Kosova do të ketë përkrahjen pa rezervë të shteteve islame në të gjitha institucionet ndërkombëtare

 

 

 

 

 

D.I.: Myfti, ju sapo jeni kthyer nga Kajro dhe Katari. Sa janë të njohura këto shtete me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe me çfarë sfidash jeni përballur ju në atë botë, kur kemi parasysh se diplomacia serbe ka qenë dhe është shumë aktive në atë pjesë?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Po, është shumë e vërtetë që diplomacia serbe në atë botë është shumë aktive. Mua në Kajro m’u tha se ambasada serbe tashmë në Kajro ka shumëfishuar stafin e saj diplomatik dhe në çdo takim që mbahet në Kajro e Egjipt, ata janë të pranishëm dhe zhvillojnë propagandën e tyre duke folur kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, krahasuar me mosaktivitetin e duhur diplomatik në atë botë, puna që ka bërë Bashkësia Islame e Kosovës dhe ato që ka bërë vetë dr. Ekmeludini dhe Konferenca Islamike, – kanë bërë që edhe ajo botë të njohë realitetin në Kosovë dhe nuk ka munguar e nuk do të mungojë përkrahja e shteteve islamike për Kosovën.

 

Në Kajro unë isha pjesëmarrës në dy kongrese, ku merrnin pjesë në njërin kongres 88 shtete, ndërsa në kongresin tjetër 94 shtete. Përfaqësimi në kongrese ishte i nivelit më të lartë. Aty qenë të pranishëm kryetarë shtetesh, pastaj kryeministra e ministra. Të theksoj se qe i pranishëm edhe kryeministri i Egjiptit. Në atë kongres unë kërkova, në emër të BIK-së dhe në emër të popullit të Kosovës, përkrahjen për pavarësinë e Kosovës, që u mirëprit nga të pranishmit dhe mund të them se kërkesa ime për njohjen dhe përkrahjen e pavarësisë së Kosovës, nga të pranishmit u përcoll me duartrokitje të gjata.

 

Unë kam bindje të thellë se Kosova do të ketë përkrahjen pa rezervë të shteteve islame në të gjitha institucionet ndërkombëtare ku ato janë të pranishme.

 

 

 

Është momenti i duhur që Bashkësia Islame të jetë prezente në Uashington, duke pasur parasysh se në raport me fenë islame dhe me myslimanët e Kosovës janë thurur thashetheme të shumta, ku është bërë një propagandë e tmerrshme nga Kisha Ortodokse Serbe

 

 

 

D.I.:  Ju z. Myfti, keni marrë ftesë që të vizitoni edhe SHBA-të, a mund të na thoni cila është axhenda , qëllimi i vizitës dhe ç’ pritni nga kjo vizitë?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Po, unë nesër do të shkoj në Uashington me ftesë të Stejt Departamentit Amerikan, ku do të kemi takime të shumta për 5 ditë, sa do të qëndrojmë në Uashington e pastaj do të shkojmë në Nju- Jork. Në Uashington janë paraparë takime me zyrtarë të Stejt Departamentit, pastaj takime në kongres. Gjithashtu do të mbaj një ligjëratë në Institutin Amerikan për Paqe, që udhëhiqet nga Daniel Server, si dhe takime të tjera me Lobin shqiptaro- amerikan dhe në Konferencën Fetë për Paqe etj.

 

Besoj që është momenti i duhur që Bashkësia Islame të jetë prezente në Uashington, duke pasur parasysh se në raport me fenë islame dhe me myslimanët e Kosovës janë thurur thashetheme të shumta, ku është bërë një propagandë e tmerrshme nga Kisha Ortodokse Serbe e në veçanti nga peshkopi Artemije, i cili, në emër të Këshillit Nacional Serb, në Amerikë qe disa vite, dhe sidomos pas ngjarjeve të marsit 2004, thuajse vazhdimisht ka qëndruar atje duke na akuzuar se jemi fundamentalistë, muxhahidinë e terroristë, pastaj rrezik për Evropën e krishterë etj. Unë besoj që është koha që edhe ne, tani kur vendoset për ardhmërinë e vendit tonë, të jemi atje dhe t’u bëjmë me dije se këto janë intriga të thurura për ne, fatkeqësisht nga një njeri që është prijës shpirtëror, po ka marrë përsipër misionin politik. Në të njëjtën kohë pra, duke pasur parasysh se myslimanët në Evropë përbëjnë të them ashtu 5-6% të popullatës së përgjithshme, dua ta them edhe në Uashington se kjo është një vlerë e madhe e Evropës, ku myslimanët duhet  të integrohen në rrjedhat e përgjithshme nëpër shtete evropiane. Pra myslimanët në Evropë janë pakicë, andaj duhet një respekt i veçantë, duhet integrimi në të gjitha fushat e jetës.

