Nexhmdin ef. Hoxhaj
Të nderuar besimtarë!
Me vullnetin dhe caktimin e të Madhit Zot fuqiplote, ditët dhe netët gati pa u vërejtur rrjedhin dhe kalojnë, ora e Krijuesit punon pa lodhshëm, dhe ditët pasojnë njëra – tjetrën dhe kështu çdo gjeje i vjen fundi. Sot Ramazani sikur po na shprehe fjalët lamtumirëse dhe sikur na thotë festoni o besimtare, festoni, se e keni merituar këtë, e ne te mallëngjyer për ndarjen me mikun dhe mysafirin e nderuar të quajtur nga Allahu i plotfuqishëm, Ramazan, në këtë ditë feste të madhe në shenjë krenarie që jemi mysliman, e me lot në sy, në shenjë mallëngjimi për ndarjen, i urojme njeri – tjetrit me shpresë se prapë do të takohemi me këtë mrekulli ,mik i çdo individi dhe familje myslimane anë e kënd rruzullit tokësor. Mirë u takofshim sërish, nëse donë i madhi Zot xh. sh. Ramazan i nderuar dhe i bekuar.
Sot e tërë bota feston, them e tërë bota sepse nuk ka shtet ne rruzullin tokësor që së paku nuk ka një shoqëri myslimane në të, dhe se paku një xhami ku sot madhërohet Krijuesi dhe gëzohen shpirtrat.
Festa e Bajramit është feste kuptimplote dhe shumë dimensionale. Festë që preket, përjetohet dhe ngulitet në shpirtin e besimtarit.
Festë e cila vjen pas një mundi dhe sakrifice të madh nga besimtaret të cilët për një muaj u munduan të ngritën shpirtërisht, moralisht e fizikisht, dhe të përfitojnë nga mirësitë e premtuara nga Krijuesi dhe bamirësi i pakufishëm.
Dita e Fiter – Bajramit shënon kulminacionin e barazisë mes myslimanëve, sepse sot të gjithë janë të barabartë, në lutje, në veshje, në ushqim, në vizita etj.
Të gjithë janë të gëzuar pa marre parasysh gjendjen e tyre ekonomike, sociale e shpirtërore, i gëzohet i madh e i vogël, sepse është feste që e meriton këtë gëzim, i gëzohen të gjallët dhe shpirtrat e atyre me të dashurve tanë që kaluan në amshim para nesh. Mbi të gjitha kësaj feste të madhe i gëzohen edhe dëshmoret që dhanë jetën e tyre, gjakun e shenjtë me të cilën ujiten tokën po ashtu të shenjtë të Kosovës, dhe ne mbi këtë bazë tubohemi lirshëm për ta falënderuar Allahun e madhërishëm në çdo cep të atdheut tanë të shtrenjtë.
Vëllezër te nderuar
Sot kur po festojmë me dinjitet të lartë fetar, dhe kombëtar njëkohësisht, kujtojmë sakrificat e mëdha të prindërve tanë në të kaluarën e të cilët përjetuan katrahurat komunisto-ateiste, ku në fokus nga ai regjim antipopullor ishte shkelja e vlerave njerëzore dhe ngritja e antivlerave në kurriz të popullit, ku çdo gjë që kishte vlerë dhe ishte e moralshme shkelej pa mëshirshëm, kur dhunohej e drejta për ngritje të mirëfilltë morale, e sidomos moralit dhe ndjenjave fetare, edukimin e fëmijëve në frymën e fesë dhe mbajtjen gjallë të traditës fetare dhe kulturës shume dimensionale të Islamit.
Prandaj nëse duam që ajo kohë e shkuar të mos përsëritet kurrë më, obligim i kohës dhe shumë permanent, na del para, përkujdesja për te ardhmen tonë, për brezat që po rriten, për ardhmërinë e fëmijëve, edukimin e tyre dhe trasimin e rrugës për një jetë solide në këtë botë dhe fitim të botës tjetër. Këtë e kemi emanet prej të madhit Zot fuqiplote dhe porosi në shumë vende në Kuranin e madhërishëm si dhe në shumë hadithe të Pejgamberit a.s. Ne jemi përgjegjës për edukimin e fëmijëve tanë dhe nëse ne nuk bëjmë përpjekje që ata t’i udhëzojmë, edukojmë dhe t’i orientojmë drejt, atëherë kush do ta bëjë këtë për ne?
