Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, është ligjëruar tema: “Dhjetëshi i fundit i Ramazanit – urtësi e mësime”.

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Dalëngadalë po i afrohemi pjesës së fundit të Ramazanit, pjesës vendimtare të tij. Të gjitha ditët e
Ramazanit janë mirësi më vete dhe të gjitha, veç e veç, ofrojnë mundësi të mëdha shpërblimi, por
dhjetëshi i fundit është i veçuar për mirësi shtesë. Jo më kot thuhet kur të kenë shkuar njëzet ditët
e para të Ramazanit se “Shkoi pjesa më e madhe e tij, e ngelën ditët më të mëdha.” Pra, edhe pse
kaluan dy pjesët e para të tij, ne jemi pranë pjesës së tretë, asaj më të çmuar, asaj për të cilën i
Dërguari i Allahut a.s. paralajmëronte qysh në fillim të Ramazanit: “Ju erdhi Ramazani, muaj i
bekuar,…në të është një natë, e cila është më me vlerë se njëmijë muaj, kush privohet prej mirësisë
së saj vërtetë është i privuar.”


Xhematlinj të nderuar!
Marrë parasysh rëndësinë që kanë këto ditë, ne gjejmë se Pejgamberi Muhamed a.s.: ”Angazhohej
në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) më shumë se që angazhohej në ditët tjera.”
(Muslimi)
Përpjekja dhe angazhimi në këto ditë të mbetura vërtetë që ia vlen. Paramendojeni sa mirësi e
madhe do të ishte sikur Allahu i madhëruar të na bekojë për Natën e Kadrit e të na falen krejt
mëkatet! Allahu i madhëruar thotë:
“Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj!” [Kadr: 3]
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe vetllogari, i falen mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi)
Këtu qëndron arsyeja pse Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s. na ka mësuar e porositur që në këtë natë
të lutemi me një lutje të veçantë. Përcillet nga Ajshja r.a., se ajo kishte kërkuar nga Pejgamberi a.s.
që t’ia mësonte një lutje të cilën do ta thoshte në rast se bekohej për Natën e Kadrit. Ai i tha:
“Thuaj: Allahumme, inneke Afuvvun, tuhibbul afve, fa’fu anni! – O Zoti im, Ti je Falës, e do
faljen, andaj më fal mua!” (Tirmidhiu)
Por që ta arrijmë këtë natë, na duhet të angazhohemi që nga fillimi. “Kërkojeni Natën e Kadrit në
dhjetë netët e fundit të Ramazanit…” – kjo është porosia që na e ka dhënë i Dërguari i Allahut a.s..
Për ta motivuar veten për angazhim shtesë në këto dhjetë ditë të mbetura, po ju përmendim vetëm
disa nga mirësitë dhe veçoritë e Natës së Kadrit:
✓ Në këtë natë filloi shpallja e Kur’anit;
✓ Vepra në të është më me vlerë se në njëmijë muaj;
✓ Në këtë natë zbret meleku Xhibril me melekë tjerë ndërsa bëjnë amine për lutjet e
besimtarëve derisa të lind agimi;
✓ Është natë e qetësisë dhe sigurisë. Allahu në të nuk cakton vetëm se paqe dhe mirësi;
✓ Kush privohet prej bereqetit dhe mirësisë së saj, vërtetë është i privuar;
✓ Kush falet në të me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e
mëparshme. Thotë dijetari i madh Abdul Gani Nabulsi: “Kjo falje përfshin mëkatet e
mëdha dhe të vogla. Mirësia e Allahut është më e madhe se kjo (se sa të kufizohet vetëm
në faljen e të voglave).”
✓ Për vlerën e saj Allahu ka shpallë një kaptinë që lexohet deri në Kiamet;
✓ Është nata në të cilën përcaktohet e ardhmja jonë për një vit. Në të shkruhen exhelet –
caktimet për vdekjet brenda vitit vijues.
Nga këtu, Ibën Bettali me të drejtë ka konstatuar se: “…Sikur Allahu tua bënte me dije robërve se
në netët e vitit ka një natë të ngjashme me Natën e Kadrit, do të ishte obligim për ta që, në kërkim
të kësaj nate, t’i ngjallnin me adhurim të gjitha netët e vitit…” (Sherhu Sahihi el-Buhari, 4/159)


