Mr. Ekrem Mqedonci*

Të nderuar të pranishëm, sot është ditë feste, ditë kremte, por mbi të gjitha është ditë gëzimi, ngase vërtetë jemi të gëzuar që Allahu Fuqiplotë na bëri prej atyre që një muaj rresht e kaluan me nënshtrim të plotë ndaj urdhrave të Tij, një muaj të plotë e kaluam me agjërim e ibadete, një muaj të plotë e përjetuam duke u rreshtuar bashkërisht krah për krahu në namaze ditore e namaze të Teravive, e duke u përulur para të Madhit Zot në shenjë respekti e falënderimi, andaj bashkërisht e lusim  Zotin Fuqiplotë, që të gjithë agjëruesit t’i shpërblejë e t’i nderoi me mirësitë e bagëtitë e Tij, për këto vepra madhështore qe i kanë bërë vetëm për hir të Tij.

Edhe vetë sahabët e uronin njëri- tjetrin në këtë ditë, ngase e konsideronin ditë të fitimeve të mëdha, sa që transmetohet se një nga shokët e Pejgamberit a.s. i njohur me emrin Abdullah Ibn Mesudit r.a. pas përfundimit të Muajit të Ramazanit, çdo here dilte dhe u thoshte shokëve të tij një fjali përshëndetëse:  “ A thua kush është ai fatlum të cilit i është pranuar agjërimi, që të dalë shtëpi për shtëpi për ta përshëndetur e uruar atë, dhe kush është ai  i mjerë e  i privuar nga mirësitë e tij, e të dalë shtëpi për shtëpi për ta ngushëlluar atë, O ti agjërues, o ti Fatlum urime të qoftë, dhe o ti i privuar nga mëshira e Allahut, Allahu këtë të humbje ta kompensoftë!  Andaj edhe ne në këto momente dëshirojmë t’i përshëndesim dhe t’i përgëzojmë të gjithë ata që kaluan këtë muaj me agjërim. I urojmë edhe ata që e përcollën këtë muaj duke dhënë vitrat dhe zekatin e tyre për tu solidarizuar me skamnorët dhe nevojtarët, që kaluan këtë muaj me namaz e ibadet, si dhe të gjithë ata që veprat e tyre çdo herë  i bënë në përputhje me porositë dhe urdhrat e Krijuesit. Të tillët vërtetë  i ka garantuar Zoti se  arritën gradën e devotshmërisë, gradë të cilën e synojnë të gjithë agjëruesit dhe besimtarët anë e kënd globit.

Të nderuar të pranishëm: Në dy fjali, në dy gjëra e kuptime, janë pajtuar ulemaja e gjithë umetit islam: “Pas kryerjes së Ibadeteve harrohet vuajtja dhe mbetet shpërblimi,ndërsa pas shkeljes së urdhrit të Zotit  harrohet kënaqësia por mbetet përgjegjësia dhe ndëshkimi”. Edhe ju qe nga sot do ta harroni etjen e ditëve të vapës, do ta harroni  urinë dhe vuajtjet e lodhjeve nga puna, por do iu mbetet shpërblimi dhe faqebardhësia nesër para Zotit. Në anën tjetër ata që ishin arrogant ndaj kërkesave të Zotit, dhe pa ndonjë arsye të justifikuar shpërfillën urdhrin e agjërimit, nga sot humb kënaqësia e pijeve të freskëta të tyre, kënaqësia e ushqimeve të shijshme të tyre, por do tu mbetet përgjegjësia nesër para të Madhit Zot, por e lusim Zotin që të tillët t’i vetëdijesojë dhe humbjet e së kaluarës t’ua kompensoj .

Po të respektuar xhematlinjë, ne si agjërues jemi shumë të kënaqur për punën që kemi bërë në këtë muaj, por kjo nuk nënkupton qe me përfundimin e këtij muaji, ka përfunduar edhe aktiviteti ynë, adhurimet tona, bujaria, humaniteti apo solidariteti ynë, përkundrazi ne duhet të jemi produktiv e pozitiv në shoqërinë tonë, sa të frymojmë në këtë dynja, ngase feja e Zotit Fuqiplotë nuk është për t’u praktikuar vetëm për një kohë, vetëm për një muaj, apo vetëm brenda mureve të xhamisë, por është një sistem jete që synon që njeriun çdo ditë e më shumë ta bëjë me produktiv e punëtor. Për këtë arsye dijetari i njohur Ibn Rexhep El-hanbelij thotë:  Nuk është festa e Bajramit vetëm për tu veshur bukur, por festa dhe Bajrami është pikërisht për ata të cilët ibadetet dhe produktiviteti i tyre është çdo herë në rritje e sipër”, andaj edhe ne duhet të përpiqemi që ibadetet dhe aktivitetet tona mos të përfundojnë me përfundimin e muajit të Ramazanit, ngase besimtarët e sinqertë nuk guxojnë të jenë besimtar sezonal, ani pse kërkohet nga ne që aktiviteti ynë të jetë më i theksuar në këtë muaj të bekuar, sesa në muajt e tjerë.