Duhet të vetëdijesohemi së vetë jeta e njeriut është vlerë dhe dhuratë e madhe e Allahut, dhe në mënyrë individuale por edhe shoqërore, duhet ta ruajmë, ta fisnikërojmë dhe të kultivojmë vetëm vepra me vlerë, të pëlqyeshme dhe të dobishme. Që të arrihet kjo duhet përpiluar një program mbi baze të të cilit do të veprohet.
Ne si besimtarë mysliman nuk kemi nevojë të kërkojmë nëpër literaturë e as nëpër shoqëri apo sisteme të kaluara për këtë, sepse këtë program e kemi në duar, ky është programi hyjnor që Allahu na e dhuroj shumë shekuj më parë të përshkruar në mënyrë hyjnore në Kuranin famëlartë, e përmes këtij programi jetësor na mësoj ti përballojmë të gjitha sfidat e jetës, na mësoj të kaluarën e lumtur të popujve që vepruan mbi vlerat universale, njëherësh na i tregoj edhe të ligat dhe pasojat e popujve nëpër shekuj, që shkelën mbi normat morale dhe udhëzimet e Krijuesit, po ashtu na udhëzoj për të ardhmen që mund të jetë e ndritur, nëse i përmbahemi këtij programi hyjnor.
Për ne të nderuar besimtarë, ky program quhet Kuran, quhet feja e ndritur islame, e cila fatkeqësisht akoma po injorohet në forma të ndryshme dhe nuk po i jepet vendi i merituar në shoqërinë tonë, edhe pse të gjithë e dinë realitetin.
Islami, një fe e pranuar dhe shume e dashur për njeriun, nuk u urdhërua nga Zoti që ta tjetërsoj njeriun, por që ta edukoj dhe ta udhëzoj drejt arritjes së një qëllimi te caktuar ,nuk erdh ta degradoj dhe ta nënçmoj, por erdhi që ta ngris në piedestalin më të lartë rrugëtimin e tij drejt qëllimit final, ta ngris atë shpirtërisht dhe moralisht, dhe që të jetë prijës i devotshëm në këtë botë dhe një shembull i shkëlqyeshëm i një krijese të shkëlqyer të Zotit krijues.
Feja të cilën Zoti fuqiplote e thirri me emrin më të bukur- Islam emër i cili nënkupton paqe dhe liri, qetësi dhe siguri maksimale për të gjithë, është fe e cila në mënyrë konkrete vë lidhjet më të forta mes Krijuesit dhe krijaturës, pra Zotit dhe njeriut, dhe kjo lidhje shpirtërore e bënë njeriun të edukuar, të këtë shpresë të pashkëputur asnjëherë, te këtë durim në realizimin e aspiratave të tij dhe forcë për t’i përballuar vështirësitë dhe sfidat e kësaj bote, jep siguri dhe prehje morale e shpirtërore. I jep emrin dhe kuptimin e plotë njeri.
Sot kur botën e ka përfshi një krize globale morale, ku vlerat shkelen në çdo hap, kur antivlerat ngrisin kokë dhe përkrahen nga qarqe të caktuara me ndikim global, e nga kjo rrëmujë e thyerjes morale dhe humbjes graduale të identitetit moral e shpirtëror nuk po mundet t’i shpëtoj as vendi ynë, sepse edhe Kosova po behet pjese e këtij globalizimi me vetëdije apo me imponim, sot kur jemi dëshmitarë se nuk ka drejtësi social-ekonomike, gati sa nuk ka ardh ne shprehje sistemi feudal të cilit Islami ia pat shkëputë rrënjët me kohë, sot kur gjerat që dikur kanë qene antinjerëzore dhe johumane e skajshmërisht të pamoralshme, po përparojnë me të madhe, si kamata, prostitucioni, droga e alkooli, pastaj si pasoje e këtyre sjelljeve denigruese vijnë pasojat e renda si plaçkitjet, vrasjet, vetëvrasjet e shume e shumë të tjera.
