Sot, me datën 16.05.2013, falë bashkëpunimit të thellë në mes të BIK dhe shoqatës humanitare për zhvillim KAD nga Kuvajti, u vu gurthemeli për ndërtimin e xhamisë së fshatit Gajre në komunën e Kaçanikut. Në këtë ditë të bukur me diell, me një pamje impozante mbi shpatijet e Sharrit, aty nga ku vërehej një bukuri natyrore e bjeshkëve të Kaçanikut, ishin mbledhur numër i konsiderueshëm i fshatarëve të Gajres, që me padurim prisnin fillimin e ceremonisë së planifikuar nga Këshilli i BI të qytetit të Kushtetutës së Kosovës, Kaçanikut.
Të pranishmit, të entuziazmuar e me lot në sy mirëpritën arritjen e delegacionit të Kryesisë së BIK, të kryesuar nga Kryeimami i BI të Republikës së Kosovës, Sabri ef. Bajgora.
Në hapjen e këtij solemniteti, sekretari i Këshillit të BI Kaçanik, M.Nehat Hysa, pasi përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje, ftoi imamin Menduh Rexha që ta hap tubimin me leximin e disa verseteve nga Kurani Famëlartë.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kaçanikut, Florim ef. Neziraj në emrin e tij personal dhe në emër të stafit të nderuar të imamëve tha: “Kam nderin dhe privilegjin që gjendem në mesin tuaj, në mesin e atyre që për kohë të gjatë dhe në kontinuitet kontribuan në ruajtjen e identitetit tonë fetar e kombëtar. Ndërtimi i kësaj xhamie, padyshim se ishte nevojë e kohës dhe domosdoshmëri, jo vetëm për banorët e kësaj ane, por për gjithë komunitetin e kësaj komune. Më lejoni që falënderimet më të sinqerta në emrin tuaj dhe timin t’ia shpreh Bashkësisë Islame të Kosovës , gjegjësisht Myftiut Tërnava, duke mos harruar për asnjë çast shoqatën KAD me drejtorin Rashid Xharum, për gjithë kontributin e tyre, jo vetëm për vënien e këtij gurthemeli, por për të gjitha sakrificat e tyre në ngritjen e fjalës së Allahut dhe ofrimit të komoditetit për besimtarët muslimanë të Kosovës, duke plotësuar infrastrukturën e Bashkësisë Islame çdoherë dhe çdokund ku paraqitet nevoja. Allahu na bashkoftë në punë të hajrit gjithmonë”.
Nënkryetari Misim Sopa, si përfaqësues i Kuvendit Komunal të Kaçanikut, përcolli përshëndetjet më të përzemërta në emër të kryetarit të komunës, të gjitha strukturave të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe banorëve të fshatit, duke shpreh njëkohësisht urimet e sinqerta me rastin e vënies së gurthemelit të xhamisë.
Kryeplaku i fshatit, z. Ukshin Qallaku, pas përshëndetjes së të pranishmëve në emër të fshatit dhe kryesisë së tij, u shpreh:”…deri vonë ritet fetare janë kryer nëpër shtëpi e konake të fshatarëve të Gajres, e dikur më vonë me 1985 pas adaptimit të objektit të shkollës së fshatit, ritet fetare kryheshin aty. Fshati ynë, i dhuroi Kosovës një atdhetar dhe imam të vyer, që shërbeu nga viti 1954-1968, M. Milaim Fetahu, që është një tregues i qartë se ne kemi pasur dhe kemi traditë në ruajtjen e fesë dhe atdheut. Falë sakrificës së tij dhe të tjerëve të ngjashëm me atë, sot kemi shtetin tonë dhe ëndrrat që dikur kishim, sot po bëhen realitet. Dora e shtetit shtroi rrugën e fshatit, ndërsa dora e parisë sonë fetare po vendos gurthemelin e kësaj xhamie, që dhashtë Zoti të përfundojë sa më shpejt. Ky objekt fetar nuk do të jetë vetëm pjesë dekorative e fshatit, por dyert e saja do të mbeten të hapura gjithmonë si një shtëpi unifikuese për çështje fetare dhe kombëtare për secilin që kalon këtejpari”.
Në emër të shoqatës KAD, përfaqësuesi i saj, Shaqir ef. Kqiku, gjithashtu përcolli përshëndetjet më të ngrohta për banorët e fshatit dhe i uroi për vënien e gurthemelit.
Ndërsa Kryeimami i Kosovës Sabri ef. Bajgora nuk fshehu emocionet e tij kur u shpreh:”Xhamitë i ndërtojnë ata njerëz që kanë besim në Zotin, e falin namazin dhe e japin zeqatin. Kontributi i besimtarit në këso lloj veprash, sigurisht se kërkon plotësimin e dy kushteve parësore që janë devotshmëria dhe ndjenja e sinqeritetit dhe dëlirësisë së shpirtit. Ai njeri që kontribuon në ndërtimin e një xhamie, padyshim që Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në xhenet. Secili prej nesh të përpiqet të jetë hisedar i pallateve të përgatitura për ne në xhennet. Ky objekt fetar, le t’mos shërbejë thjesht vetëm për lutje, por të jetë një vatër e nxënies së diturisë së mirëfilltë, një vatër nga ku do të rrezatojë gjithmonë drita e Islamit dhe edukimi i brezave dhe gjeneratave të reja, ashtu siç ishte në të kaluarën tonë të lavdishme, të kaluarën e afërt dhe të largët, kur populli ynë vendimet më madhore i merrte në shtëpitë e Zotit, pra, pikërisht në xhami. Le të jetë pra ky, vendtakimi ynë i përhershëm, ku bashkërisht, në mënyrën më të bukur e më modeste do t’i drejtohemi Krijuesit tonë Allahut xh.sh., duke e lutur përherë për mirëqenien tonë në të dy botët”.
Në përfundim, u vendos gurthemeli i xhamisë nën përcjelljen e zërave të bukur të një grupi imamësh, tekbiret e të cilëve gumëzhinin pafund dhe e bënin edhe më magjepsëse dendësinë e pyjeve joshëse dhe vargmaleve të shumta të malësisë së Kaçanikut.
Kryeimami Bajgora, gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Ahmet Sadriu, Fatmir Iljazi, Rexhep Luma dhe Salih Jashari.