Vëllezër besimtarë!
Agjërimi është adhurim i cili synon përsosjen morale të besimtarit. Vlerat shpirtërore, etike dhe
shoqërore janë prioritete kryesore të tij, me të cilat, në forma të ndryshme, mundohet ta formësojë
karakterin e besimtarit. Çdokush që agjëron për hir të Zotit vëren ndryshimin pozitiv tek vetvetja;
vëren shmangien nga mëkatet, përmbajtjen nga provokimet, përkushtimin për të tjerët. Por kjo nuk
nënkupton se në raste e momente të caktuara, për një ose shkak tjetër, nuk mund të bëjë gabime.
Megjithëkëtë, agjërimi insiston që kapitulli i tij të jetë i pastër, prandaj ka ndërmarrë edhe hapin e
fundit fare në fund të Ramazanit që besimtari të pastrohet e dëliret nga çdo lëshim a mëkat i
mundshëm. Këtë e ka bërë nëpërmjet një lëmoshe, rëndësia e së cilës është shumëdimensionale.
Lëmosha çdoherë është e mirë, por në Ramazan, siç na ka mësuar Pejgamberi Muhamed a.s., është
edhe më e mirë. Këtu mbase qëndron shpjegimi pse Pejgamberi Muhamed a.s., që gjithmonë ishte
bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë edhe më shumë. Lëmosha e Ramazanit dallon nga lëmoshat
e rëndomta për shkak të normës dhe efektit. Ibën Abbasi r.a., transmeton: “Pejgamberi a.s., e obligoi
zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të pista si dhe si ushqim për meskinët.
Kush e jep para namazit të Bajramit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet
lëmoshë e rëndomtë.” (Sahihu Ebi Davud, 1609.)
Pra, sadakaja e fitrit është obligim dhe jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e mundshme
gjatë agjërimit dhe për të ndihmuar nevojtarët. Figurativisht, siç ka thënë Vekiu, sadakaja e fitrit
për agjërimin është sikur sexhdeja e harresës për namazin.

Vëllezër të nderuar!
Siç e dini, Bashkësia Islame e Kosovës, me institucionet e saja fetare, administrative, arsimore dhe
humanitare, funksionon edhe falë këtij kontributi që Ju dhuroni çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe
apelon tek të gjithë ju që zekatin dhe sadakanë e fitrit t’i jepni në Bashkësinë Islame të Kosovës,
përkatësisht në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Kosovës, për të vazhduar bashkërisht
rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Me këtë rast duam t’ju
kujtojmë se Bashkësia Islame është institucioni i vetëm meritor për këto kontribute meqë është i
vetmi që është përgjegjës për jetën dhe edukimin fetar në nivel vendi. Ne ju zotohemi se do të
vazhdojmë të jemi zëri juaj më besnik dhe se çdo kontribut tuajin, të madh a të vogël, do ta
dërgojmë në vendin përkatës. Nëpërmjet organeve tona humanitare, shoqatës ‘Bereqeti’ me theks
të veçantë, ne ndihmojmë me mijëra e mijëra familje çdo vit.
Kështu, ndihma juaj materiale që ofroni në këtë fundramazan, qoftë me sadakatul fitër, qoftë me
zekat, nënkupton një përforcim të radhëve tona në fushën e humanizmit dhe të jetës e arsimit fetar.
Vëllezër besimtarë!
Si myslimanë që jemi, kemi për obligim fetar që të jemi shumë të kujdesshëm se nga kush
po informohemi dhe prej kujt po i marrim njohuritë tona, sidomos ato që kanë të bëjnë me dijen
për fenë tonë të pastër. Imam Muslimi shënon në Sahihun e tij thënien e dijetarit të madh,
Muhamed bin Sirinit, i cili na tërheq vërejtjen që dijen dhe informacionet t’i marrim vetëm nga
burime të besueshme: “Vërtetë kjo dije është fe prandaj kujdes se prej kujt po e merrni fenë tuaj.”
Ky mësim i çmuar vlen edhe për ditët tona dhe na bën thirrje që të kemi kujdes të shtuar
edhe nga disa të vetquajtur imamë, persona jashtë institucional të cilët nuk kanë as njohuri fetare,
as dinjitet njerëzor e kombëtar, për më tepër kanë agjenda të dyshimta e të dëmshme për fenë tonë
të pastër, për vendin dhe kombin tonë! Andaj besimtari i vërtetë gjithmonë duhet të jetë vigjilent
duke mos guxuar t’i lejojë vetes e as familjes të jenë pre e interpretimeve të gabuara, nxitjeve dhe
propagandave çfarëdo qofshin ato, që çojnë në përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes mes
vete!


Të dashur besimtarë!
Në kohën kur bota ballafaqohet me sfida të shumta, lutemi për paqe mes gjithë popujve të
botës, pa dallim. Lutemi për ndalje të të gjitha luftërave e konflikteve në botë, dhe njëkohësisht
ju bëjmë thirrje gjithë besimtarëve tanë si në vend ashtu edhe në mërgatë që, në këto kohë krizash
e sfidash për vendin e botën, të jenë të matur, të kenë kujdes mos të bien pre e provokimeve e
nxitjeve, me qëllim që të ruajmë unitetin tonë e të punojmë në të mirë të fesë, vendit e kombit.
Në këto ditë të Ramazanit lutemi për mirëqenien e qytetarëve tanë, familjeve tona dhe të
dashurve tanë edhe në mërgatën e largët, e në veçanti besoj se duhet të lutemi edhe për punonjësit
e institucioneve të rendit dhe sigurisë të Kosovës të cilët në këtë muaj Ramazani iftaret dhe syfyret
e tyre i bëjnë larg familjes dhe angazhohen ditë e natë me gjithë qenien e tyre për sigurinë tonë
dhe mbrojtjen e shtetit tonë!

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…