Mr. Naim Tërnava
(Myfti i Kosovës)
S’ka pikë dyshimi se i Madhi Zot krijoi këtë gjithësi prej Jo në Po. Pra ekzistencës i parapriu mos ekzistenca. Allahu krijoi Universin dhe gjithë çfarë ka në te, në qiej, tokë, ujë, çfarë shohim dhe kemi njohuri për te, dhe atë që mbetet jashtë kompetencës e mundësisë se arritjes njerëzore. Allahu xh.sh me krijimin e Universit përgatiti edhe kushtet e krijimit të njeriut të parë Ademit a.s. babës së njerëzimit, prej tij edhe nënën e njerëzimit Havan për ti dhenë edhe më domethënie e vlerë të merituar jetës mbi sipërfaqen e tokës.
Allahu xh sh thotë.”Veç krijova njeriun në formën më të përsosur”.
Nga ky ajet kuranor mësojmë se Allahu i dhuroi njeriut atribute, cilësi e veçori që nuk iu dhuroi gjallesave tjera, dhe me këtë i besoi edhe mëkëmbësin mbi sipërfaqen e tokës. Ati i takoi përgjegjësia dhe udhëheqja me jetën individuale, familjare e shoqërore, ngase ai posedon mundësin reale të organizimit të një rendi shoqëror ku do të respektoheshin të gjitha të drejtat e njeriut pavarësisht vendin, gjuhën, besimin, apo ngjyrën që posedon njeriu.
Njeriu si mashkulli ashtu edhe femra u krijuan të lirë dhe duhet të jetojnë të lirë, në respekt të vazhdueshëm e të ndërsjellët mes vete. Allahu krijoi njerëzit që ata të njihen e respektohen mes vete.
Allahu xh sh thotë:
“ O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”(Elhuxhurat-13).
Allahu krijoi fise e kombe të ndryshme që ata të njihen respektohen e çmohen mes vete, të gjithë njerëzit i krijoi të barabartë pa asnjë dallimi, si në shpërblim ashtu edhe në ndëshkim Ai thotë:
“(Që në to shkruan) Se askush nuk e bartë barrën e (mëkatit) tjetrit.
Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar”.(Enexhm-38-39).
Mund të them me përgjegjësi të plotë se gruaja asnjëherë gjatë historisë njerëzore nuk mori vendin e merituar në raport me burrin, derisa erdhi shpallja e fundit dedikuar njerëzimit mbarë përmes Muhamedit a.s. i cili proklamoi kondita e ligje të një sistemi të ri jetësorë për mbarë njerëzimin. Në veçanti një respekt i madh iu kushtua edhe femrës duke i dhënë të drejta të plota e të barabarta me burrin deri atëherë të mohuara nga burrat, sistemet e ligjet e një shoqërie të pa organizuar e shkatërruese në raport edhe me gruan.
Ai u zgjua me një energji të pa parë duke thirrur në atë se: ”Pa dyshim,gruaja është e njejt,e ngjashme dhe e barabartë me burrin”.
Ti hedhim një vështrim gjendjes së gruas para ardhjes së Muhamedit a.s.-shpalljes së fundit Kuranit.
Para ardhjes së Muhamedit a.s. dhe komunikimit të shpalljes së fundit, në mbar botën femra zotëronte shumë pak të drejta, pavarësisht se ku ajo jetonte dhe cfar sistemi e ligje ishte e detyruar tu nënshtrohej. Ishin pre e plotë e padrejtësive të burrave të tyre kudo që ndodheshin. Ajo shitej dhe blihej si mall tregtar, ajo detyrohej të martohej pa dashurin e sajë, ajo linte trashëgimi por nuk trashëgonte asgjë, ishte pronë e të tjerëve dhe vetë nuk zotëronte asgjë.
Para se të flasim për dhunën në familje, po sjellim disa të dhëna mbi gjendjen dhe pozitën e gruas nëpër botë .
Në Indin e vjetër gruaja nuk zotëronte të drejtën e martesës, të trashëgimisë dhe asnjë të drejt në fushat e tjera,duke u nisur nga konsiderata për prirje të këqija, për karakter të dobët dhe moral të shëmtuar, përshkruhej si një krijesë më e keqe se cikloni, vdekja, helmi e gjarpri.