 

Gjithashtu gjatë vizitës në ShBA do të falënderoj shtetin e madh mik ShBA, popullin amerikan dhe Qeverinë Amerikane për përkrahjen e madhe dhe ndihmën në vazhdimësi që i kanë ofruar popullit të Kosovës, pra popullit mysliman të Kosovës, mirëpo edhe popujve të tjerë që jetojë e punojnë në Kosovë, por, kur them mysliman, kam parasysh se shumica i takojnë besimit islam.

 

Është rasti dhe, më në fund, pas një dhune 100 vjeçare dhe dëshmorëve të shumtë që ka dhënë Kosova në vazhdimësi, duke filluar nga 1912, 1921, 1926, ‘29, ‘30, ‘45, ‘56 e deri tani , – kanë rënë shumë vëllezër e motra tona dhe së fundi, 100 vjet u deshën që të kuptojnë Evropa dhe Amerika se çfarë gjenocidi dhe etnocidi dhe çfarë spastrimi etnik e fetar është bërë me skenar të përgatitur për Kosovën, i kryere nga ana e qeverisë serbe si në kohën e Rankoviçit, ashtu edhe tash së fundi në kohën e Milosheviçit.

 

 Image 

 

D.I.: Vitin që shkoi Parlamenti i Kosovës ka miratuar ligjin për liritë fetare, edhe për këtë ligj bashkësitë fetare e posaçërisht BI ka pasur vërejtje serioze. Sa janë marrë parasysh ato dhe a jeni të kënaqur me këtë ligj?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Unë me këtë ligj nuk jam i kënaqur fare, absolutisht nuk jam i kënaqur, ngase në projektligjin që është punuar dy vjet, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame e të asaj katolike, pastaj përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të tjerë,- ai projektligj që është përgatitur, nuk është fare ky ligj që është aprovuar nga Parlamenti i Kosovës. Ai projektligj ka pasur mbi 40 nene dhe brenda natës është fshirë i tëri dhe ka ardhur një projektligj që fare nuk ka qenë në diskutim publik e të cilin ne as që e kemi parë si draft,dhe është aprovuar të nesërmen në Parlament.

 

Ky ligj tashmë i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës, ka 14 nene. Pra ligji i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës është një ligj ad hoc i aprovuar ad hoc, e për anakronik, një ligj që flet për liritë e bashkësive fetare, ku nuk është marrë parasysh asnjë sugjerim i asnjë bashkësie fetare të Kosovës, çka do të thotë se është tamam aprovim i një ligji të tipit komunisto – ateist si më përpara . Megjithëqë në këtë ligj nuk përfshihet pozita juridike e bashkësive fetare, por ai përmban vetëm liritë fetare, megjithatë  mbetet që pas pavarësisë së Kosovës të rishikohet ky ligj, ani pse ne na është thënë se ky ligj është miratuar sa për t’i përmbushur standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Mirëpo duhet ditur që Bashkësia Islame kurrë nuk ka qenë kundër plotësimit të standardeve, por përkundrazi ka kontribuar që ato të plotësohen edhe pa i kërkuar të huajt, kjo nënkuptohet nga vetë angazhimi ynë në vazhdimësi për krijimin e një klime të qetë në Kosovë, duke i paraprirë spektrit politik

 

Por mund të them se në raport me fenë, krerët tanë nuk janë liruar nga qëndrimi komunisto – ateist, ndonëse besoj që pas pavarësisë së vendit që do të vijë shumë shpejt, do të bëhet edhe ligji për pozitën juridike për bashkësitë fetare dhe Bashkësia Islame e Kosovës brenda këtij ligji do të kërkojë në vazhdimësi nga Parlamenti i Kosovës që të rishqyrtohet edhe ligji për liritë fetare.