Të respektuar xhematlinj, nuk do e kisha zgjatur me tepër për të folur rreth agjërimit, ngase keni dëgjuar mjaft për këtë temë nga imamët e nderuar në këtë muaj të bekuar, mirëpo në këtë ditë feste do të mundohemi të trajtojmë një temë që është prioritet i kohës për të gjithë myslimanët , fjala është për: “Unitetin e myslimanëve si obligim fetar dhe domosdoshmëri e kohës”.

Kemi zgjedhur këtë temë për arsye se ajo po i mungon shumë sot botës Islame, e më theks të veçantë po na mungon edhe neve këtu në Kosovë, andaj në këta pak minuta do mundohemi te kristalizojmë edhe qëndrimin e sheriatit për këtë çështje të rëndësishme.

Vëllezër të nderuar! Historia na tregon se çdo shoqëri e cila vetvetes i ka vënë si obligim unitetin, bashkimin, vëllazërimin, respektin reciprok e mos përçarjen, tolerancën në mesin e tyre, e tilla ka shënuar progres, është avancuar në të gjitha aspektet jetësore. Ndërsa në anën tjetër, çdo shoqëri e cila ka pasur përçarje, armiqësi, ndarje të pa drejta sociale, apo edhe vëllavrasje, në raste të tilla, këto shoqëri kanë  ngelur prapa, shoqëria e tillë është shndërruar nga një shoqëri e fortë në të dobët, nga një shoqëri e pasur në të varfër, dhe nga një shoqëri e miqësuar  në një shoqëri të armiqësuar. Vëni veshin me kujdes të dashur vëllezër porosisë së Zotit rreth kësaj çështjeje”

Dhe respektone  All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e të bie nami dhe fuqia juaj. Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit”, në këtë ajet përveç që Zoti na ndaloi të jemi të përçarë, edhe na tregojë se nuk mund të ketë shoqëri kredibile nëse në gjirin e saj e kultivon përçarjen dhe vëllavrasjen.

Po edhe nëse iu qasemi dhe i studiojmë burimet e kësaj feje, e me theks të veçantë Kuranit Famëlartë, e shohim qartë se Zoti Fuqiplotë në të gjitha ato ajetet që ka folur lidhur me këtë temë, na ka urdhëruar për unitet e bashkëpunim dhe na ka ndaluar nga përçarja dhe ndasitë me njëri-tjetrin. Në shumë prej ajeteve kuranore, kur është fjala për urdhra, punë e aktivitet, I Madhi Zot  na drejtohet në shumës, si p.sh  O ju besimtarë”,  “Ata të cilët besojnë e punojnë vepra të mirë” e ajete tjera të ngjashme, të cilat çdo here Zoti i Madhërishëm na drejtohet në këtë mënyrë-pra në shumës, e që në formë të prerë na e përcjellin mesazhin e qartë se kolektiviteteti, punët e përbashkëta, unifikimi i qëndrimeve etj, kanë vlerë shumë më të lartë tek Allahu i Lartëmadhësirshëm se sa ato që janë individuale. Kurse në anën tjetër në shumicën e rasteve ose ajeteve kur e ka përmendur njeriun në njëjës, si individ, e ka përmendur si të dështuar ose të humbur, përball asaj kolektive, si p.sh ajetet:  , Vërtetë njeriu është në humbje“Njeriu si individ është krijes e dobët” “O ti njeri qa je mashtruar ndaj Zotit tënd Bujar

Madje Zoti i Madhërishëm për të na mësuar në koordinim e në unifikim, na obligoi të jemi të organizuar jo vetëm në çështje të dynjallëkut, por na bëri obligim që edhe disa ibadete ti kryejmë e kultivojmë në mënyrë kolektive e të organizuar, vetëm e vetëm për të mbjellë tek ne frymën e unitetit dhe ta mishërojë tek ne punën e përbashkët kolektive, siç  janë namazi i xhumasë  dhe ai i bajrameve, që nuk mund të kryhen vetëm, por mund të manifestohen vetëm kolektivisht, pranë njëri-tjetrit. Pastaj, na bëri obligim tjetër që duhet të kryhet një herë në vit që është agjërimi i muajit të Ramazanit, ku të gjithë myslimanët e botës të unifikuar dhe në të njëjtën mënyrë i respektojnë normat ose rregullat e agjërimit, të syfyrit dhe iftarit bashkërisht.

