Prishtinë, 20 korrik 2021

Besimtarët myslimanë po kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.

Ceremonia kryesore e faljes së namazit të Kurban-Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe paqeje, solidariteti, harmonie dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Para namazit të Bajramit, anëtari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Valon ef. Myrta mbajti një ligjëratë, ndërsa namazit të Kurban-Bajramit i priu kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, për të vazhduar më pas me hytben e Bajramit, të cilin e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava. 

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava nga hytbjea Bajramit këtë festë e quajti të veçantë për besimtarët.

“Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme për besimtarët mysliman, sepse vjen pas përfundimit të haxhit në vendet e bekuara dhe therjes së kurbanit. Begati e rëndësishme e kësaj feste është edhe sofra e Bajramit, e cila na bashkon me më të dashurit tanë, na bën të reflektojmë për familjen e të afërmit tanë, dhe na ndërgjegjëson për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe përkrahjen tonë. T’i shijojmë mirësitë e sofrës së Bajramit me dashuri e respekt, pranë familjeve tona, pranë farefisit tonë, sepse s’ka gjë më të rëndësishme në këtë botë sesa ruajtja e familjes dhe edukimi i saj i drejtë.”

Po ashtu, Myftiu Tërnava në këtë hytbe foli edhe për rëndësinë e familjes, ku ndër të tjerash tha: “Për ne familja është e shenjtë, prej së cilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe e llojit njerëzor mbi tokë. Familje ose fole familjare është vetëm ajo e cila është ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje, dhe kjo përbën një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë së shëndoshë islame dhe humane. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit. Si shoqëri kemi traditën shumë shekullore në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave familjare që e kemi të trasuar nga të parët tanë. Mbështetja në familje na ka bërë të mundur që të përballemi me stuhi nga më të ndryshmet por ja kemi dalë gjithherë faqebardhë. Andaj, në këto kohë, nuk duhet tunduar pas nismave gjoja moderne për të dëmtuar familjen, aq më tepër kur gjatë historisë është dëshmuar se shoqëria jonë nuk është shoqëri diskriminuese. Por, kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe për natyrshmërinë e njeriut, nuk mund të heshtim e të tregohemi indiferent ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit të jetës sonë dhe kundër vullnetit të Zotit.”

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…