

         i devotshëm – durimtar – fisnik – bamirës – i qetë – i fortë – i qëndrueshëm – këmbëngulës – solidarizues – i butë -zemërgjerë – bujar – krenar – korrekt – i sinqertë – besnik – i rregullt –respektues i ligjeve, e me gjithë këto nuk ka qenë i lejuar të përdor ushqime dhe pije gjatë ditës.

 

         e sot, besimtari prapë duhet të jetë sikur që ka qenë në Ramazan, por duke u kthyer në përditëshmërin e tij, duke u ushqyer por pa e tepruar.

Hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë![5]

 

Përfundimi i Ramazanit dhe ardhja e Bajramit duhet të shfrytëzohet për ndërprerje të përhershme të disa veseve dhe veprave të liga, e jo të nxitohet për të vazhduar veprën që ndoshta e kemi braktisur gjatë muajit të bekuar Ramazan.

Pas muajit Ramazan, respektivisht Bajramit, duhet vazhduar me kryerjen e veprave të mira, ngase veprat e mira nuk pushojnë me përfundimin e Ramazanit dhe ardhjen e Bajramit, por ato përfundojnë me përfundimin e jetës.

Allahu xh.sh.thotë:

Dhe adhuro Zotin tënd derisa të jesh i gjallë!

 

Të nderuar besimtarë dhe ju teleshikues të tjerë,

U ndamë nga muaji Ramazan, mirëpo kjo nuk do të thotë se do të lirohemi edhe nga obligimet e fesë, e ta lëmë pas dore namazin dhe ibadetin, e t’i kthehemi mëkateve dhe gjërave të ndaluara, sikur Allahu të ishte prezent vetëm në Ramazan dhe jo edhe në muajt e tjerë. Duhet ta dimë se Zoti i Ramazanit është Zot edhe i muajve të tjerë.

Qëllimi i agjërimit është mbjellja e drojës në zemër, edukimi i shpirtit, përmirësimi i moralit, pendimi nga mëkatet dhe fillimi i një periudhe të re në jetën e myslimanit. Për atë është obligim ta ruajmë dronë e Ramazanit, ushqimin shpirtëror të Ramazanit, ibadetin e Ramazanit, bamirësinë e Ramazanit, moralin e Ramazanit, e kështu me radhë…

Bajrami është ditë shpërblimi, është ditë bashkimi, është ditë gëzimi e kënaqësie, ditë sigurie e barazie, ditë kremtimi e ushqimi, ditë vizite të afërmve e farefisit, shokëve, dashamirëve, jetimëve, është ditë pajtimi në mes njerëzve dhe ditë adhurimi, lutje e falënderimi drejtuar Allahut xh.sh.

 

Të nderuar të pranishëm dhe ju teleshikues, kudo që na ndiqni,

Edhe pse kaloi muaji Ramazan, Allahu është i Përhershëm. Është Ai që ishte edhe dje, e obligueshmëria ndaj kushteve të fesë së Tij, Islamit nuk bie me kalimin e muajit Ramazan, por vazhdon në një formë më ndryshe.

***

ISLAMI FE E PËRSOSUR

Islam është paqe, dorëzim, nënshtrim, tolerancë dhe bindje ndaj urdhrave të Allahut dhe porosive të Pejgamberit a.s.

Ai e bëri Islamin fe të të gjithë pejgamberë­ve dhe të pasueseve të tyre.

 

Për këtë fe të përsosur, të plotësuar e të zgjedhur Allahu xh.sh. në Kuran thotë:

 

“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.”[6]

 

Në këtë ajet të Kuranit Allahu na e bën të qartë se feja islame është:

1. E përsosur;

2. E plotësuar;

3. E zgjedhur, dhe

4. Dhunti.

 

1. Feja islame është e pakrahasueshme nga përsosmëria që ka, është fe përparimtare, e vlefshme dhe aktuale për çdo kohë dhe vend, është fe e dedikuar për çdo person.

    

2. Pastaj, Allahu xh.sh. thotë se kjo fe është e plotësuar dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje njerëzore. Kushdo që shpif në të çka nuk është nga ajo, nuk do t’i pranohet. Prandaj feja islame nuk ka nevojë për gjëra të huaja, dhe kush­do që përpiqet të sjellë gjëra apo ide të reja e që nuk janë në paj­tim me mësimet e Kuranit dhe Muhamedit a.s., ato janë të pa­pra­nu­ara, dhe këta njerëz do të ndëshkohen rëndë në Ahiret.