Ngjashëm e kemi edhe  obligimin e haxhit, që është obligim një herë në jetë, ku të gjithë besimtarët anë e kënd globit, me të njëjtin petk, në të njëjtin vend, dhe në të njëjtën mënyrë, pa u dalluar udhëheqësi nga qytetari, as i pasuri nga i varfëri, e as ushtari nga gjenerali, shkojnë dhe e kryejnë këtë obligim jetësor duke e manifestuar në formë të përkryer unitetin dhe vëllazërimin e sinqertë.

Madje ajo që është interesante, shumë prej këtyre obligimeve (agjërimi, zeqati, haxhi,etj) u obliguan në Medine, pikërisht atëherë kur u formua shoqëria Islame dhe lindi fryma e punës kolektive, e jo atëherë kur myslimanët ishin në Meke si individ të caktuar, e që praktikohej një islam, i cili në një mënyrë, ndoshta mund të quhej edhe individual. E për këtë arsye Umer ibn Hatabi r.a. e ndërlidhte edhe ekzistimin e islamit në tërësi me ekzistimin  e shoqërisë dhe kolektivitetit që  e praktikon atë, ai thoshte: “Vërtet s’ka islam të mirëfilltë pa xhemat-shoqëri kolektive”.

Por edhe gjatë kryerjes së ibadeteve manifestojmë unitetin tonë, kemi një Zot, i përmbahemi një Libri-Kuranit, e pasojmë një të Dërguar- Muhamedin a,s., dhe e kemi një Kibel,  një orientim gjatë namazit tonë, që të gjitha këto elemente pa dyshim se japin porosinë e fuqishme se ky Ummet ka vlerë vetëm si i bashkuar , në të kundërtën mbesim në greminën e thellë të përçarjeve, e armiqësive, të cilat fatkeqësisht e kanë rënduar tej mase gjendjen e myslimanëve kudo që ata jetojnë.

Të dashur vëllezër! Allahu i Lartëmadhëruar ka kërkuar prej besimdrejtëve që të ndiejnë vetën pranë njëri tjetrit sikur të jenë një trup i bashkuar. Ai na konsideroi të gjithë myslimanëve si një umet i vetëm që nuk pranon ndarje e as përçarje në bazë të ngjyrave , racave ose gjuhëve që ne i flasim. Në një ajet kuranor Ai na drejtohet e na thotë: Vërtetë Umeti-populli juaj, duhet të jetë një umet (pra i bashkuar), dhe unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni mua”. Pra në këtë ajet e shohim qartë se, Zoti Fuqiplotë e ka konsideruar unitetin dhe bashkimin si çështje të pa ndarë të umetit, ngase edhe e ka cilësuar dhe emëruar si umet të unifikuar.

Kurse në fakt, përçarja dhe ndasitë në Kuran më shumë përshkruhen si shprehi dhe tipare që nuk u përkasin fare atyre që donë të jenë mysliman të sinqertë, andaj edhe nuk duhet adoptuar ato asnjëherë në mesin tonë:” Thotë Zoti i Madhërishëm:  “E mos u bëni si ata (ithtarët e librit) që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën ardhur argumentet tona”. Madje porositë kuranore na bëjnë me dije se përçarjet në mesin e një shoqërie flasin troç për cektësinë, miopinë-shkurtpamësinë dhe konceptin e ngushtë të njohurive islame, të atyre që bien në një gjendje të tillë, e në këtë mënyrë ata i shmangen qartazi frymës së pastër islame dhe mësimeve të tij.

I Dashuri i Allahut-Muhamedi s.a.v.s. ishte i kujdesshëm tej mase në ruajtjen e unitetit dhe bashkimit ndërmjet sahabëve të tij , sa që merrni me mend, nuk i lejonte ata kur merrnin ndonjë udhëtim ose kur ata uleshin të pushonin, të qëndrojnë larg njëri-tjetrit as në pozicionim. I thërriste që të jenë në po të njëjtin vend, ngase largimi dhe distancomi fizik i tyre e lehtësonte misionin përçarës së djallit të mallkuar. Thotë Muhamedi a.s.:” “ Vërtetë qëndrimet tuaja larg njëri tjetrit nepër rrugica dhe lugina të ndryshme, janë të nxitura nga Shejtani i Mallkuar”, andaj gjejmë se pas një porosie të tillë, sahabët çdo here qëndronin afër njëri tjetrit edhe në ndejat e tyre, e lere më, në çështjet madhore të cilat kishin të bënin për umetin, fenë, vendin ose atdheun e tyre.

