Libër që vë në pah kontributin e ulemasë shqiptare për shtetin e kombin*

Të nderua të pranishëm!

Vëllezër e motra!

Ju dashamir të librit!

I Madhi Zot asgjë në këtë gjithësi nuk e krijoi rastësisht, pa qëllim të caktuar. Edhe zgjedhja e ajetit të parë të zbritur nga ana e Allahut xh.sh. te Muhamedi a.s. nuk ishte rastësi. Ai iu drejtua Muhamedit a.s. përmes melekut Xhibril me urdhrin: ”Lexo në emër të Zotit i Cili krijoi çdo gjë”.

Prezenca jonë sot këtu është para së gjithash, nder, respekt dhe obligim ndaj fjalës së shkruar, dhe mundit e djersës së autorit për shkrimin e këtij libri.

Ndaj në Islam nuk ka asgjë më të shenjët se studimi, leximi, marrja me dije e shkencë në të gjitha fushat. Njeriun nga vetë natyrshmëria e tij gjithherë e tërhoqi dëshira për të lexuar e studiuar, në mënyrë që t’i lehtësoi jetën vetës dhe të njoh vetën, të kaluarën e tij, sukseset e dështimet, padrejtësitë e mizorit e shumta të ushtruara mbi të qenurit njeri.

I nisur nga ky parim edhe autori i këtij libri, Dr. Fahrush Rexhepi iu qasë kësaj fushe që përmes fakteve historike, të argumentoi e vërtetoi kontributin e hoxhollarve –atdhetarëve Islam, kontribut i cili gjatë sistemit komunist ateist qëllimisht ishte injoruar, pa asnjë të drejt. Studiuesi Dr. Fahrush Rexhepi, pas një pune të palodhshme tuboi argumente e fakte të shumta të cilat vërtetojnë se shumë nga ylemaja shqiptare kishte dhënë kontribut të madh për çlirimin e vendit qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit tash e 135 vjet më parë.

Libri “Periodiku shqiptar Islam“ i Dr. Fahrush Rexhepit, të cilin po e promovojmë sot para kësaj audience të nderuar e respektuar, na ndërgjegjëson edhe më shumë vetëdijen deri në masën që të jemi gjithherë gjurmues i së mirës sonë.

E kaluara jonë pa pik dyshimi ka një të kaluar përplot padrejtësi historike të cilat duhet ndriçuar dhe ofruar brezave të rinj në mënyrë që të dinë mbi të kaluarën dhe sakrificat e shqiptarëve nëpër shekuj.

Politika përjashtuese e sistemit komunist, për dhe mbi fenë, bëri që shumë atdhetar të mbesin të pa studiuar sa duhet, si: Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla Idris Gjilani, Daut Boriqi, Hoxha Tahsini, Ali Jakupi, Haxhi Ymer Prizreni, Hafiz Ali Riza Ulqinaku, Mehmet Akif Ersoj, Haxhi Vehbi Dibra, Mulla Hasan Masurica, Ismail Ndroqi, Hafiz Ali Korca, Imam Vehbi Ismaili, Ibrahim Dalliu, e shumë të tjerë të cilët dhanë nga vetja gjithçka për të mirën e atdheut. Këto e figura të shumta tjera si këto duhet të hulumtohen e studiohen nga hulumtues e studiues, e historian të shumtë të kombit tanë.

Këta thjesht nuk ishin vetëm hoxhë, por personalitete të rralla të përhapjes së kulturës, arsimit, ishin njerëz me vlera të shumanshme intelektuale, njerëzore e kombëtare.

Këta hoxhallarë sollën forcimin e ndërgjegjes dhe ideologjisë kombëtare të shqiptarët’ që u shpreh me ngritjen e vetëdijes së gjithë mbarshme në shkallë shumë më të lartë të kombit në luftë për ardhmërinë dhe çlirimin e vendit.

Autori sjell në pah përmes këtij libri edhe shumë kuvende të mbajtura, ku shqiptarët u zotuan për ti dal zot atdheut. Por edhe shumë lufta të zhvilluar në mbrojtje të identitetit fetar e kombëtar.

Edhe prej këtij libri sipas autorit Dr. Fahrush Rexhepi mësojmë se lidhje me këtë çështje të kontributit të ulemasë shqiptare për çlirimin e vendit nuk është shkruar mjaft. Kjo kërkon nga hulumtuesit e kësaj fushe, që me punën e vet shkencore e kërkimore ti japin të drejtën gjeneratave të ardhshme që ato të njihen me realitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve afër një shekulli.

Falë këtyre dhe shumë patriotëve të tjerë, dëshmorëve dhe gjakut të derdhur për liri pa pushuar, sot mund që të kaluarën tonë ta lëvrojmë vetë, të shohim se çfarë kemi mbjell në të kaluarën, duke larguar pengesat e hekurta të cilat në të shumtën e rasteve shtrembëruan historinë tonë. Ta themi të vërtetën se e gjithë përpjekja e atdhetarëve tan ishte për çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar.

Në këtë libër të Dr. Fahrush Rexhepit shohim përsiatjet dhe sfidat e tij, duke filluar nga vet studimi i cili duhej të ishte i pajisur me virtytin e lartë moral për të thënë të vërtetën historike. Moral i cili pastron shpirtin e mendjen në raport me realitetin dhe fushën të cilës iu qasë vetë autori i këtij libri, për ti ngritur në vendin e merituar personalitetet fetare të dëshmuara e të respektuara të kombit tanë, vend i cili afër një shekulli ishte

mohuar në historiografinë tonë. Autori këto “mistere dhe enigma” i bëri që ato të shoshiten, hulumtohen e studiohen pa paragjykim, e qëllim të njëanshëm.

Fundi i shekullit –XX-dhe fillimi i atij –XXI-dëshmon lindjen e një force të re e cila do ti rivitalizonte vlerat morale, në raport me hulumtuesit shqiptarë pas një përgjumjeje, e cila shkonte pjesërisht jo në favor të shqiptarëve. Po e përfundoi këtë përshëndetje duke e uruar autorin për këtë libër dhe suksese të vazhdueshme në punën e tij të mëtutjeshme.

*Fjala përshëndetëse e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në promovimin e librit “Periodiku Shqiptar Islam (Gjysma e parë e shekullit XX)”, të autorit dr. Fahrush Rexhepi, të mbajtur në Prishtinë më 15 maj 2013.

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në Akademinë përkujtimore kushtuar Haxhi Mustafë ef. Dervishollit

E nderuara familja Dervisholli Të nderuar drejtues të institucioneve të BI të Kosovës Të n…