Prishtinë, 18 gusht 2012

Urimi i Myftiut të Kosovës Mr. Naim Tërnava për besimtarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e Fitër – Bajramit

 

Të nderuar vëllezër e motra!

 

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

 

Nesër, e diel 19 gusht 2012, është dita e parë e Fitër – Bajramit i cili vjen si rezultat i agjërimit të muajit të Ramazanit. Ndaj kam nderin  që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të institucioneve të saja, dhe në emrin tim personal t’i përgëzojë të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame agjërimit të muajit të Ramazanit,dhe t’ua urojë festen e Fitër – Bajramit duke e lutur Allahun e Madhërishëm për mirëqenien,lumturin dhe shëndetin tuaj.

Allahu xh. sh. thotë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në xhenete, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë. Premtimi i saktë i Allahut. E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se Allahu?”. (Kuran,En-nisa:122)  

 

Agjërimi i muajit të Ramazanit pastroi shpirtrat e njerëzve nga urrejtja, xhelozia, i ka dlirësuar nga egoizmi e pangopësia dhe koprracia, i ka udhëzuar në punë të mira, në respekt ndaj njëri tjetrit,solidaritet mes vete, i ka ngritur në shkallën e altruizmit, duke forcuar bindjen se njeriu kërkon përkujdesje të vazhdueshme.

 

 Të nderuar besimtarë

 

Duhet ditur se Kurani është shpjegues i universit, është çelës i të vërtetave të fshehura në faqet e tokës e të qiejve, është thesari i mirësive të Krijuesit. Është drita e botës shpirtërore të islamit, harta e botës së ahiretit, shpjegues dhe komentues i qartë i shprehjes hyjnore, është urtësi e vërtetë,  udhëzues i botës së humanizmit. Është libër urtësie e ligji. Është libër falje e adhurimi, libër urdhri e thirrje. Libër që dallon të mirën nga e keqja. Është themel i fesë islame.

 

Allahu xh.sh. thotë: “Dhe ky është libër,dobiprurës,ne e zbritëm përmbajuni këtij,ruajuni ashtu që të mishroheni” (Kuran, En-nam-155).

 

 Prandaj duke u nisur nga këto, më shumë se kurrë kemi nevojë për mësimet e fesë,  për udhëzimet e Zotit, i cili do që robi i tij të jetë  i urtë,  paqësor, fisnik, tolerant, human, solidar e i përgjegjshëm.

 

 Të nderur qytetar të Kosovës!

 

Në këtë ditë feste e gëzimi, kërkoj nga ju kudo që jeni ti ruani vlerat e virtytet tona fetare e kombëtare. E kemi për obligim që të angazhohemi, punojmë për një të ardhme sa më të mirë për vendin tonë, që fëmijëve tanë tu sigurojmë një jetë me dinjitet, një vend me perspektivë, një vend ashtu siç e dëshirojmë.

 

Kjo festë na gjen më të organizuar si shoqëri, më të konsoliduar si shtet, më të fuqishëm si komb e popull, kjo për faktin ngase sivjet jemi edhe në vitin jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë, viti kur merr fund edhe pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, andaj kemi shumë më shumë arsye të festojmë.

 

Duke ju përshëndetur e përgëzuar, më lejoni t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta të gjithë vëllezërve e motrave kudo që gjenden.

 

Me fat festa e Fitër-Bajramit!

 

 

 

Myftiu i Kosovës

 

Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…