Në Iran martesa me motrën ishte e lejuar, madje një gjë e tillë edhe nxitej.
Në Kinën e vjetër gruaja nuk trajtohej si njeri, madje as emër si vihej, gruaja thirrej me numra si njëshi, dyshi, treshi e kështu me radhë, djemtë konsideroheshin të drejt ndërsa vajzat jo.
Edhe në Angli e Evropë gjendja ishte e njëjtë, shumë tubime u mbajtën në mesjetë që të arrihet deri te e vërteta për gruan, nëse ajo i përket gjinisë njerëzore apo është diçka tjetër. Mes shekullit të V-XI, burrat mund t’i shisnin gratë, dhe ajo vazhdimisht ishte vështruar si “djall”. Ajo nuk mund as ta prekte Ungjillin, kjo zgjati deri në kohën e sunduesit Henrikut të –VIII-1509-1547, ku edhe grave iu mundësohet leximi i Ungjillit.
Në Romën dhe Greqinë e vjetër ajo konsiderohej si një mall i shkëmbyeshëm i cili duhet të kaloi prej dorës në dorë. Romakët argëtoheshin me zbulimin e torturave ndaj femrës edhe pse ajo nuk kishte bërë asnjë krimi, torturat ishin prej më të ndryshmëve. Si derdhja e katranit të valë në trup, lidhja e këmbëve për kuaj dhe detyrimi i tyre të shkojnë në kahe të ndryshme e në këtë mënyrë të qahej përgjysmë e gjora. Djegia e tyre në zjarr për së gjalli etj. (Të gjitha këto të dhëna i gjejmë në Enciklopedinë e shekullit XX).
Në gadishullin arabik në kohën e injorancës ishte po e njëjta situatë, ndoshta edhe më e dhimbshme në raport me gjininë femërore. Para Muhamedit a.s-shpalljes së fundit gruaja plotësisht trajtohej si mjet i plotësimit të epsheve të mashkullit, ajo ishte e privuar nga të gjitha të drejtat. Nga pikëpamja materialiste konsiderohej si barrë, nga ajo shpirtërore si shkak turpi e poshtërimi, ligjet e asaj kohe në këtë pjesë të botës vajzën e varrosnin për së gjalli, këtë e argumenton edhe Kurani.
“Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla,
Për çfarë mëkati ato janë mbytur”.(Et-tekvir:8-9)
Islami si sistem fetar në strukturën e ligjeve të saja e ka sistematizuar femrën në të gjitha format qoftë ajo vajzë e vogël, jetime, vajzë e re, grua e re, grua plakë, e shkurorëzuar, grua e vejë, nënë, motër duke e bërë femrën element kyç të shoqërisë duke i dhënë vlerën, rëndësinë, autoritetin kufizimet dhe përgjegjësit.
Islami i ka kushtuar femrës dhe rolit të sajë në shoqëri një kujdes e rëndësi të madhe, e cila i siguron asaj nderin, krenarin dhe pozitë të lartë në shoqëri.
Prej një pozite të nëpërkëmbur, të përbuzur e të urryer, prej një gruaje e cila konsiderohej plaçkë tregu, e cila kishte humb shpresën e një trajtimi njerëzorë, e lëre më të rolit në shoqëri. Muhamedi a .s. zgjohet me një energji të paparë ndonjëherë në raport me femrën- grat, duke i dhënë vendin e merituar në shoqëri, duke i ngritur ato në pozitën e barabartë me mashkullin, atë pozitë që e garanton edhe Kurani, kur Allahu thotë në shenjë të mashkullit dhe femrës:
”Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”.(Ennahl:97).
Islami garanton se kush bënë vepër të mirë qoftë mashkull apo femër, do ti shpërblejmë për angazhimet dhe punët e tyre në këtë dhe botën tjetër Islami na bënë me dije se Allahu nuk humb mundin e askujt prej nesh qoftë mashkull apo femër. Burrat dhe grat janë të barabartë në çdo obligim që ka urdhëruar Allahu xh.sh., me përjashtim të atyre rasteve që janë specifike për femrat, kur thotë:
“Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër…..”(Ali-Imran:195).
