Agresioni izraelit, në Gaza, me tërë barbarinë e tij po hyn në javën e tij të dytë. Numri i viktimave prej orës në orë sa vjen e shtohet. Në ekranet satelitore shihen pamje të llahtarshme të qindra viktimave, fëmijëve, grave dhe pleqve. Numri i tyre në anën palestineze ka arritur numrin 775 të vrarë dhe mbi 3.150 të plagosur. Më shumë se gjysma prej tyre fëmijë dhe gra. Në anën izraelite deri më tash janë 10 ushtarë të vrarë dhe 107të plagosur.
Caqet e bombardimeve izraelite janë civile, sepse Hamasi nuk ka ushtri, në një sipërfaqe prej 362 km2, në një popullsi prej 1,500,000 banorëve, në një km2 jetojnë 26,400 banorë. Dje në shënjestër të një sulmi izraelit ishte një shkollë e OKB-së në qytetin e Gazës, ku gjetën vdekjen 48 nxënës palestinezë, as flamuri i Kombeve të Bashkuara nuk kishte qenë në gjendje ti mbronte fëmijët palestinezë.
Thënë realisht, kjo nuk është hera e parë që Izraeli bënë maskara dhe gjenocid mbi popullatën civile palestineze. Janë të njohura gjatë këtyre gjashtë dekadave masakrat që forcat izraelite kishin bërë ndaj palestinezëve, si masakra e Dir Jasin, Kana, Sabra dhe Shatila dhe ja tash edhe masakra e Gazës në vigjilje të shekullit njëzetenjë. E tërë kjo bëhet nga një popull, i cili shumë herë, në lëkurën e vet gjatë historisë përjetoi deportim me dhunë, gjenocidin dhe holokaustin, në veçanti gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët gjerman. Andaj, na habit fakti, se si ky popull mund të bëjë masakra të këtilla ndaj një populli tjetër që dëshiron të jetojë në fqinjësi të popullit arab prej 200 milionë banorësh?! Reagimet nga Izraeli janë shumë të zbehta kur janë në pyetje padrejtësitë që bëhen ndaj popullatës palestineze, në veçanti ndaj fëmijëve. Shtrohet pyetja ku janë shkrimtarët izraelitë, ku është inteligjenca izraelite, ku janë prijësit fetarë, ku është zëri i arsyes brenda opinionit izraelit. Është tmerruese se 71% të anketuarve izraelit përkrahin invazionin izraelit në Gazë. Të vetmit që kohë pas kohe ngrisin zërin e tyre janë disa majtist në kuadër të Organizatës “Paq tash”.
Një anashkalim dhe gjakftohtësi është treguar edhe nga ana bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç e pohoi i zemëruar edhe ministri saudit i Punëve të Jashtme Suud al-Fajsal, gjatë takimeve të tij në Këshillin Sigurimit në Nju Jork, duke bërë një paralelizëm rreth reagimit të Evropës me rastin e invazionit rus në Gjeorgji dhe atij me invazionin izraelit në Gazë. Në Gazë po vihej në pikëpyetje morali i njerëzimit, në veçanti i fuqive të mëdha në krye me SHBA-të. Shkatërrimi i jetës së njerëzve, venitja dhe humbja e dinjitetit njerëzor ka kohë që ka kapluar këtë rajon, kishin deklaruar disa laureat të çmimit Nobel për Paqe, në një apel të tyre drejtuar opinionit ndërkombëtar për ndërprerjen e agresionit izraelit në Gazë. Por, i këtij mendimi nuk ishte presidenti izraelit, Shimon Perez, i cili poashtu është laureat i çmimit Nobel për Paqe, sepse ai dëshironte që plani izraelit duhej të kryhet me të gjitha fazat parapara nga ushtria izraelite.
Në luftën ë Gazës, në pozitë tejet të vështirë u gjenden regjimet e moderuara arabe, aleatë tradicional të Amerikës dhe vendeve tjera perëndimore. Opinioni i përgjithshëm i të gjitha vendeve arabe ishte kundër tyre. Në anën tjetër në këtë situatë po përfitonte Hamasi dhe lëvizjet tjera radikale islame, duke argumentuar se ja ky është Perëndimi dhe ky është qëndrimi i tij ndaj regjimeve properëndimore arabe. Ky është rezultati i bisedimeve të deritanishme paqësore me qeverinë izraelite. Andaj, regjimet, si ai i Husni Mubarakut në Egjipt, mbretit Abdullah bin Abdulazizi në Rijad dhe ai i mbretit Abdullahu u dytë në Aman u gjenden në një pozitë tejet të vështirë nga veprimet e qeverisë izraelite, si dhe për shkak të sjelljes jodinjitoze të qeverive perëndimore. Reputacioni dhe ardhmëria e këtyre qeverive do të varet shumë nga qëndrimi që do të mbajnë këto shtete ndaj zgjidhjes së çështjes palestineze jo vetëm me rastin e Gazës, por edhe formimit të shtetit të pavarur palestinez dhe ndihmës që do të ofrojnë atij.
Rreth tragjedisë së Gazës heshti edhe Kosova. Kurse ne ishim ata që vetëm nëntë vit më parë ishim në lëkurën e palestinezëve. Atëherë kur Serbia i helmoi nxënësit tanë. Megjithatë, për fat të keq ne zgjodhëm heshtjen si përgjigje për atë se çka po ndodhte në Gazë. Asnjë deklaratë nga institucionet qeveritare, asnjë prononcim nga shoqëria civile, asnjë fjalë nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, por edhe nga Bashkësia Islame. Nuk u promovuam as shkrimtarët tanë, as publicistët tanë. Ne, si shqiptarë nuk duhet të vuajmë nga kurrfarë kompleksi sa i përket çështjes hebreje, sepse ne i morëm në mbrojtje ata gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur e tërë Evropa ua kishte kthyer shpinën. Andaj, t’ua tërheqim vërejtjen se kjo çka po bëni ju ndaj palestinezëve në Gazë është krim kundër njerëzimit, ashtu siç e pat quajtur Viliam Voker masakrën e Raçakut. Kjo do të na bënte nderë neve, ashtu siç na bëri nderë kur të parët tanë i morën në mbrojtje hebrenjtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.Thënia e të vërtetës në momentin duhur është nderë, kurse heshtja është turp dhe ligësi. Këtë më së miri do ta gjykojnë brezat që do të vijnë pas nesh. Andaj, vaj për atë brez që e gjykon historia.