Grupi i Unitetit në raport me trashëgiminë kulturore e fetare, ka bërë gabim, ngase është dashtë të kërkojë më me ngulm që të hyjnë në këtë projekt edhe mbrojtja e disa xhamive dhe kishave katolike.
D.I.: Edhe trashëgimia kulturore islame në pakon e Ahtisarit është lënë anash karshi trashëgimisë ortodokse. Ç’do të ndërmarrë BIK-ja për të sensibilizuar faktorët relevantë që të trajtohet edhe trashëgimia islame në përputhje me vlera që ka?
Myftiu Naim Tërnava: Trashëgimia kulturore islame në paketën e Ahtisarit jo që është lënë anash, po nuk është përmendur fare, sepse në krejt paketën e Ahtisarit në asnjë vend me asnjë fjalë a fjali nuk përmendet fjala xhami dhe as Islam, ndërsa kapituj të tërë i kushtohen ruajtjes së trashëgimisë kulturore fetare ortodokse. Mendoj që edhe këtu është bërë një e padrejtë në raport me fetë e tjera në Kosovë, me fenë islame dhe fenë katolike, sidomos ndaj fesë islame, sepse besimit islam i takon shumica e popullit të Kosovës. Nga një anashkalim i tillë, dhe me synimin për t’i përmbushur dëshirat dhe aspiratat e popullit serb për ruajtjen e manastireve, kishave që janë në Kosovë, besoj që është bërë një e padrejtë me bashkësitë e tjera fetare të Kosovës. BIK për këtë arsye ka ngritur shqetësimet e saj edhe me përfaqësuesit e Grupit të unitetit dhe me negociatorët kosovarë, po edhe me përfaqësuesit e Zyrës së UNOSEK-ut si dhe me dërgimin e vërejtjeve tona direkt për presidentin Ahtisari, si dhe në qendrat e vendosjes në Nju-Jork, Bruksel etj. Unë mund të them se Grupi i Unitetit në raport me trashëgiminë kulturore e fetare, ka bërë gabim, ngase është dashtë të kërkojë më me ngulm që të hyjnë në këtë projekt edhe mbrojtja e disa xhamive dhe kishave katolike, të cilat kanë vlera të veçanta, në Kosovë. Megjithatë, kohët e fundit është vënë në dukje se kësaj pakete do t’i shtohen edhe disa amendamente ose nënligje, të cilat do të rregullojnë edhe çështje të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ne presim që pas pavarësisë së Kosovës t’i qasemi edhe njëherë kësaj problematike dhe së paku të jetë një përkujdesje e barabartë në raport me të gjitha objektet fetare.
Institucionet e Kosovës duke filluar nga Presidenca e Parlamenti, pastaj Qeveria dhe të gjitha partitë e prijësit e partive në Kosovë, mund të them që me përfaqësuesit e Botës Islame apo të shteteve islame nuk kanë bërë asgjë dhe ky është një lëshim që ndoshta nuk do t’ua falë as historia.
D.I.: Kohët e fundit udhëheqësit e Grupit të Unitetit kanë kontaktuar përfaqësuesit e Konferencës Islamike dhe të Ligës Arabe për të përkrahur pavarësinë e Kosovës, në KS të OKB-së. Sa është kërkuar edhe ndihma juaj kur dihet që vetëm BI deri tash ka mbajtur lidhje me atë botë?
Myftiu Naim Tërnava: Unë asnjëherë nuk kam bërë pjesë në grupin e atyre që në fillim të kritikojnë të tjerët për të mbuluar mospunën dhe mosaktivitetin e institucionit prej nga vijnë apo të institucionit që unë përfaqësoj. Mirëpo, me thënë të drejtën, pa farë mbulese, institucionet e Kosovës duke filluar nga Presidenca e Parlamenti, pastaj Qeveria dhe të gjitha partitë e prijësit e partive në Kosovë, mund të them që me përfaqësuesit e Botës Islame apo të shteteve islame nuk kanë bërë asgjë dhe ky është një lëshim që ndoshta nuk do t’ua falë as historia. Duke e ditur fuqinë që kanë shtetet islame – 54 shtete, dhe duke ditur edhe fuqinë ekonomike që kanë këto shtete dhe raportet e bashkëpunimin që kanë në veçanti me ShBA-në, që e ka përkrahur gjithherë çështjen e pavarësisë së Kosovës, shtet i cili bashkë me Bashkësinë Evropiane në bashkëpunim me Paktin NATO, ndërhyri në Kosovë në vitin 1999. Megjithatë, derisa institucionet tona nuk e kanë pasur të qartë sa duhet vizionin se çfarë duhet bërë për ardhmërinë e vendit, Bashkësia Islame e Kosovës e ka pasur këtë vizion të qartë, andaj kontributi i saj është në fusha të shumta, në dimensione të ndryshme, së pari duke filluar brenda në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës është munduar të krijojë një klimë të mirë për një jetë të përbashkët të të gjitha feve në Kosovë, pastaj ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe në tubimet nëpër qendra të ndryshme, siç janë Brukseli, Londra, Parisi, Stambolli, Vjena etj.. Dhe, nisur edhe nga ky parim, duke e ditur se Konferenca Islamike me seli në Xhide, e cila ka një rol të jashtëzakonshëm dhe përfaqëson të gjitha shtetet islame, Bashkësia Islame e Kosovës vitin e kaluar -në prill 2006- unë si kryetar me bashkëpunëtorët e mi, të ftuar nga Konferenca Islamike kemi qëndruar për 5 ditë në Xhide, ku kemi takuar Sekretarin e përgjithshëm, dr. Ekmeludin Ihsanoglu, të cilit përveç që i kemi kërkuar përkrahjen që pret Kosova nga Konferenca Islamike, i kemi lënë dhe kërkesën me shkrim për përkrahjen e Kosovës. Ne, gjithashtu gjatë qëndrimit në Xhide, kemi takuar edhe shumë ambasadorë të shteteve të ndryshme, nga të cilët kemi kërkuar përkrahjen e tyre për pavarësinë e Kosovës. Kërkesa jonë për përkrahjen e pavarësisë së Kosovës, nga shtetet e Konferencës Islamike është pritur pa asnjë rezervë. Por edhe aty është vërejtur një mungesë e komunikimit dhe bashkëpunimit zyrtar të institucioneve të Kosovës me Konferencën Islamike,po edhe me Ligën Arabe dhe në përgjithësi me atë botë. Deri sot, pra 8 vjet pas luftës, asnjë vizitë nuk është bërë nga udhëheqësit institucionalë e politikë të Kosovës në shkallë presidenti apo kryeministri në shtete islame dhe sidomos në ato arabe.
Ndërsa kohët e fundit është mirë që anëtari i Grupit të Unitetit, zotëri Veton Surroi, para disa muajsh ka kontaktuar në Nju-Jork ambasadorët e vendeve islame të akredituar në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit, dhe na vjen mirë që ka marrë përkrahjen e këtyre ambasadorëve për pavarësinë e vendit tonë dhe mund të them se ky hap i fundit i spektrit tonë politik e institucional ka qenë një syçeltësi e tyre duke parë se edhe në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit duhet të sigurohet përkrahja për pavarësinë e Kosovës edhe nga shtetet islame.
D.I.: Z. Myfti kur përmendet takimin me Ekmeludinin a mund të konsiderohet që udhëheqja e Konferencës Islamike nga ky njeri është përparësi dhe një fat për ne, kur dihet që dr. Ekmeludini është mik i shqiptarëve dhe ka qëndruar disa herë në Kosovë dhe njeh mirë realitetin dhe ambiciet e kosovarëve?
Myftiu Naim Tërnava: Dr. Ekemeludini është njeriu më i qëlluar që tani gjendet në krye të udhëheqjes së Konferencës Islamike. Është një personalitet i rrallë me të gjitha tiparet e një udhëheqësi të madh, i qetë, bujar e i afërt. Një organizator i mirë në punën. Por ajo që është me rëndësi, dr. Ekmeludin njeh mirë realitetin në Kosovë, njeh aspiratat e popullit të Kosovës. Duhet theksuar se me Kosovën atë e lidh edhe një gjë – mësuesi i tij është një alim yni, Ali efendi Jakupi, për të cilin ai ka konsideratën më të madhe. Sa herë që e kemi takuar, nuk e ka lënë pa e përmendur që mësuesi i tij ka qenë nga Kosova respektivisht nga Gjilani, dhe për mësuesin e tij ndihet krenar, pra kemi të bëjmë me një personalitet të rrallë të kalibrit botëror dhe është mirë që ai sot gjendet në krye të Konferencës Islamike. Ardhja e tij në krye të kësaj konference, ka ringjallur interesin e këtij institucioni për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, ku normalisht Kosova ka prioritet.
Pra, mund të them që Ekmeludinin është mirë që ta shfrytëzojnë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për Kosovën.
Por duhet thënë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka qëndruar duarkryq, ka bërë vizita në shumë vende të ndryshme të Botës Islame, për të kërkuar përkrahjen e këtyre vendeve për Kosovën. Duhen përmendur vizitat në: Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrejn, Katar, Egjipt, Libi e vende të tjera, nga të cilat nuk po them që kemi lobuar por kemi kërkuar të përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe ta njohin atë kur të krijohen kushtet.
Ne në këto vende kemi takuar personalitete të rëndësishme dhe kemi marrë pjesë edhe në konferenca e kongrese të ndryshme.