(Përgjigje në shkrimin e Baton Haxhiu “Një ideal i munguar i Qemajlit”,  botuar në gazetën Express të datës 4 shtator 2008)

Mr. Qemajl Morina

Mr. Qemajl Morina

Nuk kam pritur se reagimi i  z. Baton Haxhiut lidhur me përgjigjen time  do të kalojë aq   qetë e në mënyrë paqësore. Jo për diçka tjetër, por duke e ditur temperamentin e Batonit si dhe qëndrimet tona diametralisht të kundërta  në të gjitha çështjet, që ishin objekt debati. Por, si duket  Batoni deshi që tërë këtë  ta përmbyllë në një fjali në fillim të reagimit: “Nuk dua të shkruaj për z. Qemajl Morina, sepse në reagimin e tij kundër shkrimit tim nuk ka asnjë moment që duhet veçuar për polemikë.”

Megjithë,  këtë konstatim “paqësor”,  Batoni  dëshiron që  dialogu midis  nesh të mbetet i hapur.   Por, kësaj radhe ai bënë fizkulturë, duke kaluar në një temë tjetër, që ka të bëjë me pozitën e gruas në shoqëri,  që ai e  quan “modelin e skllavërisë së femrës”, natyrisht nga aspekti islam.

Z. Baton,  në fillim më lejo të them se kjo metodë  debati,  apo më mirë me thënë fizkulture batoniane, është  e një niveli  tejet  të ulët  gazetaresk, e jo  e një debati të mirëfilltë shkencor. Këtë po e them, nga vet fakti,  se në debatin  e filluar më parë, nismëtar i të cilit ishe ti, unë nuk kam  marrë asnjë  përgjigje  rreth temave që ishin objekt debati.

Por, megjithatë,  për hir të korrektësisë ndaj lexuesve, të cilët kanë treguar një interesim të madh për këtë debat po e marrë obligim të përgjigjem edhe kësaj radhe.

Në shkrimin tënd, rreth trajtimit të një teme tejet serioze, siç është pozita e  gruas në shoqërinë kosovare, e cila përfaqëson gjysmën e shoqërisë, ti thirresh “në takime përkujtuese”, apo në “ndeja” rasti.  Nëse përjashtojmë referencën që i bëni Kasim Eminit, nga Egjipti.

Z. Baton,  unë nuk mund të kuptoj ty përse të nevrikos “gjuha aq pashije e hoxhëve që flasin për gruan, dhe për fuqinë e saj në shoqërinë e Kosovës”. Unë mund të pajtohem me ty deri diku. Mirëpo, a nuk është kjo pjesë e lirisë së të shprehurit të një shoqërie demokratike?! Ne jemi pajtuar se njëmendësia dhe diktatura komuniste ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Andaj, në një shoqëri demokratike duhet të tolerohet pluralizmi i mendimeve edhe brenda ambientit fetar. Por, dua të përkujtoj z. Baton, se gratë e Kosovës më së paku kanë ankesa ndaj hoxhëve dhe Bashkësisë Islame, të cilët ti  pa të drejtë i akuzon  si pengues të emancipimit të saj. Sepse ndikimi i tyre në rrjedhat shoqërore është shumë i vogël, Gratë  vazhdimisht ankohen në strukturat tjera shoqërore, të cilat gjininë femërore po i përdorin vetëm si dekor. Rasti i fundit ishte protesta  e grave  se në mesin e 11 ambasadorëve nuk u gjet  asnjë femër.

Z. Baton, në vijim do të përpiqem të shtrojë në pika të shkurtra pozitën e gruas në Islam si dhe mendimin e disa dijetarëve perëndimorë lidhur me këtë çështje.

Pozita e gruas në Islam

Islami, çështjes së gruas i bënë një trajtim dinjitoz, që përkon me gruan, si femër,  vajzë, bashkëshorte dhe nënë në shoqërinë njerëzore. Kur’ani, libri i shenjtë i myslimanëve i kushton rëndësi të veçantë pozitës së saj në shoqërinë islame.