Pra të nderuar të pranishëm, nga çdo mësim i kësaj feje, i këtij Kurani Fisnik, i këtij Pejgamberi të Zotit, mësojmë se unifikimi, bashkimi dhe vëllazërimi, është prej obligimeve të besimtarëve. Andaj edhe çdo njeri prej neve e ka obligim të jetë i kujdesshëm, dhe të jetë prej atyre që ia dinë vlerën unitetit, ia dinë vlerën vëllazërimit dhe ia dinë vlerën bashkëpunimit .

Për të fuqizuar në formë të denjë konceptin e unifikimit të radhëve tona, Zoti i Madhërishëm na ftoi  që të jemi të kujdesshëm në ruajtjen lidhjeve të farefisnisë, shoqërisë,  si dhe ruajtjen e shtetit në tërësi, Ai në një ajet tjetër Kuranor tha: “ Vërtetë myslimanët janë vëllezër, andaj kujdesuni dhe ruajeni vëllazërinë tuaj…..” . Në përpjekje për të sqaruar këtë ajet, dijetarët komentatorë kanë thënë se, edhe nëse një mysliman ose një person është destruktiv dhe përçarës në shoqëri, nuk nënkupton se duhet ta izolojmë, bojkotojmë apo atakojmë atë. Përkundrazi, duhet që të merremi me përmirësimin e tij, sepse Allahu na ka thënë :Rregulloni dhe përmirësoni raportet mes vete”  e nuk ka thënë izolojeni atë, por ka thënë afrojeni,  përmirësojeni dhe pajtoni ata në mes vete, në mënyrë që mos të rriten përçarjet në shoqëri .

E tani me që se po e kuptojmë se, unifikimi dhe bashkimi qenka obligim fetar, dhe po  e kuptojmë se është edhe domosdoshmëri e kohës për shkak të gjendjes që jemi, lind pyetja, a mjafton vetëm unifikimi dhe bashkimi apo kërkohet edhe puna dhe bashkëpunimi?  Jo vetëm kaq të nderuar, por bashkimin tonë duhet ta shprehim dhe dëshmojmë përmes punës së përbashkët, aktivitetit të përbashkët, bashkëpunimit në punë të mira, dhe nuk mjafton vetëm respekti ndërvëllazëror, nuk mjafton vetëm uniteti pa punë, sepse ky është edhe urdhër prej të Madhit Zot, kur thotë: “Ndihmohuni mes vete  në mirësi dhe devotshmëri, e mosni në mëkate e armiqësi” , pra  para 1400 viteve  Allahu i plotfuqishëm na tregoi se bashkëpunimi në vepra dhe punë të mira është çelësi i suksesit, dhe ne të njëjtën kohë na ndaloi që të bashkëpunojmë në armiqësi e punë të këqija sepse qysh është bashkëpunimi në punë të mira i suksesshëm në aspektin pozitiv, edhe bashkëpunimi në punë të këqija është i rrezikshëm në aspektin negativ.

Dhe për këtë arsye nëse shikojmë historinë e Pejgamberi a.s.,dhe bëjmë një kthim prapa në jetëpërshkrimin e te Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e gjejmë se ai vërtet ishte individ, por tërë jetën ia kushtoi të mirës kolektive. E  filloi misionin e tij si i vetëm (gjithsesi me përkrahje hyjnore), por e kishte fare të qartë se porosia dhe emaneti i tij nuk shkon në vend, pa e mbjellë në mendjen e njerëzimit ndjenjën e dashamirësisë dhe vëllazërimit, dhe për këtë arsye edhe e gjejmë se pjesë e pandashme e misionit të tij si i dërguar i Allahut ishte edhe uniteti dhe bashkëpunimi në të mbara. Hapi i parë që ai kishte bërë pas migrimit të tij nga Meka në Medine, ishte uniteti dhe vëllazërimi që e kishte bërë në mes të Ensarve dhe Muhaxhirëve. Një bashkim të tillë nuk njeh Historia njerëzore kurrë njëherë. Ata ishin vëllazëruar dhe në mes vete kishin ndarë çdo gjë, madje edhe pasurinë e tyre që e kishin Ensarët e kishin bërë të përbashkët me Muhaxhirët. Mirëpo a mjaftoi Muhamedi a.s. me kaq duke u thënë atyre ju tashmë jeni të bashkuar, unifikuar e vëllazëruar? Jo, nuk mjaftoi, por pikërisht prej atij momenti filloi bashkëveprimi i tyre në punë dhe vepra të mira, dhe bashkërisht pas kalimit të tyre në disa etapa të Bedrit, Uhudit, Marrveshjeve të Hudejbijes, arritën dhe e çliruan vendlindjen e tyre nga idhujtarët e asaj kohe. Disa komentator ajetin kuranor:  ‘’Ai i cili po ta zbrit ty Kuranin do të kthej prapë ty në Meke’’,  e konsiderojnë si premtim të drejtpërdrejt nga ana e Zoti për Muhamedin a.s. për kthimin e tij në vendin e tij, mirëpo edhe pse kishte premtim nga ana e Zotit, dhe rëndom ai si i dërguar i Zotit nuk ka guxuar të dyshoj në premtimin e Tij, prapë se prapë ka punuar e bashkëpunuar me Ensarët dhe Muhaxhirët për të na treguar neve se bashkëpunimi në vepra të mira është kusht i arritjes së rezultateve.

