E nderuara familja Dervisholli
Të nderuar drejtues të institucioneve të BI të Kosovës
Të nderuar përfaqësues e drejtues të Këshillave të BI
Të respektuar kolegë dhe bashkëpunëtorë të rahmetliut
Të nderua të pranishëm
Motra e vëllezër!
Me lejoni që t’ju përshëndes dhe njëkohësisht t’ju falënderojë për praninë tuaj në këtë aktivitet që mbahet me rastin e kalimit në Ahiret të imamit tonë të shquar e njëkohësisht edhe udhëheqësit e drejtuesit shumëvjeçar të sektorit të financave në Kryesinë e BI të Kosovës, Haxhi Mustafë ef. Dervishollit.
Në fillim, më lejoni të theksoj faktin se ky aktivitet kushtuar Haxhi Mustafë efendiut mbahet me pakë vonesë, për shkak të rrethanave të cilat na i ka imponuar Pandemia Covid 19 dhe me të cilën po përballemi që afro tre muaj.
Të flasësh për Haxhi Mustafën, sidomos për ne që kemi pasuar rastin ta njohim nga afër, apo që kemi pasuar fatin që të punojmë e bashkëveprojnë me të, aq sa është privilegj, po aq është edhe përgjegjësi. Në të këtilla raste gjithnjë provojmë të gjejmë një pikë ku do ta mbështesim ngushëllimin tonë për humbjen e pakthyeshme. Pa dyshim se ngushëllimi më i madh për ne mbetet përkushtimi i Haxhi Mustafës për fenë islame dhe për atdheun, qoftë si imam, qoftë si nëpunës i bashkësisë islame, qoftë si veprimtarë i çështjes kombëtare, por qoftë edhe si individ i dalluar i shoqërisë sonë dhe si humanist.
Pasi që për shumicën prej jush rruga jetësore e Haxhi Mustafës është e njohur, megjithatë unë do të theksoj faktin se Haxhi Mustafa rrjedh nga një familje me traditë e taban të dëshmuar kombëtar e fetar, tipare këto të cilat u brumosen edhe në personalitetin e pinjollit të tyre, i cili e nderoi jo vetëm familjen e tij, por edhe trevën nga vinte ai.
Haxhi Mustafa i përket brezit të parë të nxënësve të Medresesë së Ulët të Prishtinës, ku pati fatin e mirë që të merrte mësime dhe të edukohej nga myderrizi i njohur i lëndëve fetare Bajram ef. Agani, myderrizi i Kuranit hfz. Ishak Saiti dhe profesori i gjuhës shqipe Haki Krasniqi, të cilët padyshim se lanë gjurmët e tyre në formimin e më tejmë të Haxhi Mustafës.
Të nderuar të pranishëm!
Rahmetli Haxhi Mustafa shquhej për thjeshtësinë në jetë, përkushtimin e zellin në punë, për modestinë e afërsinë me xhematin e popullatën. E donte misionin e imamit, sepse e donte fenë, i qe përkushtuar që herët kësaj detyre sepse ishte i përkushtuar në fe, prandaj dhe asnjëherë nuk u nda nga ky mision dhe nga kjo detyrë, pavarësisht se qe emëruar në pozita udhëheqëse fillimisht në Këshillin e BI të Gjakovës, për të kaluar më pastaj në detyrën e përgjegjësit të financave në Kryesinë e BI të Kosovës, ku punoi e kontribuoi deri në pensionimin e tij të merituar.
Rahmetliu, kudo që punoi dhe veproi, u shqua për angazhimin e tij maksimal në ngritjen dhe avancimin e administratës, e sidomos të sektorit të financave dhe ketë jo vetëm në Kryesinë e BI, por në të gjitha institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, përse ka një meritë të madhe dhe gëzon mirënjohjen e të gjithë atyre që patën fatin e nderin të bashkëpunonin me të.
Haxhi Mustafën e karakterizonte dashuria për punë dhe mbi të gjitha bashkëpunimi dhe korrektësia me kolegët dhe bashkëpunëtorët. Ai ishte shumë i përpiktë, parimor dhe shumë i kujdesshëm në punët që kryente dhe të cilat i ishin besuar.
Të nderuar të pranishëm!
Haxhi Mustafa, pavarësisht detyrave udhëheqëse që pati në kuadër të institucioneve të Bashkësisë Islame, ai megjithatë i mbeti besnik, sikurse u theksua, misionit të tij jetësor imamallëkut, që t’i shërbej xhematit dhe popullit të tij.
Haxhi Mustafa, me të përfunduar medresenë, pra që në rini, u emërua imam në Xhaminë “Alaudin” këtu në Prishtinë, për të shërbyer më pastaj për afro dy dekada si imam në xhami të ndryshme të qytetit të Gjakovës, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe zhvillimin e jetës fetare.