 

3. Islami është fe e zgjedhur nga Allahu për njerëzit. Feja isla­me është e para dhe e fundit me të cilën Allahu xh.sh. e ka nderuar krijesën njerëzore. Kjo fe zë vend të parë në jetën per­sonale, familjare dhe shoqërore, sepse Allahu e ka zgjedhur; e çka zgjedh Allahu ajo pa dyshim se është më e mira dhe më e për­kry­era.

 

4. Feja islame është dhunti për njerëzit nga Krijuesi i tyre. Ajo është e ruajtur nga çdo ndryshim, falsifikim, shtrembë­rim etj., sepse vet Allahu e ka garantuar duke thënë:

 

“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin, dhe Ne gjith­sesi jemi mbrojtës të tij.”[7]

 

***

 

Përgjegjësia e njeriut në këtë jetë – Amaneti

Islami është fe e amanetit-besnikërisë dhe e përgjegjësisë, prandaj përgjegjësia e njeriut në këtë jetë, edhe si mëkëbës në tokë, është shumë e madhe. Një përgjegjësi të tillë nuk e pranuan as krijesat më të mëdha se njeriu, siç janë: qiejt, toka e malet, siç na tregon edhe Allahu xh.sh. kur thotë në Librin e Tij:

 

“Ne u kemi ofruar amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato ngurruan ta bartin atë dhe u frikësuan ta pra­nojnë atë, por, njeriu e pranoi. Me të vërtetë njeriu është zu­llu­m­q­ar (për vete) dhe i padijshëm (për fundin-epilogun e amanetit).”[8]

 

Këtë amanet e pranoi njeriu, prandaj edhe është përgjegjës për zbatimin e programit të Zotit xh.sh., sipas të cilit program atij i është garantuar jetë e lumtur në këtë botë dhe shpërblim i madh në botën tjetër.  

 

Pasi Allahu e ka dalluar njeriun nga të gjitha krijesat, atij ia ka dhënë edhe një përgjegjësi të madhe, e të cilën nuk e pranuan pra as kri­jesat më të mëdha se njeriu. E nëse njeriu këtë përgjegjësi-amanet e kryen me ndërgjegje, edhe vetë ai do të jetë i kënaqur dhe do të shpërblehet me të mirat e Allahut në këtë dhe botën tjetër. Në të kundërtën, ai do të dënohet për moszbatimin e ligjit të Zotit.

 

Amanetet janë disa llojesh, duke filluar nga:

 

         Besimi në Allahun, melaiket, librat, pejgamberët, Ditën e Fu­nd­it, Kaderin dhe Kadanë, e pastaj edhe namazi, agjërimi, zekati, haxhi që gjithashtu janë amanete.[9]

 

         Amanete janë edhe: nderimi i prindërve, farefisit, jetimit, fu­karenjve, fqinjëve, shoqërisë, njerëzve, udhëtarit, bash­kë­shortja, trashëgimia, tregtia, peshimi në peshore, kthimi i borxhit, gjykimi i drejtë në mes njerëzve, haku i punëtorit, betimi, besa e dhënë, fëmijët etj.

 

Përveç këtyre që u përmendën më lart, besimtari obligohet edhe me obligime tjera që dalin nga Kurani dhe hadithet e Pejgamberit a.s., sepse Imani-Besimi kushtëzohet me pranimin e të gjitha dispozitave të Sheriatit, duke filluar nga:

 

         Pastrim i detyruar, abdesi, tejemumi, mis’hi mbi meste, namazi i xhumasë, namazi me xhematë, ezani, ikameti, përpjekja që bëhet në forma të ndryshme me trup, me pasuri, dije – shkencë etj., falja e namazit të xhenazes, namazi i dy Bajrameve, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.

 

         Ruajtja  e  lidhjeve  familjare,  respektimi  i  prindërve, mosofendimi i fqinjëve, dhe i të gjithë njerëzve në përgjithësi, që besojmë se janë të vërteta dhe jemi të obliguar t’i zbatojmë në jetën tonë.

 

         Kurse kamata është e ndaluar, e po ashtu edhe ngrënia e pasurisë së jetimit, siç janë edhe” gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, shpifja, dëshmia e rreme, pra janë fitne dhe ndezje e zjarrit në mesin e myslimanëve në veçanti, e të njerëzve në përgjithësi, dhe si të tilla janë rreptësisht të ndaluara.

 

Feja Islame në përgjithësi është amanet, nga besimi në Allahun e deri te largimi i pengesave nga rruga.

