27.10.2018

I nderuari, kryetari i Kuvendit të BIK-ut , z. Ajni Sinani

I nderuari nënkryetar i Kuvendit të BIK-ut, z. Agim Hyseni

Të nderuar anëtar të Kuvendit të BIK-ut,

Të nderuar Kryetar të Këshillave të BIK-ut

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të FSI-së, Medresesë Alauddin

Të nderuar bashkëpunëtorë

I nderuar kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor

Sot, Trupi zgjedhor i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, më dha mandatin për të udhëhequr sërish me institucionin fetar më të madh në vend. Ky besim dhe kjo mbështetje më japin forcë dhe kurajë për të kryer detyrat dhe obligimet me përgjegjësinë më të madhe.

E dini, në rrugëtimin tonë institucional, kemi kaluar nëpër periudha të vështira dhe jemi ballafaquar me probleme nga më të ndryshmet, por bashkë, ia kemi dalë, sepse kështu do Zoti dhe kështu na urdhëron:

﴿وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّـهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا﴾

“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e Allahut, e mos u përçani!…” (AliImran, 103).

Bashkimi dhe uniteti janë jo vetëm objektiva të kësaj feje dhe imazhe të gjalla të saj. Feja na urdhëron që të bashkohemi të gjithë derisa të shkrihemi në një trup, që të ndajmë momentet e gëzimit dhe hidhërimit bashkërisht. Andaj, iu ftoj që të vazhdojmë me këtë unitet dhe ta kultivojmë atë, që të jemi shembull edhe për të tjerët.

Bashkësia Islame nuk është thjesht një institucion fetar. Kontributi i saj përfshinë gamë të gjerë aktivitetesh arsimore, kombëtare e shtetërore. Institucionet fetare dhe arsimore të Bashkësisë Islame, me theks të veçantë Medreseja e Mesme Alaudin, kanë shërbyer për dekada për aktivitete të rëndësishme arsimore, politike e humanitare. Kështu edhe do të vazhdojmë sepse ne jemi të popullit dhe populli është i yni andaj do të jemi gjithnjë në shërbim të tyre.

Bashkësia Islame edhe tani, në këtë periudhë tranzicioni, të formimit të shtetit dhe institucioneve të saja, po jep kontributin e vet. Nuk janë të pakta dhe të lehta problemet me të cilat jemi ballafaquar dhe, po të mos ishte ndihma e Zotit, në radhë të parë, dhe vendosmëria jonë në radhë të dytë, gjërat do të ishin shumë më keq. Ne kemi qenë pengesë e pakalueshme për shumë veprimtari e veprimtarë dashakeq të Kosovës dhe popullit të saj. Dashurinë për këtë vend nuk mund ta na e blej askush, për asnjë çmim. Fenë dhe kombin i kemi gjërat më të shtrenjta që nuk i shesim. Këtë e kemi bërë, e bëjmë dhe do ta bëjmë në vazhdimësi që të dëshmohet përkushtim ynë i përjetshëm për popullin dhe vendin tonë.

Por, pavarësisht kësaj, më lejoni të them me keqardhje se Bashkësia Islame nuk ka gëzuar vendin dhe pozitën që meriton. Tani kur po bëhen dy dekada nga përfundimi i luftës, Bashkësia Islame ende nuk e ka të rregulluar pozitën juridike dhe ende nuk e ka të zgjidhur çështjen financiare të punëtorëve të saj. Tani kur po flas para syve kam gjithë ata punëtorë që, përkundër punës që bëjnë, nuk gëzojnë të mira materiale të mjaftueshme. Ata janë qytetarë të këtij vendi, janë taksapagues të këtij vendi, kanë dhënë shumëçka për këtë vend, andaj edhe ata kanë hise në këtë vend. Në Kosovë ende vazhdojnë të shkelen të drejtat fetare. Vajzave e grave me mbulesë ende ju mohohet e drejta për punësim dinjitoz neper institucionet e vendit edhe pse kushtetuta e vendit ua garanton këtë të drejtë. Nga këtu i bëj thirrje institucioneve tona që sa më parë të rregullojnë statusin juridik të bashkësive tona fetare, të garantojnë lirinë e manifestimit publik të besimit tonë, si dhe të ndajnë fond të përhershëm për financimin e institucioneve tona.

Një nga problemet me të cilin jemi identifikuar në dekadën e dytë të këtij shekulli është radikalizmi dhe pjesëmarrja e disa të rinjve tanë në luftëra jashtë vendit për të cilat që në fillim jemi deklaruar se nuk janë luftëra tona, nuk kanë të përbashkët asgjë me ne dhe me të vërtetat fetare. Qëndrimi ynë karshi ekstremizmit nuk është reagim emocional por parimor. Islami, si fe e paqes, tolerancës, mëshirës, nuk ka të bëjë asgjë me këto veprime të këqija, sado që kryesit të tyre të thirren në të. Ne, i jemi përgjigjur pozitivisht dhe aktivisht çdo nisme shtetërore dhe shoqërore për të luftuar ekstremizmin dhe çdo dukuri tjetër negative në vend. Tani jemi duke bashkëpunuar me organet e drejtësisë për të bërë deradikalizimin nëpër burgje. Konsideroj se ky bashkëpunim ynë duhet të evoluojë dhe të ngritët në nivelet më të larta sepse, duke institucionalizuar veprimtarinë fetare dhe duke ofruar edukim fetar nëpër shkolla, ne shmangim shumë dukuri. Kam frikë se konsumimi i lëndëve narkotike në vitet që vijnë do të jetë problemi më i madh me të cilin do të ballafaqohemi si shoqëri. Kështu, bashkë do të parandalonim shumë të këqija. Ne jemi popull i vogël, rininë e kemi resursin dhe asetin më të rëndësishëm, andaj nëse e humbasim atë, kemi humbur të gjithë.

Bashkësia Islame ka raporte të shkëlqyera me institucione fetare në rajon. Bashkërisht kemi realizuar projekte të rëndësishme akademike, kulturore e shoqërore. Kemi punuar dhe jemi zotuar të punojmë në të mirë të të gjithëve.

Për fund,

Më lejoni që t’iu falënderoj shumë për besimin që më keni dhënë. Zotohem se:
• Do t’i shërbej Bashkësisë Islame me besnikërinë dhe përkushtimin më të madh
• Do të angazhohem për të realizuar të drejtat që na takojnë si komuniteti fetar dhe si institucion.
• Do të punoj për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për veprimtarinë fetare.
• Do të angazhohem në ruajtjen dhe kultivimin e tolerancës ndërfetare nder ne si vlere e populli tone.
• Do të angazhohem në ruajtjen e rinise tone nga doktrinat ekstreme.
• Do të vazhdojmë me përkushtimin tonë për të qenë në shërbim të fesë dhe vatanit.

Edhe një herë, ju falënderoj shumë për besimin që më keni dhënë. Kam nevojë për ndihmën, këshillat, sugjerimet dhe lutjet tuaja.

Zoti na ndihmoftë!

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…