Në Gjakovë, Haxhi Mustafa, pati nderin dhe rastin që të punonte me ulematë e shquar të këtij qyteti, sidomos me myderrizin e shquar Fahri ef. Iljazin, për të cilin ai ruante kujtimet më të mira dhe gjatë bisedave vazhdimisht e rikujtonte për të mirë.
Në Gjakovë, Haxhi Mustafa, megjithëse i ri dhe jabanxhi, arriti të krijonte emër e nam të mirë, kjo edhe falë dhuntisë që ia kishe falë Allahu xh.sh. – zërit të tij të ëmbël dhe mënyrës se si e lexonte me aq shpirt e me aq ashk Kuranin fisnik dhe si e këndonte Mevludin në ceremoni dhe raste të ndryshme fetare.
Edhe pas transferimit nga Gjakova, Haxhi Mustafa vazhdoi të kryente detyrën e imamit, por tani në Xhaminë e Çarshisë të Prishtinës, për të zëvendësuar ish-imamin e shquar të kësaj xhamie Adem ef. Tërnaven, i cili kishte ndërruar jetë më 1982, rrugën e të cilit me shumë sukses dhe në mënyrë të denjë e vazhdoi imami i ri Haxhi Mustafa.
Por jo vetëm kaq, Haxhi Mustafa, me përkushtimin e tij model, shumë shpejtë arriti që të bëhej një ndër imamët më të preferuar nga xhemati i Prishtinës dhe sidomos për të rinjtë, nxënësit e studentë, të cilët shkonin enkas në këtë xhami për të dëgjuar derset e hytbet e Haxhi Mustafë efendiut që ishin motivim e inspirim jo vetëm për çështje fetare, por me theks të veçantë edhe për ato kombëtare. Kështu, derset, ligjëratat e hytbet që mbante Haxhi Mustafa në fund të viteve të ‘80 dhe gjatë viteve të ‘90 të shekullit të kalauar, përmbanin në vete aktualitetin e kohës me të cilin përballej vendi dhe populli ynë në rrugën e tij për liri e çlirim. Ky diskurs i ligjërimit kombëtar, ishte vazhdimësi e aktiviteteve të Haxhi Mustafës të nisura që në rininë e hershme drejtë pavarësisë dhe çlirimit të vendit.
Haxhi Mustafa në ligjërimet e tij gjatë viteve të ‘90 foli dhe nxiti për t’u angazhuar për lirinë e vendit, për rëndësinë e atdheut, për unitetin e bashkimin përballë armikut, ai e përkrahu hapur daljen në skenë të UÇK-së, të gjitha këto duke i konsideruar dhe duke i shpjeguar me të drejtë si detyrim fetar e kombëtar.
Për Haxhi Mustafën mund të flitet e të shkruhet shumë, por më lejoni që të konstatoj se ai ishte shembull i një imami e misionari të devotshëm, shembull i një atdhetari e udhëheqësi të shquar, i vendosur e me integritet të lartë moral e profesional, një model që gjithsesi duhet ndjekur nga gjeneratat e reja. Haxhi Mustafa e deshi xhaminë, u vu në shërbim të saj dhe të xhematit, iu përkushtua dhe i shërbeu Bashkësisë Islame dhe institucioneve të saj. Ai e deshi edhe vatanin e tij dhe për këtë dashuri ai u angazhua dhe punoi me tërë potencialin e tij.
Të nderuar të pranishëm,
Me rahmetli Haxhi Mustafën kam pasur rastin që të punoj që herët, dhe për të do të ruaj kujtimet më të mira. Gjithmonë do ta kujtoj për punët dhe angazhimin e tij fisnik dhe të pa ndalur për fenë dhe atdheun. Bashkësia Islame e Kosovës e konsideron për nder që në radhët e saj pati një personalitet si haxhi Mustafë efendi Dervisholli, i cili me këtë institucion nuk ishte i lidhur vetëm profesionalisht, por me tërë qenien dhe shpirtin e tij.
Në mbyllje të kësaj fjale në këtë Akdemi përkujtimore, dua të them se kalimin në botën tjetër të Haxhi Mustafë ef. Dervishollit, nuk është vetëm një humbje për familjen, nuk është vetëm një humbje e kolegut, për ne hoxhallarët është më shumë se kaq, është humbje e një njeriu meritor të shoqërisë sonë.
Zoti e shpërbleftë dhe e gradoftë me Xheneti Firdevs Haxhi Mustafën dhe e bëftë një nga ata që i përshkruan ajeti kuranor:
يَا أَيَّتُهَا النَّفْسُ الْمُطْمَئِنَّةُ ارْجِعِي إِلَى رَبِّكِ رَاضِيَةً مَرْضِيَّةً فَادْخُلِي فِي عِبَادِي وَادْخُلِي جَنَّتِي
“O shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyr mes robërve të Mi! Dhe hyr në Xhenetin Tim!” (el-Fexhër, 27-30)