Prandaj, të nderuar besimtarë, për të gjitha këto lypset një intervenim se pari shpirtëror e moral e më pastaj një intervenim edhe me mjete tjera por gjithmonë në mënyrë institucionale. Feja, edukimi, shpirtëror dhe vetëdijesimi i natyrshëm për besim ne një të vetmin Zot, është medikamenti – ilaqi thelbësor i kësaj sëmundjeje dhe më se i domosdoshëm për të gjitha këto sëmundje të rënda shpirtërore e morale të shoqërisë sonë.
E vetmja është feja dhe edukimi fetar, që humnerën e krijuar mes realitetit dhe ëndrrave të brezit që po rritet, krijon urë kaluese që mos t’i lërë të hurdhën në jetën e dëshpërimeve dhe demoralizimeve dhe humbjes së shpresës si pasoje e mos realizimit të ëndrrave për një jetë me të mirë, prandaj lypset intervenim i shpejt dhe shumë efikas e mbi të gjitha afatgjatë për varjen e jetës së brezit që po rritet në binar të duhur.
Këtë më së miri dhe ndoshta për momentin e vetme është feja, besimi në një Zot që mundet me e bë dhe po e bënë. Por a mundet feja të bëjë e vetme këtë punë dhe a mundet që ta qojë gjerë në fund këtë proces të edukimit shpirtëror pa përkrahjen edhe te institucioneve tjera relevante e sidomos institucioneve shtetërore,themi se jo!?
Tradicionalisht dhe në vazhdimësi nëpër shekuj,besimi në Zot ka qenë dhe është i vetmi burim shprese dhe virtytesh e vlerash shpirtërore, morale, etike, sepse jeta e bazuar në shpirtin e edukuar dhe fisnik, është forma më e lartë dhe kuptimplote e ekzistencës së njeriut si individ por edhe si pjesë e shoqërisë.
Duke u nisur nga faktet e pa mohueshme se gurthemel i bazës së edukimit të përgjithshëm, është edukimi shpirtëror, ngritja morale dhe vetëdijesimi për besim të drejt në një Zot të vetëm, do të mundohemi të sjellim para jush i nderuar popull, disa argumente kuranore dhe thënie të Profetit Muhamed a.s. në lidhje me obligimet e pa tjetërsueshme për edukim të mirëfilltë të fëmijëve tanë dhe brezit që po rritet në tërësi, sepse jemi dëshmitarë se po na rrëshqet tabani familjar drejt humnerave të kohës moderne por krejtësisht të pa kuptimta.
Po thyhet tradita familjare, shekullore, po shkelen të gjitha normat morale e njerëzore, e fatkeqësisht kjo dikujt po i shkon për shtati dhe sigurisht në favor, dhe fatkeqësisht rinismës së Bashkësisë Islame te Kosovës për futjen e lëndës edukate fetare në shkollat tona fillore e të mesme, disa pseudointeletual të cilët akoma në shpirtin e tyre bartin ngarkesën e rënd të ateizmit, dhe pa kurrfarë të drejte nga këndvështrimi i tyre vlerësojnë se e moralshme është veshja e femrave në mënyrë degjeneruese, e moralshme dhe shumë normale është për ta pirja e alkoolit, drogës, armëve të zjarrit dhe armë të ftohta nëpër shkolla, pirja e duhanit, prostitucioni i hapët i adoleshenteve nëpër shkolla, dhe jo vetëm kaq, por shkojnë edhe më larg duke thënë se BI-e donë të na kthej mbrapa në mesjetë.
Shtrohet një pyetje logjike nëse këto dukuri të përditshme dhe shume negative janë vlera bashkëkohore, atëherë cilat janë antivlerat? Këtë gjykoni ju të nderuar besimtarë.
