Nexhat Ibrahimi

Loja e standardeve dhe kritereve të dyfishta ndaj muslimanëve është e pranishme dhe kohët e fundit është intensifikuar si në botën e jashtme ashtu edhe në Kosovë. Shembulli më i mirë për këtë është raporti dhe marrëdhëniet e Botës Perëndimore por edhe të vendorëve ndaj organizatave humanitare nga vendet islame në Kosovë dhe përgjithësisht në botë, të cilat janë bërë ‘nishan’ ideal për spekulime të nduarnduarta, sulme mediale, bastisje, e madje edhe arrestime e burgosje.

 

Edhe pse nuk ka qenë e dukshme dhe e kapshme për të gjithë, kjo gjendje ishte e pranishme edhe më herët, po edhe gjatë luftës, nga presione indirekte mbi udhëheqësit vendorë që t’u shmangen kontakteve me shoqata apo individë nga vendet muslimane. Këtë e kanë bërë edhe vetë perëndimorët, duke penguar vendet muslimane të ndihmojnë për vëllezërit e tyre në Kosovë. Por, kjo fushatë, fillimisht e fshehtë, e tash e hapur, në pulika arrinte e minimizuar. Thënë më qartë, kjo fushatë ka qenë e kohëpaskohshme dhe e kamufluar.

Në ato çaste të vështira, në mungesë të informacioneve të vërteta, për perëndimorët ishte me rëndësi që opinioni shqiptar por edhe ai botëror të krijonte bindjen se ndihma humanitare vjen nga Perëndimi e me qëllim që Perëndimi të fitojë simpatinë e popullatës shumicë absolute muslimane në Kosovë, ndërsa të krijonte neveri ndaj Lindjes muslimane, duke i trajtuar ata popul si terroristë, injorantë, pikërisht ashtu siç bënte Serbia me boshnjakët dhe sidomos me shqiptarët.

Skenar i ngjashëm është zhvilluar edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur vendi duhej ndërtuar, kur të zhvendosurit duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të ndihmohej që shteti ligjor të merrte frymë, organizatat humanitare nga vendet islame ishin nën rrebeshin e sulmeve dhe në pamëshirën e qendrave vendosëse. Kjo fushatë sistematike, e ndihmuar edhe nëpërmjet paraqitjeve publike dhe shkrimeve të ndryshme të kishës katolike e të satelitëve të saj ndër renegatët muslimanë, ka rezultuar me zvogëlimin gradual të angazhimit të tyre humanitar e kulturor ndër ne.

Në dallim prej organizatave humanitare nga vendet islame, organizatat humanitare perëndimore kishin dhe kanë përkrahjen nga të gjitha anët, nga organizatat qeveritare e joqeveritare, nga individët e deri te grupet e ndryshme, dhe numri i tyre në Kosovë rritet vazhdimisht? Nuk duhet shpërfillur pyetja: Pse këto organizata perëndimore nuk ishin të pranishme në Kosovë para dhe gjatë luftës në anën shqiptare dhe a e kontrollon punën e tyre tash dikush dhe kujt i japin llogari ato?!? A ka mundësi t’u thotë dikush atyre se bën a nuk bën kjo punë apo ky aktivitet! Është bindje imja se këto organizata kanë më shumë liri veprimi në Kosovë sesa në vendet prej nga kanë ardhur.

Ngjarja e 11 shtatorit 2001 ishte shkas dhe arsye e shkëlqyeshme, madje për disa e mirëseardhur, për ata që dirigjojnë politikën botërore që presioni mbi organizatat humanitare nga vendet muslimane por edhe mbi të gjitha vendet muslimane që tregohen ‘të rebeluara’ dhe nuk pranojnë ‘të eksploatohen’ politikisht e ekonomikisht, të shndërrohet në sulme të hapura mbi to, si në rrafshin botëror, evropian e ballkanik, ashtu edhe në Kosovën e vuajtur e të përvuajtur. Organizatat humanitare nga vendet islame kudo përcillen me vëmendje të madhe, madje u bën edhe bastisje e arrestime të shpeshta. Nuk çan kokën kush që me këto veprime shkelen të drejtat njerëzore me të gjitha kartat e konventat ndërkombëtare, dhe askush nuk shtron pyetjen se a ndodh diçka e këtillë me organizatat humanitare perëndimore (fundamentaliste katolike, fundamentaliste protestante, jehoviste, sataniste, ato sekulariste, laiciste etj.).

Shekujt XVIII e XIX në mënyrë të tërthortë, kurse shekujt XX dhe XXI në mënyrë të drejtpërdrejtë karakterizohen nga lufta për fitimin dhe grabitjen e shpirtit të shqiptarit musliman për nevojat (pagano-judeo-kristiane) perëndimore, dhe fund të fundit, nëse ky përfitim i shpirtrave nuk arrihet atëherë së paku të krijohet barrierë serioze, skepsë dhe indiferencë ndaj vlerave tradicionale kolektive e individuale të shqiptarëve muslimanë.