 

Dua të them edhe këtë se për ligjin për liritë fetare, Bashkësia Islame e Kosovës me kohë u ka dërguar të gjitha institucioneve të vendit dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, vërejtjet e saj, çka do të thotë që të gjitha institucionet janë të njohura me qëndrimin tonë.

 

Më duhet ta them edhe këtë se disa qarqe në Kosovë ende mendojnë siç është vepruar në komunizëm që “bashkësitë fetare duhet të ekzistojnë, por jo edhe të jetojnë”, pra që bashkësitë fetare të veprojnë sa për të thënë, mirëpo ne në Kosovën e passtatusit do të kërkojmë që edhe në Kosovë bashkësitë fetare t’i kenë të gjitha të drejta që kanë bashkësitë fetare në rajon e në Evropë.

 

 

 

 

 

D.I.:  z. Myfti, në maj të vitit të shkuar në Patrikanën e Pejës është mbajtur një takim i krerëve fetarë, atëkohë qe premtuar se do te vazhdohen takime të tilla. Cilat janë shkaqet që edhe thuajse pas një viti, nuk kemi ma takim të krerëve fetarë?

 

 

 

Myftiu Naim Tërnava: Po, ashtu është vërtet , por fillimisht dua të them se Bashkësia Islame e Kosovës jo vetëm vitin që shkoi, por prej vitit 1997 në vazhdimësi është munduar të japë një kontribut të çmuar. Të rikujtoj se me gjithë situatën tepër të tendosur, ne si Bashkësi Islame vetëm dy javë pa filluar bombardimet e NATO-s më 1999, ishim në takim në Vjenë dhe me këtë dua të them se atëherë kemi pasur fuqi e guxim të takoheshim me përfaqësuesit e bashkësive të tjera fetare dhe mendoj që dialogu ka qenë dashur të jetë rruga e vetme e zgjidhjes së të gjitha problemeve edhe në Kosovë, në rajon dhe në tërë botën, për t’iu shmangur përdorimit të forcës. Megjithatë ajo nuk u arrit, dhe plasi lufta në Kosovë e më vonë ndodhi edhe ndërhyrja e forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO. Edhe pas luftës, ne si bashkësi kemi qenë të hapur dhe të gatshëm për dialog ndërfetar dhe në këtë drejtim kurrë nuk ka munguar vullneti ynë, për se me kohë kemi pranuar që të jemi pjesë e këshillit ndërfetar, i cili ekziston edhe sot dhe ka pasur takime në Vjenë, Stamboll, Osllo, Sarajevë e vende të tjera.

 

Megjithatë, së fundi është mbajtur një takim dyditësh në Patrikanën e Pejës, ku kemi marrë pjesë aktive dhe kemi dhënë kontributin tonë. Aty merrte pjesë edhe Kisha Katolike dhe shumë priftërinj të lartë nga Kishat Serbe.

Ne aty ishim pa asnjë hezitim, duke e ditur se jemi të detyruar nga libri hyjnor, nga Kurani, që të punojmë për afrimin e njerëzve dhe t’u shmangemi të gjitha të ligave, pa përdorur dhunën. Megjithëse në atë takim u propozua që takime të tilla të vazhdojnë, unë në emër të Kryesisë së BIK-së propozova që ne të jemi nikoqir i takimit të radhës, një propozim që u miratua nga të pranishmit dhe takimi ka qenë paraparë të mbahet në shtator të vitit të shkuar, mirëpo në vazhdimësi Kisha Ortodokse Serbe në krye të së cilës gjendet Artemije, nuk ka pranuar të mbahet takimi. Pastaj ne i jemi drejtuar me një shkresë edhe Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe në Beograd, që të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre në këtë takim. Megjithatë peshkopi Artemije ka refuzuar dhe ky është shkaku pse nuk ka pasur takime të tjera, edhe pse në Patrikanën e Pejës qe premtuar se, pavarësisht nga e  ardhmja e Kosovës, takimet do të vazhdojnë

faqet 1 2 3 4 5
Shfaq më shumë në Intervista

Shfleto

“Misioni ynë është që sa më mirë dhe sa më drejt ta shpjegojmë fjalën e të Madhit Zot”

Intervistë ekskluzive për revistën “Dituria Islame”me Myftiun e Bashkësisë Isl…