Për rëndësinë e edukimit të fëmijëve dhe familjes Kurani famëlartë thërret:
“O ju qe besuat, ruani vetën dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e te cilit janë njerëzit dhe gurët” … (Et-Tahrime 6.) vazhdon ajeti. Pastaj ajeti i 33-të i sures El A’rafe “Thuaj: Zoti im i ndaloj vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta ose te fshehta, ndaloj mëkatin, ndaloj shtypjen e tjetrit pa te drejte” dhe vazhdon ajeti.
Ndërsa Profeti Muhamed a.s. i dërguari Zotit, i cili u dërgua që në mënyrë praktike t’ua bëjë të ditur njerëzimit rrugën e drejt dhe të shpëtimit, në një nga shume hadithet e tija thotë;
“Çdo njeri prej jush është bari dhe çdo njeri prej jush është përgjegjës për tufën e tij” vazhdon hadithi. Ne një hadith tjetër thotë i dërguari i Allahut: “Nuk ka dhuratë më të mirë që prindi ia jap fëmijës, se sa edukata e mirë”.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Meqenëse këto ajete dhe hadithe dhe shume të tjera flasin vetë për rëndësinë që ka edukimi shpirtëror dhe moral, dhe ndoshta nuk duan koment, mbi këtë bazë dhe të gjitha atyre që u cekën më lartë, BIK-es duke e ndier obligim moral, shpirtëror human e njerëzor, edukimin e mirëfilltë të brezit që po rritet, ka rinisur kërkesën për futjen e “Edukatës fetare” në shkollat tona, jo të bëjë hoxhallarë e hoxhanica e as priftërinj, siç po pretendojnë disa keqkuptues të qëllimshëm, por vetëm e vetëm me qëllimin më të mirë për ndihmën e procesit arsimor, në ngritjen e nivelit të dijës dhe moralit, sepse këto dy vlera tashme janë në shkatërrim e sipër.
Kërkesa për futjen e “Edukatës fetare” (Islame, katolike dhe ortodokse) pra religjioneve tradicionale në vendin tonë, bëhet me qëllim që nxënësit gjate rritës dhe zhvillimit të tyre, të fitojnë njohuri për fenë e tyre, me të gjitha dimensionet e saj si shpirtërore, morale edukative, sociale e mbi te gjitha humane e njerëzore.
BI-e mendon se ofrimi i njohurive mbi Zotin dhe fenë, në përgjithësi, njëkohësisht është edhe informim dhe përjetim real i fesë duke u përpjekur që dispozitat edukativo-morale, të cilat gjenden në religjionet e këtij nënqielli, të mishërohen dhe të përjetohen tek të rinjtë tanë të cilët janë shpresa e ardhmërisë dhe ndërtimit të një Kosove demokratike.
Më poshtë po japim disa arsyetime në lidhje me kërkesën e BI-e te Kosovës, kërkesë kjo edhe e të gjithë myslimanëve të këtij nënqielli kosovar e sigurisht edhe e besimtarëve të krishterë.
Duke iu falënderuar edukimit dhe moralit të lart fetar, duke pas ndjeshmëri njerëzore për interesin e përgjithshëm, besimtarët e gjeneratave të kaluara, edhe pse gjithmonë nën okupim, ishin shumë solidar dhe shumë bamirës. Sot kemi plot objekte të bamirësisë së kohës së shkuar, si puse për ujë të pijes rruge, kanale për ujitje nëpër prona të ndryshme, xhami, shkolla, dhe shume hajrate tjera, që do të thotë se gjyshërit tanë kishin interesin e përgjithshëm para atij personal, ndërsa njeriu ynë i sodit që mendon se është intelektual, për interes personal dhunon interesin e përgjithshëm madje edhe shkatërron pronë të lënë një shenjë bamirësie nga e kaluara, dhe këtë e bënë thjeshtë në mungesë të njohurive për fenë dhe të krizës morale në të cilën gjendet.
Bashkësia Islame e Kosovës e shef aplikimin e lëndës “Edukata fetare”në shkollat fillore dhe te mesme si një projekt shumë të rëndësishëm dhe me interes jetik dhe shumë i rëndësishëm për shoqërinë, madje në të gjitha aspektet jetësore.
Edukata fetare në shkollat publike do të këtë për qellim dhënien e informacioneve të domosdoshme për gjeneratat në rritje mbi religjionet në përgjithësi e sidomos për religjionet e popujve të Kosovës dhe rajonit.
