Drejtori për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, i shoqëruar nga bashëpunëtorët e tij, ka pritur sot në takim nënkryetarin dhe aktivistin e Qendrës Shqiptare “Nurul-Islam” në Monchengledbach, z. Dugagjin Shamolli.
Gjatë këtij takimi, Drejtori Simnica, fillimisht i uroi mirëseardhje mysafirit, dhe më pas shfrytëzoi rastin që të njoh mysafirin me ecurinë e punëve dhe zhvillimeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, si dhe për bashkëpunimin që kanë me qendrat islame në diasporë. Ai edhe njëherë rikonfirmoi gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton që të kenë edhe më tutje bashkëpunim në të gjitha fushat me rëndësi për besimtarët myslimanë.
Nga ana e tij, nënkryetari dhe aktivisti Dugagjin Shamolli, falënderoi drejtorin Simnica për bashkëpunimin e deritanishëm që ka pasur ai dhe institucioni i BIK-ut me qendrat islame në diasporë, e në veçanti me Xhaminë “Nurul-Islam” në Monchengledbach të Gjermanisë. Ai gjatë kësaj vizite, dorëzoi edhe një sasi të vitrave të tubuara gjatë muajit Ramazan nga mërgata jonë.