Është e qartë se roli i organizatave humanitare nga vendet islame është ndërtimi apo rimëkëmbja shpirtërore dhe materiale e shqiptarëve muslimanë e të tjerëve në Kosovë, dhe këtë e kanë dëshmuar me ndërtime të shumta të disa dhjetëra shkollave, me ndërtimin dhe aftësimin e disa mijëra shtëpive të shkatërruara, të djegura a të dëmtuara, disa dhjetëra ambulansave dhe me investimin e disa milionë dollarëve në Klinikën Universitare të Kosovës dhe spitale tjera, me kujdesin e vazhdueshëm ndaj mijëra jetimëve në Kosovë, aftësimin e disa mijëra kursistëve në gjuhën angleze, gjermane e arabishte, për kompjuter, internet, rrobaqepësi e të tjera. Ata ndihmuan të gjitha këto, e fjala vjen nuk e ndihmuan ndërtimin e objektit të ri të medresesë së Prizrenit, e cila për vite zvarritet në mungesë të mjeteve materiale, ndonëse me kohë është konkurruar në organizatat humanitare muslimane.

Zotërinj përkrahës a kundërshtarë, nëse dikush duhet të jetë i pakënaqur nga prania e organizatave humanitare nga vendet muslimane, ajo është organizata vendore e Bashkësisë Islame, e cila më së paku ka përfituar nga prania e tyre në Kosovë, ndonëse potenciali ekonomik e shpirtëror i saj është përgjysmuar. Madje, në rrafshin doktrinar Bashkësia Islame ka përjetuar përzierje në kompetenca, nga përçarja e besimtarëve në bazë medhhebesh. Mirëpo, për këto kam shkruar më herët në “Diturinë Islame” dhe me këtë rast nuk do të flas. Nëse mendohet se këto organizata muslimane kanë gabuar, sepse paskan ndërtuar disa XHAMI të shkatërruara a të djegura, është shumë gabim, sepse edhe xhamitë janë pjesë e këtij populli (dëshiroi apo nuk dëshiroi këtë ta pranojë elita politike shqiptare e cila është injorante, indiferente, frikacake dhe gjithnjë laramane) dhe sikur që ‘presidentët’ (jo vetëm Rugova) angazhohen për kisha e katedrale, pastaj për shënjtërimin e të a.q. ‘nënë Terezë’ e të Gjergj Kastriotit, për ngritjen e busteve për imzotët katolikë, për glorifikimin e personaliteteve ortodokse apo katolike shqiptare etj., – ata duhet të angazhohen edhe për xhamitë dhe edhe për besimtarët shqiptarë muslimanë, prej të cilëve në fund të fundit jetojnë në bollëk e luks hiç më pak se politikanët e shteteve më të zhvilluara.

A mbahet mend që një organizatë perëndimore të ketë ndihmuar një projekt të Bashkësisë Islame, të medreseve në Kosovë (mos llogaritë xhaminë në fshatin Shqiponjë a në Pejë apo edhe ndonjë ‘thërmijë’ të ngjashme, të ndërtuara nga perëndimorët për arsyera politike), e të ngjashme, kurse është e qartë se këta sponsorojnë klubet e plesit, ekskursionet në Perëndim, seksin e lirë e madje edhe heterogjen, nxisin amoralin drejtpërdrejt me trajnimin si të bëhet dashuri me ‘kondom’ e jo të bëhet dashuri sipas vlerave tradicionale, fetare, qofshin islame apo kristiane e hebraike, sponsorojnë gazeta, revista, filma, drama, vepra ‘fëlliqane’, sponsorojnë shpërndarjen e dhuratave për vitin gregorian, për ditën e shtrigave irlandeze, për gjithfarë ditësh të huaja, për shqiptarët pa kurrfarë rëndësie; shpërndarjen e librave të sekteve më të ndryshme nëpër jetimore, çerdhe fëmijësh, tregje, shkolla, klube, nëpër kurse për mësimin e gjuhëve të huaja etj. Pra, me përjashtime të vogla, të gjitha projektet perëndimore në Kosovë janë të drejtuara kundër indentitetit fetar dhe tradicional të Kosovës, kurse shkenca e politika shqiptare e ndihmojnë drejtpërdrejt këtë angazhim perëndimor, ndonëse, besoj, janë të vetëdijshme se kjo Kosovën e çon në absurd, edhe në një gabim përcaktimi, edhe në një vonesë, edhe në një okuptim të ri, sepse politika perëndimore është fryt pagano – judeo – kristian, inkuizicionalo – kryqëtar, kolonialo – neokolonial, modernist – postmodernist, që Kosovën do ta shndërrojë në një ‘prostitutë politike’, siç e pohon këtë për një rast tjetër dhe me një rast tjetër Rozhe Garodi. Ky mendim imi nuk është thirrje për linç kundër Perëndimit, por thirrje për mirëkuptim ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve botërore, sepse dhuna perëndimore vetëmsa do të lind dhunë të re, që nuk çon askund. Perëndimi duhet të gjejë rrugëdalje vetjake për krizën e madhe fetare, morale, ekonomike, sociale, kulturore që mbretëron në Perëndim, e jo ta kamuflojë këtë krizë të veten komplekse me dhunë për t’i verbuar ‘spektatorët’ me kriza të njëpasnjëshme në botë dhe me armiq të njëpasnjëshëm në kohë. Kthimi i mirëkuptimit të ndërsjellë çon nga zgjidhja e problemeve. Perëndimi posedon fuqi materiale, kurse Lindja posedon fuqi shpirtërore. Njëra pa tjetrën do të dështojnë. Të dyja do të sjellin mirëqenie dhe rehati për të gjithë.

Islami nuk njeh Lindje e Perëndim, Jug e Veri në kuptimin perëndimor. Islami njeh njeriun dhe botën përreth si tërësi, vlerat njerëzore, pa përparësi racash, gjuhësh, kombesh, ku të gjithë të kenë të drejta njësoj.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…