Lënda e “Edukatës fetare” duhet te jetë mire e studiuar, dhe të realizohet me mençuri e maturi, dhe si rezultat i këtij studimi, duhet të përpilohen planprograme bashkëkohore të cilat në radhë të parë duhet të kenë karakter edukativo-moral dhe informativ, dhe si përkrahje e shoqërisë për parandalimin e dukurive negative të cilat veç i kemi përmend më lartë e të cilat kanë përfshi shkollarët në shkolla fillore e të mesme.
Ofrimi i informacioneve mbi religjionet botërore, kurrsesi nuk duhet te kuptohet si imponim i mësimit të ndonjë religjioni të caktuar e as me ndonjë prapavije apo paragjykim.
Mësimet bazike mbi fenë mendojmë se duhet të jenë një arsye më tepër që te rinjtë të jenë të edukuar dhe arsimuar mirë, e në baza të shëndosha dhe të bëhen të dobishëm për veten si dhe për mbarë shoqërinë.
Në mungesë të mësimit dhe edukimit të mirëfilltë të njohurive mbi fenë, shume nga parimet fetare iu ofrohen rinisë dhe shoqërisë në përgjithësi në mënyrë strikte, dhe të pa sistemuar, të pa studiuar dhe të pa verifikuar. Dhe ky është shkaku kryesor pse lindin indoktrinimet, shtrembërimet dhe format tjera të ekstremizmit fetar.
Institucionet kosovare në përgjithësi, e ato arsimore në veçanti, duhet ti qasen këtij problemi me urtësi dhe mençuri, pa hezitim dhe pa injorim të kërkesës gjithë popullore, ashtu siç iu kanë qasur këtij problemi shumë shtete evropiane dhe shtete në fqinjësi të Kosovës, si Austria, Belgjika, Kroacia, Bosnja, Gjermania, Anglia shtete këto me një përvojë të gjatë demokratike.
Shume shtete evropiane mësimin fetare e kanë të paraparë me kushtetutë, e shumë të tjera me amendamente apo rregullore të veçanta mbi arsimin fillor e të mesëm, prandaj mendojmë se edhe Kosova pa tjetër duhet ta ndjek një rruge të tillë.
Mendojmë se lënda e “Edukatës Fetare “ në fillim do te ishte e karakterit zgjedhor mbi baze te vullnetit të nxënësve dhe prindërve te tyre.
Jemi plotësisht të bindur se lënda e “Edukatës Fetare”do te jetë lëndë tërësisht edukative dhe do tu ofroj nxënësve informacione dhe njohuri të mjaftueshme mbi religjionet, jetës dhe domethënies se jetës me besim në një Zot, do ti ngris moralisht dhe me vonë do te kenë mundësi të binden se çka kanë përfituar nga krejt kjo, dhe do të binden se çka në të vërtetë është e dobishme e çka e dëmshme për ta.
Bashkësia Islame dhe populli besimtarë konsiderojnë se njohuritë e fituara mbi fetë do të jenë një begati për te rinjtë tanë dhe kurrsesi nuk duhet të paragjykojmë e të marrim vendime të pa studiuara qe do të jenë në dëm të gjeneratave të ardhme.
Dëshirojmë qe rinia jone te jete një rini e shëndoshë, e arsimuar e edukuar, dhe e pajisur edhe me njohuri morale dhe edukative fetare. Këto njohuri vetëm sa do ta kompletojnë personalitetin e te rinjve tanë.
Duke e menduar në mënyrë shumë njerëzore dhe si obligim për edukimin e fëmijëve dhe rinisë tanë, dëshirojmë që në këtë mënyrë të ndihmojmë me tërë kapacitetin dhe potencialin që kemi, që fëmijët tanë të jenë sa me larg drogës, alkoolit, prostitucionit dhe dukurive tjera negative, dhe mendojmë thellësisht se vetëm edukimi fetar është ai që më së miri mund ta bëjë këtë pune dhe ti parandaloj këto dukuri denigruese dhe shkatërruese të brezit që po rritet.