Islami urdhëron në dashuri e respekt ndaj gruas e jo dhunë, urrejtje, sharje të çfarëdo lloji qofshin ato. Mirësjellja me gra është urtësi e urdhëruar nga i Madhi Zot. Ai në Kuranin famëlartë para 14 shekujsh thotë, në shenje respekt, nderi e dashurie mes gruas dhe burrit.
“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”(Errum:21).
Derisa edhe Muhamedi a.s. me një hadith thotë:
”Më i miri është ai i cili më së miri sillet ndaj grave, ato janë nënat e fëmijëve tanë”.
Nga ky ajet kuranor mësojmë se gruaja është krijesa te i cili burri gjen prehjen e tij, përmes kësaj prehje reflektohet mëshira dhe urtësia e të Madhit Zot që ka krijuar mes qiftit bashkëshortor. Ndaj grat meritojnë një respekt të veçantë, edhe nga fakti se ato për nga numri janë gjysma e njerëzimit, por edhe gjysmën tjetër e kanë lindur ato.
Femrën e shohim si krijesën më të çmuar, të dlirë, por në të njëjtën kohë edhe më të përvuajtur. Gruaja (nëna)përkundër vështirsive të shumta që mban mbi supe ajo në vazhdimësi përkujdeset për fëmijët, burrin, shtëpinë. Rendësin e sajë e shohim në çdo aspekt të jetës, ajo është edhe shkaku që jemi këtu ku jemi, është me ne dhe pran nesh që nga momenti kur jemi në brendinë e sa j(në mitrën e saj) në çastin e lindjes, gjatë kohës së fëmijërisë kur ajo me net të tëra mbete pa gjumë. Nëna është ajo e cila na mëson edhe rrjedhën e jetës, dhe gjatë gjithë rrugëtimit janë këshillat e saj që na bëjnë ti japim domethënie jetës.
Gruaja është elementi struktura më e fortë brenda familjes, nëna-gruaja është ajo e cila gatuan një komb. Në shikimin e islamit ajo është aq e shenjët sa që Pejgamberi na thotë: ”Xheneti është nën këmbët e nënës”. Përpjekja për ti dhënë asaj ndonjë vend apo trajtim tjetër është ta vulgarizosh atë. Ajo është edhe një heroinë dhembshurie, ajo dridhet mbi kokën e fëmijëve të sajë, me ndjenjën e madhe dhembshurie që i ka fal Allahu xh.sh.
Megjithatë gruaja është ajo e cila ka vuajtur dhe vuan së tepërmi nga trajtimi jo i drejt i sajë nga shoqëri të ndryshme. Asaj frika nga më e keqja i kufizon rrugën, kahen e jetës, kohen, drejtimin kah ajo të ecën gjithherë me frikën e ushtrimit të dhunës edhe jashtë shtëpie nga njerëzit e pa rrugë.
Nëpër lufta të shumta e trazira ajo keqtrajtohet pa far mëshire, në të shumtën e rasteve është viktimë e të tjerëve, dhe gruaja përjeton më të keqen, këtë e kemi përjetua edhe ne në luftën e fundit në Kosovë.
Allahu xh.sh e nderoi tërë gjininë femërore përmes Merjemes nënës së Isait kur e quajti edhe një nga kaptinat e Kura’nit :”Kaptina Merjem” dhe kaptinën tjetër “Kaptina e grave”. E kjo edhe më i shton dhe ngrit pozitën dhe rolin e femrës në shoqërinë njerëzore,gjithherë duke respektua fjalët e Allahut dhe thëniet e Muhamedit a.s.
Islami i njeh dhe kujdeset për dallimet natyrore mes tyre, duke respektuar specifikat e tyre dhe duke iu dhënë vendin e merituar. Femra sipas islamit ka të drejtën e arsimimit, të drejtave civile, ato sociale, politike, ekonomike, kulturore etj, gjithherë duke respektuar rolin që ajo mund ta ketë në shoqëri, dhe dhënien e kontributit në çdo pore të jetës.