 Kaptina e katërt  e Kur’anit, njëra prej kaptinave më të gjata mbanë emrin “Suratu an-Nisa” ( Kaptina e grave). Kurse kaptina e nëntëmbëdhjetë mban emrin “Suratu Merjem” (Kaptina e Merjemes), nënës së Jezu Krishtit, të cilin ne myslimanët e quajmë me emrin  Isa, paqa dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi ta. Merjemes, nënës së Isait a.s. ,  Kur’ani i jep epitetin e gruas më të zgjedhur në mesin e të gjitha grave të botës, kur thotë: “Përkujto kur engjëjt i thanë: Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty, të pastroi dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. ( Ali Imran: 42) .

  Feja islame  i erdhi në ndihmë  gruas që po vuante. Islami shpalli barazinë në krijim të burrit e të gruas, të njerëzve të çfarëdo race, të të gjithë njerëzimit: ” O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni në mes vete e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është  më i devotshmi”. Pastaj: “O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar  prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj e prej tyre u shtuan burra shumë e gra”.

Kurdo që në Kur’anin fisnik përmenden  burrat, atëherë përdoren edhe gratë në kontekste të ndryshme si “Besimtarët dhe besimtaret, myslimanët dhe myslimanet, agjëruesit dhe agjërueset” etj., që do të thotë për pozitën dhe respektin që gjinia femërore ka në Kur’anin fisnik.

Gruaja ka një pozitë të veçantë në Islam. Kur profeti Muhamed u ngarkua me shpalljen islame, njeriu i  parë që  i besoi ishte bashkëshortja  e tij Hatixheja. Kurse, dëshmori i  parë në islam ishte  Umu Jaser, e cila vdiq nga torturat që bënë mbi të  dhe familjen e saj  politeistët e Mekkes,  me qëllim që ajo të kthehej në  fenë e të parëve.

Profeti Muhamed, në një thënie të tij pohon: “Parajsa gjendet nën këmbët e nënave”, që është një respekt i veçantë për gjininë femërore si në rininë e saj, por edhe në moshën e shtyrë.

Çështja e gruas zë një vend të veçantë në hytbenë lamtumirës, që  profeti Muhamed, paqa dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, mbajti  para dhjetëra mija haxhinjve të tubuar në rrafshnaltën e Arefatit: “Ju këshilloj  të merrni parasysh të drejtat  e grave dhe për këtë veçanti, të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti, duke dhënë fjalën në emër të Allahut, ju u bekuat me nderin  dhe virtytin e tyre. Ju keni të drejta mbi gratë dhe ato kanë  të drejta mbi ju”.

Lidhur me pozitën  e gruas në  islam dhe lirinë që ajo gëzonte para më shumë se katërmbëdhjetë shekujve, sa për ilustrim po përmendim një debat të zhvilluar në mes Omer ibnul Hatabit, halifit të tretë të myslimanëve, dhe një gruaje nga mesi i xhematlive, që po merrte pjesë në faljen e namazit të  xhumasë në xhaminë e Pejgamberit në Medine. Derisa, Omeri po kritikonte dukurinë e  shtrenjtimit të  mehrit  (pajes së martesës), gruaja u ngrit nga mesi i xhamisë dhe iu drejtua halifit Omer me këto fjalë: “Ej Omer nuk ke të drejtë të thuash kështu!”, duke i pasuar dhe vërtetuar fjalët e saj me ajete të Kur’anit. Atëherë , Omeri e mori  prapë fjalën dhe tha: “Allah, Allah! Një grua bënë debat me Omerin dhe ia mbyllë gojën!”

Këto janë disa principe të përgjithshme,  të cilat tregojnë pozitën e gruas në fenë Islame. Është e vërtetë,  se këto principe nuk janë zbatuar në përpikëri në  të gjitha  kohërat dhe vendet e botës islame në mënyrë perfekt gjatë katërmbëdhjetë shekujve, por ato ekzistojnë si  bazë ligjore  dhe  janë obligative si për besimtarët, por edhe për strukturat e shtetit islam.