Dëshirojmë që fëmijët tanë ashtu si fëmijët e tërë botës demokratike, lirshëm dhe pa kurrfarë imponimi apo paragjykimi të mësojnë për fenë e tyre. Edukata fetare neper shkollat tona, pa dyshim do të ndikoj pozitivisht në rriten, edukimin dhe zhvillim intelektual te tyre.
Gjithashtu, dëshirojmë që me një edukatë dhe moral të mirëfilltë fetar, t’ua bëjmë të mundur rikthimin në jetë normale të gjithë atyre njerëzve që kane humbur shpresat, t’ua mundësojmë një vetëbesim, t’ua kthejmë shpresën, dhe lëkundjet dhe sfidat e jetës mos t’i dekurajojnë dhe mos të bien në depresion psiqik e pesimizëm të panevojshëm.
Gjithashtu me sinqeritetin më të madh dëshirojmë që Kosova të jetë një oazë paqeje, harmonie e bashkëpunimi ndërfetarë, që secili individ ta kultivoj dashurinë e tij ndaj Zotit sipas bindjeve të tij dhe pa kurrfarë imponimi nga askush direkt apo indirekt.
Prandaj duke u nisur nga këto premisa, për rëndësinë dhe rrolin e fesë në jetën e njeriut, jemi thellësisht të bindur se aplikimi i Edukatës Fetare në sistemin arsimor të Kosovës, jo vetëm që nuk do të pengonte ecurinë e suksesshme të edukimit, por përkundrazi, do të ishte një gjenerator shtytës pozitiv drejt sukseseve në formimin e gjeneratave të shëndosha fetar, por mbi të gjitha edhe intelektual.
Të nderuar qytetare të Kosovës!
Me plot arsye, dëshirojmë që edhe në praktikë, të jemi pjesë e qytetërimit evropian dhe botëror, sepse në një forme në veç jemi aty, qytetërim i cili është ndërtuar dhe ndërtohet akoma, mbi bazë të konceptit të besimit në Zotin e Gjithëmëshirshëm.
Të nderuar vëllezër e motra!
Duke u nise nga parimi se pa edukim të mirëfillte nuk ka arsimim të mirëfillët, dhe duke u nisur nga fjala e shenjët e Zotit fuqiplote: (Innall-llahe la jugaj-jiru ma bi kavmin hat-ta jugaj-jiru ma bi enfusihim) “Zoti nuk e ndërron gjendjen e një populli, derisa ai ta ndërroj gjendje (vetevehten) e tij” me lejoni që në emër të BIK-ës dhe në emër të të gjithë baballarëve dhe nënave kosovare, edhe një herë të apelojmë nga ky vend i shenjtë, në këtë ditë të shenjtë të kësaj feste madhështore, në mënyrën më njerëzore, tek Institucionet tona duke filluar nga presidenca, qeveria, parlamenti dhe te t ë gjithë njerëzit vullnet mirë të cilëve ua kemi besuar votën, që të fillojnë më në fund të merren me këtë problematike dhe të formojnë komisione adekuate në nivelet më të larta, komisione ekspertesh të lëmive të ndryshme dhe në bashkëpunim me Bashkësitë fetare të cilat janë në Kosovë, të aprovojnë futjen e Edukatës Fetare në shkollat tona fillore e të mesme, mbi bazë të një planprogrami mirë të detaizuar, ku do të kemi të gjithë përfitime, e në veçanti brezi që po rritet dhe një ditë do të jetë bartës i të gjitha funksioneve shoqërore e shtetërore.
Duke shpresuar se këto fjalë, dhe kjo ligjëratë modeste nuk do të has në vesh të shurdhër, iu uroj përzemërsisht festen e Fiter – Bajramit me shpresë se Allahu i Gjithëmëshirshëm të na i ketë pranuar të gjitha ibadetet, dhe ne fund iu përshëndes me përshëndetjen e banorëve të xhenetit Es-Selamu Alejkum!
(*Ders i mbajtur në manifestimin e Fitër – Bajramit, në xhaminë “Sulltan Murat” të Prishtinës, 20.09.2009)