Pavarësisht arritjeve njerëzore në të gjitha fushat shkencore, arsimimit shumë të madh në krahasim me të kaluarën, prapë dhuna ndaj gruas brenda në familje dhe jashtë sajë mbetet shumë shqetësuese, dhe alarmante për shoqëritë njerëzore pavarësisht se ku ajo jeton, dhe çfarë besimi i takon. Të dhënat janë alarmante dhe shqetësues nëpër tërë botën. Burri pa pikë mëshire përdorë fuqinë fizike, verbale, psikologjike, emocionale, ekonomike, shpirtërore etj, për të ushtruar dhunë n daj gruas.
Unë gjatë fjalës sime përdora edhe ajete kuranore dhe Hadithe të Muhamedit a., por shtrohet pyetja çfarë është gjendja e femrës sot edhe nëpër shtetet Islame. Unë them se në disa shtete të drejtat e femrës-gruas shkelen pa mëshirë, atyre iu është nëpërkëmbur dinjiteti, ato gra jetojnë në errësirat e mashtrimit.
Ato nuk trajtohen sipas porosive të Allahut xh.sh dhe porosive të Muhamedit a.s. Ato nga dhuna e ushtruar mbi to pranojnë çdo gjë që kërkohet prej tyre pa pasur mundësin që ato ta thonë atë që e mundon në shpirt. Një pjesë e grave nëpër vendet Islame vuajnë edhe nga traditat dhe zakonet e tyre të cilat edhe pse bien ndesh me parimet Islame mundohen t’ia mbështesin fesë.
Edhe në shoqërinë Evropiane, amerikane e gjithë botërore, sot kur thirremi në vlera kulturore e qytetruese njerëzore, në shumë konventa ndërkombëtare ku femrës i garantojnë të drejtat e saj, megjitrhatë ato nuk respektohen, shohim se padrejtësi të shumta dhe dhunë e vazhdueshme ushtrohet ndaj gruas.
Muhamedi a.s. për të tillët thotë:
“Nuk i nderon gratë veçse një fisnik, dhe nuk i keqtrajton vetëm një i ligë”.
Dhunë ndaj grave ushtron vetëm i ligu të cilit i mungon edukata,dhe te i tilli nuk ka zënë vend sa duhet fjala e Zotit. Fatkeqësisht dhuna ndaj femrave – grave është e shumtë dhe e llojeve të ndryshme.
Nuk guxojmë të kuptojmë me termin dhunë në familje vetëm çuarjen dorë mbi gruan, por dhuna është e natyrave të ndryshme ,nga ata të cilët mendojnë se problemet zgjidhen me dhunë.
Po flasim pak për shoqërinë Kosovare dhe dhuna e ushtruar ndaj gruas.
Dhuna është e llojit, ekonomik, social., shpirtëror, moral, psikologji, të cilat manifestohen përmes kërcimeve verbale dhe atyre fizike.
Hasim edhe në dhunë tejet banale, ku gruaja kërcënohet me shkurorëzim nëse ajo nuk i lind djalë, vërtet injorancë e pa shembull e raste të tilla ka pasur dhe kemi ende edhe sot fatkeqësisht. Sharjet e vazhdueshme dhe kërcënimet për shkurorëzim, rrahja e fëmijëve që shkakton trauma shumë të mëdha të aspektit psikologjik. Dhunë e cila nuk mund në asnjë mënyrë të justifikohet, duke menduar se kjo është rruga e zgjedhjes së problemeve e zënkave, të cilat kanë rezultuar shumë herë edhe me shuarje jete, dëmtime të shumta trupore etj.
Burri ushtron dhunë mbi gruan edhe kur është i dehur, nën presionin e përdorimit të substancave narkotike, të cilat po përfundojnë tragjikisht.
Shtrohet pyetja çfarë duhet bërë! Duhet të jemi spektator pasiv apo të veprojmë që s’paku ta zbusim këtë dukuri të shëmtuar e cila fatkeqësisht është prezentë edhe në shoqërinë tonë Kosovare te të gjitha kategoritë e njerëzve, qytet e fshat.
