Me ftesë të Qendrës Islame Shqiptare “Drita” në Lucern të Zvicrës, drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, nga data 21 deri më datë 25 nëntor qëndroi për vizitë në Zvicër. Ai përcolli përshëndetjet dhe selamet e Myftiut Tërnava, duke i uruar për Muajin e Mevludit, si dhe për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke lutur Zotin
për një mirëqenie sa më të mirë për popullin tonë dhe për mbarë besimtarët.
Të shtunën, me datë 23 nëntor, pas namazit të jacisë u mbajt tribuna “Ai që nuk ka fe, s’ka atdhe”, e organizuar nga kryesia e kësaj xhamie, për nder të shënimit të Muajit të Mevludit dhe shënimit të ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë tribunë morën pjesë drejtori i Diasporës në BIK, Ekrem ef. Simnica, Ali ef. Vezaj, Nijazi ef. Sinani, Remzi ef. Halimi etj.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, drejtori Simnica uroi të pranishmit për organizimet e tilla dhe porositi që në këso evenimente të jemi sa më të bashkuar. “Dërgimi i Pejgamberit Muhamed a.s. si mëshirë për të gjitha botët duhet të shikohet në dy rrafshe. Të shikohet e të studiohet jeta dhe vepra e Muhamedit a.s. para shpalljes, e cila ishte ajo njerëzore, si dhe periudha pas shpalljes, ku Allahu i Madhëruar e ngarkoi Muhamedin a.s. me misionin fetar, të cilin e përcolli në mënyrën më të mirë për mbarë njerëzit” – tha ndër të tjerash drejtori Simnica.
Duke folur rreth festës së 28 Nëntorit, drejtori Simnica tha se festa e flamurit bashkon shqiptarët anembanë botës, është festa që gjithë shqiptarët i bën një, andaj është e udhës që për këtë datë të rëndësishme kombëtare, të tubohemi të gjithë për të udhëtuar në retrospektivë, duke kujtuar personalitetet dhe veprat e tyre, të cilat bënë që ne sot të gëzojmë gjuhën, flamurin, shtetin dhe identitetin e pacenuar.
“Shfrytëzoj rastin që në emrin tim personal dhe në emrin e Myftiut Tërnava, si dhe në emër të organeve të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, t’u përcjellë urimet më të përzemërta me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë të kaluarës së vështirë, shqiptarët arritën që
denjësisht ta mbrojnë kombin e tyre. Ne jemi ndër popujt e rrallë, autokton, që jetojmë të grimcuar në shtete rreth e qark shtetit amë, jemi popull shembull kur bëhet fjalë për tolerancën nderfetare, jemi shqiptarë që na bashkon një gjuhë, një flamur, një gjak” – tha drejtori Simnica.
Krejt në fund ai falënderoi imamin e kësaj xhamie Remzi ef. Halimin, kryetarin e xhamisë z. Mumin Veselin, kryesinë e nderuar dhe xhematin për respektin e treguar dhe për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm të tyre për vendlindjen dhe për institucionet fetar-arsimore, Medresenë “Alaudin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Ai siguroi mërgimtarët se bashkëpunimi i Kryesisë së BIK-ut me mërgatën tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…