Të respektuar xhematlinjë! Me qenë se jemi edhe afër fundit të kësaj ligjërate, kisha dashur me cekë një çështje, kaptina “El-Asr” konsiderohet një prej kaptinave më të shkurtra të Kuranit Famëlartë, dhe një prej porosive më madhore të saj, është porosia e qartë se, besimtarët duhet të bashkëveprojnë dhe të këshillohen ndermeje veti në punë dhe vepra të mira, dhe duhet t’i qëndrojnë afër njëri tjetrit në sfida e peripeci që sjell jeta. Merreni me mend edhe në kaptinat më të shkurtëra të Kuranit zëri vend porsia e bashkëpunimit. Madje, në këtë sure i Madhi Zot na bëri me dije se, njeriu do jetojë në thellësirat e humnerës, nëse ai nuk beson, nuk punon vepra të mira dhe nuk bashkëvepron me të tjerët. Për këtë arsye, Imam Shafiu duke kuptuar thellë rëndësinë e kësaj kaptine ka thënë“Sikur njerëzve të mos u zbriste asgjë tjetër nga Kurani, përveç kësaj kaptine do tu mjaftonte”.

Të dashur vëllezër: Ne mendojmë se është nevojë imediate, që intelektualët, ideologët, dijetarët, hoxhallarët, të vendosin prioritet bashkëkohorë, përpilimin e një platforme dhe që ta trasojnë rrugën që myslimanët do ti nxjerrin nga përçarjet dhe ndasitë në të cilat janë katandisur. Këta të gjithë duhet të ofrojnë projekt të qartë të unifikimit të radhëve tona dhe çdo vonesë ose neglizhencë i këtij misioni të shenjtë, do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen tonë edhe ashtu të renduar.  Madje, ne si popull, rëndësinë e unitetit mund ta kuptojmë më mirë se çdo popull, ngase çlirimin nga kthetrat e armiqve e kemi realizuar vetëm atëherë kur kemi bashkuar shpirtrat, zemrat dhe trupat tonë rreth një kauze të përbashkët- çlirimin e atdheut.

Thirrjet e sinqerta dhe kushtrimet  që kumbuan nga patriotët tanë të vërtetë, ishin të suksesshme vetëm atëherë kur gjetën përkrahjen kolektive, nga populli ynë liridashës, dhe pasi që u bashkuan të gjithë, Zoti begatojë unifikim tonë me më të shtrenjtën liri.

Të nderuar besimtar! Krejt në fund, kisha dashur që mesazhi nga kjo ligjëratë të jetë që, të jemi të unifikuar, ta çmojmë familjen, shoqërinë dhe vendin ku jetojmë, ngase vetëm të bashkuar mund të ecim para, vetëm të unifikuar e pa përçarje mund ti shërbejmë atdheut, dhe vetëm me unitet e vëllazërim mund ti kalojmë  të gjitha barrierat, po e përfundoi me një fjalë të dijetarit bashkëkohorë Islam Shevki Ebu Halil, e i cili thotëا “ Kurrë nuk  dështon ajo shoqëri që bashkëpunon”.

Në fund e lusim Zotin e Madhërishëm të na i prano lutjet tona, na i falë mëkatet tona, na i zvogëlo brengat tona, na i pastro zemrat tona nga xhelozia dhe urrejtja dhe çdo e keqe, dhe na ndihmo në ndërtimin e ardhmërisë sonë. Zoti i gradoftë edhe të gjithë ata, të cilët derdhen mundin, djersën, dhe gjakun e tyre, që ne sot bajramin lirshëm ta festojmë dhe jetën tonë me nder dhe dinjitet ta zhvillojmë.

*Ligjëratë e mbajtur në xhaminë e madhe në Prishtinë para faljes së namazit të Fitër Bajramit

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …