Prishtinë, 16 mars 2016
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, më 16 mars ka marrë pjesë në përurimin i restaurimit të xhamisë së “Emin Pashasë” në Prizren, e cila është restauruar me financimin e Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA). Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, ministrat e kabinetit qeveritar, Ferid Agani, Mahir Jakxhillar e Rasim Demiri, deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe përfaqësues nga niveli lokal e qendror. Pjesë e inaugurimit ishte edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, që është lidhur nëpërmjet një videolidhjeje nga Ankaraja, e i cili ka porositur kosovarët që të punojnë për ta bërë atdheun e tyre më të fuqishëm, më të sigurt e me mirëqenie më të madhe. Ai ka shprehur respektin edhe për punën e TIKA-s. Erdogani ka uruar për përurimin e kësaj xhamie. Ai gjithashtu ka thënë se Turqia do të vazhdojë ta mbështetë Kosovën në të gjitha aspektet.
Myftiu Tërnava gjithashtu ka falënderuar TIKA-n për bashkëpunimin, duke theksuar se Kosova edhe më ka nevojë për ndërtim dhe restaurim të xhamive tjera. “Të gjithë e dimë se “TIKA” nuk bën vetëm xhami por ndërton edhe rrugë, shkolla, spitale, shtëpi etj., si dhe ndihmon aty ku është nevoja, për çka ne e falënderojmë”, ka thënë myftiu Tërnava.
Nga ana e tij myftiu Tërnava gjithashtu ka shprehur dhembjen për viktimat e sulmit terrorist në Ankara, duke nënvizuar se ndjenja e paqes gjithnjë do të jetë më e fuqishme se ajo e terrorit. “Edhe ne fuqizohemi që edhe nga Kosova jonë mos t’i lejojmë vend askujt dhe asnjëherë për asnjë akt terrorist, ekstremizëm e fundamentalizëm, por ta ruajmë këtë Islam që e kemi trashëguar tash e 600 vjet me radhë”, tha myftiu Tërnava.
Me këtë rast myftiu Tërnava në fund bëri edhe një dua për viktimat e pafajshme nga sulmi terrorist në Ankara.
Xhamia e “Emin Pashasë” është ndërtuar rreth vitit 1831, nga Mehmet Emin Pashai,i biri i Tahir Pashasë.