 

Allahu xh.sh. na porosit që t’i ruajmë amanetet me të cilët na ka ngarkuar dhe nderuar, prandaj është obligim për gjithë shoqërinë që këto amanete të ruhen, qofshin amanete në mes Zotit dhe robit, apo edhe vetëm në mes njerëzve. Amaneti përfshin gjithçka në jetën e njeriut, duke filluar nga vetvetja, shëndeti, familja, puna, pa­suria, pozita, mbajtja e sekreteve, fjalëve ose gjësendeve tjera. I Lartmadhërishmi në Kuran thotë:

 

“…kush e përmbush amanetin e vet (është besnik) dhe ruhet nga mëkatet, s’ka dyshim, Allahu i do ata që ruhen.”[10]

 

Edhe Pejgamberi a.s. në Hytben Lamtumirëse amanetit ia jep një hapësirë, duke thënë:

 

“Gjërat që ju janë lënë amanet, ruajini si të jua­jat, dhe kthejani besnikërisht dhe me kohë atij që i takojnë.”

 

Amaneti është besnikëri, kurse e kundërta e amanetit është tradh­tia. Allahu xh.sh. porosit:

 

“O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo.”[11]

 

Pastaj:

 

Vërtet Allahu e nderoi njeriun me shumë të mira dhe me vlera të mëdha, e nderimi më i madh është që fenë islame e zgjodhi të jetë fe e tij.

 

Allahu xh.sh. porositë që përveç vetes të jemi të kujdesshëm edhe për familjarët tanë, sepse në fenë islame familja ka një vend të rëndësishëm, prandaj Allahu edhe porosit duke thënë:

 

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…!”[12]

 

Gjithashtu, feja islame nderon çdo popull dhe respekton të drej­tën e secilit, ndërkohë tërheq vërejtjen se më i miri është ai që ruhet më së shumti:

 

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është i Dijshëm dhe hollësisht i informuar për çdo gjë.”[13]

 

Ajeti në fjalë u drejtohet të gjithë njerëzve të botës, pa dallim race, kombi e shtetësie, funksioni e shtrese, dhe sikur u thotë: “Ne me fu­qinë, dëshirën dhe dijen Tonë ju krijuam nga një bazë, që të gji­thë e keni prejardhjen prej një babai dhe një nëne, pra mos u mbu­rrni se jeni bijtë e filanit apo nipat e filanit”. Prandaj Pejgam­be­ri a.s. në Hyt­ben Lamtumirëse porosit duke thënë:

 

Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, ndërsa Ademi është nga dheu.

O myslimanë, duhet të kujdeseni, të duheni dhe të ndihmoheni ndërmjet vete.

Nuk gu­xo­ni ta ofendoni njëri-tjetrin, e as t’i merrni me dhunë njëri-tjetrit diçka. Këto janë mëkate të rënda.

Merreni vetëm atë që me vetë­dëshirë ju jepet.

Respektoni pacenueshmërinë e pasurive tuaja derisa janë në frymën e ligjeve të Zotit.

Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e askujt.

Vetvetes mos i bëni dhunë.

Mos harroni se mëshira është një ndër bazat krye­sore të Islamit!”

 

Urtësia, vullneti, drejtësia dhe fuqia e Zotit është që njerëzit i ka krijuar nga një bazë, i ka ndarë në popuj, në fise e raca, në mënyrë që sa më lehtë të njihen mes vete, dhe jo për t’u armiqësuar, për t’u ndarë dhe për t’u urryer mes vete.

 

Është dëshira e Tij që na krijoi në këtë vend, që e zgjodhi për ne këtë fe e këtë gjuhë, andaj e kemi obligim fetar dhe kombëtar që ta ruajmë dhe të kujdesemi për këto dhunti.

 

Feja islame nuk synon asimilimin e një populli, nuk dëshiron ndërrimin e dokeve dhe zakoneve që nuk bien ndesh me parimet is­lame, por dëshiron paqe, tolerancë, barazi dhe unitet me të drejtat e secilit, dhe pa kurrfarë dhune.

 

Prandaj, Allahu xh.sh. thotë:

“Në fe nuk ka dhunë.”[14]

 

Është më se e njohur se feja islame përgjatë gjithë historisë ka përçuar mesazhin për paqe, drejtësi, liri e humanizëm. Feja islame thërret në debat, që me forcën e argumenteve dhe intelekt të binden mendjet dhe zemrat e njerëzve, duke porositur:

 

“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë, dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrën që është më e mira…!”[15] 

 

Allahu xh.sh. porosit njerëzit që të besojnë dhe të bëjnë vepra e të mira, të jenë të drejtë, ta porositin njëri-tjetrin për drejtësi, të jenë të durueshëm dhe ta porositin njëri-tjetrin për durim.[16]

 

Gjithashtu, ajo porosit edhe që të punojmë për Ahiret, duke mos e harruar edhe këtë botë, që është shkaktare për fitim ose humbje në botën tjetër. Pra na porosit të bëjmë mire, ashtu siç na ka nderuar me dhunti të shumta:

 

“Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.”[17]

 

Pejgamberi a.s. në Hytben Lamtumirëse, duke iu drej­tuar njerëzve, thotë:

“O njerëz, kijani frikë Zotin dhe respektojeni Atë!

Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tje­rëve!

Ruajeni, respektojeni dhe nderojeni vlerën e personali­te­tit dhe dinjitetit njerëzor!

Njeriu është vepër madhështore e Allahut, dhe mjerë ai që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.”

 

Të nderuar besimtarë,

Përkujtojini këshillat e Llukmanit drejtuar birit të tij, siç përshkru­het në Librin e Allahu xh.sh. Ai i tha të birit:

 

 “O djali im, s’ka dyshim se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë e fshehur në rrasë guri, ose në qiej apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë, se Allahu është i Butë dhe hollësisht i informuar!

O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara!

Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec në­për tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet!

Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.[18]

Në fund do ta përmbylli  me një ajet që flet për unitet e mospërçarje, për bashkim e jo për krijim grupacionesh, për përkujtim e joharresë:

Thotë Allahu xh.sh. në Kuranin e Tij fisnik:

Dhe kapuni që të gjithë për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut dhe mos u përçani, dhe përkujtojini të mirat e Zotit ndaj jush…![19]

 

Lusim Allahun xh.sh. ta përmirësojë gjendjen tonë dhe të të gjithë atyre besimtarëve, kudo qofshin ata, por për këtë nga ne lypset të jemi në rrugë të Allahut, si besimtarë të vërtetë, sepse Ai ka premtuar, e premtimi i Tij është i vërtetë. Ai në Kuran ka thënë:

Mos u ligështoni e as mos u dëshpëroni. Ju jeni më të lartit, nëse jeni besimtarë të sinqertë”.(3.39)

Çdo njeri do të përgjigjet për besimin e vet në Ditën e Madhe, dhe askujt nuk do t’i bëhet e padrejtë.

Për këtë Pejgamberi a.s. në fjalimin e fundit të mbajtur në hytbe, ndër të tjera kë­shillon:

 

“Ju, o njerëz, pashmangshëm dhe pakthyeshëm do t’i kthe­heni Allahut të Amshueshëm, dhe Ai do t’ju marrë në për­gjegjësi për veprat dhe punën tuaj.”

 

Ndërkohë që Allahu xh.sh. na përkujton Ditën kur do të kthe­hemi te Ai, duke thënë:

 

“Dhe druajuni asaj Dite kur në të ktheheni te Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që e ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë.”[20]

 

Allahu është Falës, e do faljen, prandaj kërkojini falje që ta fitoni atë!

 

Mos harroni të bëni dua, siç na mëson Allahu xh.sh. në librin e Tij fis­nik, kur thotë:

 

“Zoti ynë, më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët Ditën kur jepet llogaria!”[21]

 

Të nderuar besimtarë,

 

Uroj që parimet e larta të manifestuara edhe më fuqishëm gjatë muajit Ramazan, siç janë: mirëkuptimi, toleranca, ndihma e solidariteti për njërin-tjetrin dhe vullneti i mirë, të bëhen parime të përditshme në jetën e çdo besimtari.

 

Duke ju uruar të gjithëve Fitër Bajramin, uroj që sakrificat, adhurimet dhe lutjet tuaja të sinqerta të shpërblehen me mirësitë e Krijuesit të Madhërishëm, Atij Falësi që na fal dhe e do faljen!

VEL HAMDU LIL-LAHI RABIL ALEMIN!

 


[1] El-Ahzabë, 41-42.

[2] El-A’la, 14-15.

[3] El-Bekare, 185.

[4] El-Fet’h, 23.

[5] El-A’rafë, 31.

[6] El-Maide, 3.

[7] El-Hixhr, 9.

[8] El-Ahzab 72.

[9] Shih: Te’vilat Ehli El-Suneh, po aty, vëll. IV, fq. 139.

[10] Ali Imran, 76.

[11] El-Enfal, 27.

[12] Et-Tahrim, 6.

[13] El-Huxhurat, 13.

[14] Bekare, 256.

[15] En-Nahl 125.

[16] Shih suren El-Asr!

[17] El-Kasas, 77.

[18] Llukman, 16-19.

[19] Ali Imran, 103.

[20] El-Bekare, 281.

[21] Ibrahim, 41.

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

UNIFIKIMI I FJALËVE DHE RADHËVE NË KOHË KRIZASH

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. T…