Prishtinë, më 22 prill 2022
Të premten, në mbrëmje në ambientet e xhamisë shqiptare “Tulipan” në Reinach, KMSHZ, për nder të muajit të bekuar Ramazan, u përkujdes që të shtrojë një iftar edhe për institucionet dhe personalitetet nga sfera të ndryshme fetare, shoqërore dhe afariste, si: Ilir Gjoni – ambasador i R. së Shqipërisë në Bernë, Sami Ukelli – ambasador i Republikës së Kosovës në Bernë, Qenan Ramadani – ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Montassar Ben Mrad, kryetar i FIDS, dr. Halit Duran, kryetar i VAM-it, Jasmin ef. Demic, kryeimam i xhamive boshnjake të Zvicrës, Lazim Destatini, filantrop dhe afarist, Yakup Gürgün, kryetar i DIGO-s, Ekrem Simnica, drejtor për Diasporën pranë Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, si dhe shumë intelektualë, hoxhallarë, kryetarë të xhamive dhe afaristë.
Programi filloi me leximin e disa ajetve nga Kuranit famëlartë nga hafizi i mirënjohur, Mujdin Limani.
Më pas, në emër të KMSHZ-së, të pranishmit i përshëndeti kryetari i KMSHZ, hfz. Mehas Alija, ku mysafirëve iu adresoi falënderimet e sinqerta për pjesëmarrjen në këtë iftrar dhe me theks të veçantë për mbështetjen dhe bashkëpunimin në ngritjen dhe forcimin e të vetmit institucion fetar për shqiptarët e besimit islam që punojnë dhe veprojnë në këtë shtet të Evropës.
Më pas, fjalë përshëndetëse e mori ambasadori i Shqipërisë z. Ilir Gjoni, ku me shumë bindje adresoi fjalë miradije për KMSHZ-në, në veçanti për promovimin e islamit liberal në proporcion me frymën e tolerancës, respektit dhe të bashkëjetesës fetare, që me shekuj myslimanët shqiptarë e kanë kultivuar
Fjalë rasti për të përshëndetur të pranishmit, mori edhe filantropi i madh dhe humanisti i shquar shqiptar, z. Lazim Destani, ku vlerësoi lart punën dhe angazhimin qe KMSHZ-së po bën për myslimanët shqiptarë këtu në Zvicër.
Përfaqësuesi i BIK-ut, z. Ekrem Simnica, vlerësoi lart bashkimin e shqiptarëve myslimanë nën KMSHZ, si organ i vetëm. Drejtori i Diasporës ndër të tjera tha: “Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin e Myftiut Tërnava, më lejoni që t’ju uroj të gjithëve, për muajin e bekuar Ramazan, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe vepra të pranuara te Zoti i Madhëruar. Shfrytëzoj nga rasti dhe kam nder të veçantë që, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju uroj për zgjedhjen tuaj, z. Mehas Alija si kryetar të KMSHZ-së, z. Fehim ef. Abazi, nënkryetar si dhe anëtarët që u zgjodhën në Kryesinë e kësaj Bashkësie, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që t’ju ndihmojë në punën dhe angazhimet Tuaja të mëdha që keni para vetes. Shfrytëzoj nga rasti gjithashtu dhe kam nder të veçantë që, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju uroj për ndërtimin e kësaj bukuroshe – xhamisë Tulipan këtu në Reinach. Bashkësia Islame e Kosovës e në veçanti Drejtoria për Diasporë është e interesuar që të bashkëpunojë ngushtë me KMSHZ-në. Mbesim me shpresë se bashkëpunimi ynë do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen. Duke ju uruar edhe një herë, pranoni selamet dhe përshëndetjet tona.”
Drejtori për Diasporë në shenjë respekti dhe bashkëpunimi ndau mirënjohje për kryetarin e KMSHZ-së, z. Mehas Alija, nënkryetarit të KMSHZ-së, z. Fehim ef. Abazi, si dhe një mirënjohje e veçantë nga drejtori iu nda xhamisë Tulipan, kryetarit të saj z. Azir Jusufi, xhematit të saj, duke ia dhuruar imamit të nderuar z. Halil Ademi, shenjë respekti.
Për fund, dy zëra të bukur, Fatime Hasipi dhe Zehra Tairi, u përkujdesen qe këtë organizim, përmes interpretimit të dy ilahive, ta bëjnë edhe më të ngrohtë në të njëjtën kohë edhe më emocional këtë iftar.