Bashkësia Islame përmes 800 imamëve të sajë së paku për çdo të premte përmes ligjëratave nëpër xhami mundohet që të udhëzoi besimtarët drejt e mirë, që ata të largohen nga çdo vepër e shëmtuar dhe e ligë dhe të përqafojnë edhe më shumë mësimet e Kuranit dhe hadithit që ata të jenë njerëz të mirë dhe të kontribuojnë edhe më tepër për ardhmërinë e vendit tonë. Por kjo nuk mjafton: Në pamundësi që të kontaktojmë me masën për çdo ditë përmes mjeteve elektronike dhe të shkruara rezultatet mbeten të zbehura. Duhet ditur të gjithë se pa edukim shpirtëror nuk luftohen dukurit negative në shoqëri. Duhet një bashkëpunim edhe më i madh mes institucioneve të vendit me bashkësitë fetare në mënyrë që të luftojmë dhunën në familje, dhunën ndaj grave, dhunën e prindërve ndaj fëmijëve, dhunën e fëmijëve ndaj prindërve, vetëvrasjen si dukuri e shëmtuar me të madhe pas luftës në Kosovë,vëllavrasjet, përdorimin e substancave narkotike,prostitucionin,përdorimin e alkoolit etj.
Asnjëherë nuk do të arrijmë rezultate të prekshme nëse iu qasemi këtyre problemeve brenda shoqërisë sonë një anshmërish, për të pasur rezultate duhet bashkërenduar punët.
-Nuk luftohet dhuna në familje duke e mbajtur atë sekret, dhuna duhet denoncuar nga kushdo qoftë, e jo për të pritur vetëm nga viktima
-Duhet rritur luftën kundër abuzuesve.
-Nuk duhet minimizuar ankesat e viktimës
-Nga frika se po e shkatërron folenë familjare dhe po i humbas fëmijët gruaja fsheh abuzimet, ajo pranon nënçmimin, rrahjen edhe fizike nisur nga ndjenja e dhembshurisë ndaj fëmijëve.
-Duhet nxjerr dhunën nga gjiri i familjes ku është strukur.
-Dhuna në të shumtën e rasteve është mbërthyer nga kodi i heshtjes.
-Dhuna në familje nuk duhet të jetë çështje e izoluar por sfidë me të cilën duhet ballafaquar.
Muhamedi a.s. shpeshherë ua kujtonte shokëve të vetë thënien: ”Siç keni ju të drejta mbi gratë,edhe ato kanë të drejta mbi ju”.
Islami e ka shpëtuar atë nga ferri i poshtërimit dhe nga nënshtrimi i plotë ndaj burrave, dhe e ka ngritur atë në shkallën më të lart të fenimitetit të ndershëm dhe të respektuar.
Roli i gruas sipas Islamit nuk është thjesht qëndrimi i saj në shtëpi dhe përkujdesja për fëmijët dhe shtëpinë, edhe pse është prej obligimeve prioritare. Ajo është edukatorja dhe mësuesja e brezit të ri. Ajo jep kontributin e saj në të gjitha poret e jetës.
Gruaja e pastër që ka frikë Allahun është konstruktive, produktive, syçelur, e ditur e edukuar dhe e sjellshme. Ajo plotësisht i kupton detyrat ndaj Allahut, ndaj vetvetes, prindërve bashkëshortit fëmijëve e shoqërisë mbarë.
Me bashkëshortin ajo duhet të jetë grua ideale, inteligjente, e respektuar, tolerante dhe e dashur, e gatshme për ta nderuar atë dhe familjen e tij. Ajo mbush zemrën e tij me lumturi, paqe dhe qetësi.
Gruaja do të ishte e kënaqur sikur ajo të gëzonte të gjitha të drejtat dhe dhuntit që ia ka falur Zoti xh.sh.
*(Fjala e Myftiu të Kosovës, Mr. Naim Tërnava, në Tryezën e rrumbullakët “Roli i islamit në parandalimin e dhunës me bazë gjinore” bashkorganizuar nga UNFPA- misioni në Kosovë dhe Kryesia e BIK, më 8 maj 2013 në Prishtinë).