Pozita e gruas në islam sipas mendimtarëve perëndimor

Pozita e gruas në fenë islame vazhdimisht ka qenë objekt studimi i dijetarëve perëndimor. Me këtë rast po përmendi mendimet e disa prej tyre. Stanley Lane Poole thotë: “Ndryshimet e rëndësishme që bëri Muhamedi në çështjet gruas asnjë ligjvënës i madh nuk i ka bërë. Vendimet në lidhje me gratë gjithsesi janë dispozita të kodifikuara në Kur’an gjer në çështje të imta. Ja, në këtë  pikë qëndron reforma më e rëndësishme e Muhamedit. Kjo reformë sado e parëndësishme t’i duket  ndonjë evropiani, kur krahasohet me sistemin ligjor të vjetër lidhur me gruan, me të vërtetë është  madhështore! Kufizimi i poligamisë, këshillimi i bashkëshortësisë me një grua, zëvendësimi i elementeve të bashkëshortësisë tradicionale arabe që shkaktonin frikë për shkak të ortakllëkut  dhe përzierjes, me nivele tjera ndalimi, kufizimi i ndarjeve, vendosja e rregullave  shumë të forta për dhënien  e kontributit, kujdesin dhe ushqimin për një kohë grave të ndara nga ana e burrave, së bashku me trajtimin e  përpjesëtimit të ushqimit të fëmijëve në raport të barabartë midis burrit e gruas, organizimi i risisë që garantonte zbatimin e  statusit të tyre si trashëgimtarë ligjorë dhe heqja e zakonit dhe traditës që e pat lënë gruan e ve në cilësinë  e mallit të trashëgueshëm të burrit; të gjitha këto formojnë një kuadër të madh ndryshimesh dhe reformash”.

Kurse, Will Durant, përsëri në kuadër të çështjes së të drejtave të njeriut shkruan: “Nëse do të ishte  e nevojshme të gjykohej nga një këndvështrim tjetër, gruaja myslimane, krahasuar me disa gra në Evropë, ishte në gjendej më të mirë. Çdo mall ose para që fitonte, i mbetej përkatësisht asaj. As shoqi nuk ia prekte ato që fitonte. Në dhomat e veta, në siguri, endte, qëndiste, qepte, administronte shtëpinë dhe rriste fëmijët. Nga ana tjetër i mbetej,  kohë edhe për lojë e biseda të shoqëruara me ngrënie ëmbëlsirash me shoqet e saj”.

Në lidhje me barazinë burrë-grua, Jacques C. Risler, një nga profesorët e Institutit Islam, thotë: “Në çështjet juridike gruaja u ngrit plotësisht në nivel barazie me burrin . Duke filluar që nga ajo kohë, më së fundi, gruaja u bë zotëruesja e të drejtave të lirisë për t’iu njohur një vend i caktuar, për të trashëguar dhe për të lënë testament”.

Gaudefroy-Demombynes, që i përmbahet opinionit se, nga pikëpamja e juridiksionit të gruas, e drejta islame qëndron më lartë se ligjet e sotme evropiane, thotë kështu:
“Dispozitat ligjore të Kur’anit, që anojnë deri në fund nga gruaja edhe sikur të jenë sa për formë, nga sheriati i është ofruar një status më i favorshëm se garancia që i japin asaj ligjet e sotme të Evropës. Gruaja myslimane në punët e parave zotëron të drejtën ligjore të pasurisë së veçantë. Me peshën që iu dha, është zotëruesja  gjer në fund të jetës e mallrave që do t’i kalojnë asaj si pajë, dhurata dhe trashëgim si dhe produkteve të fituara prej punës së saj . Megjithëse, përfitimi nga këto të drejta në praktikë është i vështirë, ushqimi, banesa dhe shërbimet në përputhje me gjendjen dhe nivelin e saj janë të garantuara”.

Filozofi francez Voltaire  thotë:
“Vëllait tim mysliman do t’i thosha: “Feja jote më duket një fe shumë e respektuar. Ti adhuron vetëm një Zot. Çdo vit je i detyruar të japësh si zekat një të dyzetën e të ardhurave dhe ditën e Bajramit të bësh paqe me armiqtë.
Priftërinjtë tanë që shpifin për tërë botën, ndoshta një mijë herë thanë se feja jote zuri vend, sepse është një fe që u drejtohet plotësisht kënaqësive. Të gjithë këta të mjerë kanë gënjyer. Feja jote është shumë fisnike”!

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…