Në prezencë të shumë besimtarëve myslimanë, banorë të fshatit Celinë të Komunës së Rahovecit e më gjerë, më 29 teor 2014 u bë hapja e xhamisë së Re, pas plot 15 vitesh të djegies, shkatërrimit dhe rrënimit të xhamisë së vjetër nga ana e forcave serbe.

Në emër të Kryesisë së BIK, të pranishmëve iu drejtua Sabri ef. Bajgora: “Më lejoni që në emër të Kryesisë së BIK, në emër të Myftiut Naim ef Tërnava, t’ua përcjell urimet dhe përgëzimet më të sinqerta me rastin e inaugurimit të xhamisë së fshatit Celinë, me lutje drejtuar Krijuesit dhe me shpresë që, të gjithë ata, që kanë kontribuar në një formë apo në një tjetër, Allahu t’i shpërblejë me begatitë e Tij pakufi. Prania ime sot këtu në këtë vend të bekuar, pashmangshëm më kthen prapa në kohë, kur kam qenë pikërisht në këtë vend, në krye të një komisioni të BIK për të evidentuar dëmet në infrastrukturën e BI dhe dëmet që kanë pësuar këto objekte nga lufta e fundit e egër në Kosovë. Dita që ishim ne këtu, ishte një ditë vërtetë e vështirë, sepse kemi parë shkatërrime të pa imagjinuara të fshatit, kemi marrë informacione se 75 persona nga mesi juaj, janë martirizuar në mbrojtje të pragut, dhe nderit familjar, kemi parë plagë, dhembje dhe  vuajtje, por kemi parë edhe krenarinë e një popullate e cila kurrë nuk u gjunjëzua para një armiku shekullor. Ata na dogjën, na vranë, na prenë, por nuk arritën ta thyejnë shpirtin tonë, ta thyejnë besimin tonë dhe ta shuajnë dashurinë tonë ndaj njëri tjetrit, por në veçanti edhe dashurinë dhe respektin e madh që e kemi pas edhe si besimtarë. Allahu pastë bërë rahmet mbi shpirtin e hoxhës së rënë shehid Arif ef. Shalën, i cili ishte viktimë e dhunës serbe, ashtu sikur të gjithë ata që derdhën gjak për lirinë e Kosovës, Allahu i pastë në mëshirën e Tij, e i gradoftë me gradë të dëshmorit. Dëshiroj që ta falënderoj edhe imamin tuaj Shkelzim Jeminin i cili në vazhdimësi u angazhua për përfundimin e kësaj xhamie. Dhe ja, sot u bë realitet, falë edhe ndihmës dhe kontributit tuaj. Kjo zemër bujare e këtij populli, në vete ka besimin e thellë në Zotin xh.sh. Nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës, më lejoni që me lutje t’i drejtohem Allahut që për çdo kontribut tuajin u shpërblefshi me shpërblimet më meritore. Thotë Zoti xh.sh. në librin e Tij:”dhe thuaj punoni, se Allahu do ta shohë punën tuaj, do ta shohë i Dërguari i Tij dhe të gjithë besimtarët”. Dhe kjo punë dhe angazhim është këtu sot para nesh, ka hedhur shtat dhe lirisht mund të konsiderohet si krenaria jo vetëm e fshatit por edhe e këtyre anëve. Është një mrekulli në vete, sepse dëshmon se ky popull e ka të ngulitur thellë besimin e pastër në Zotin e Gjithëmëshirshëm. Shpresoj që xhamitë e mbarë botës, ashtu sikur e dhe tonat në Kosovë, të shërbejnë në radhë të parë si afrim yni me devotshmëri, me adhurim tek Krijuesi ynë, që kjo xhami të jetë vatër edukative dhe arsimore, që nga kjo xhami të dalin njerëz të edukuar e të emancipuar që në radhë të parë do ta kenë në hatër ardhmërinë e vendit të tyre, Kosovës sonë të shtrenjtë. Gjaku që është derdhur në këtë vend është amanet në supet tona, që gjithmonë na thërret që të kontribuojmë, të punojmë për vendin tonë. Le të dalin nga kjo xhami mesazhe të paqes, mesazhe të dashurisë, ashtu siç kemi ditë ne që gjithmonë të kultivojmë bashkim, dashuri dhe respekt për njëri tjetrin. Xhamitë i ndërtojnë vetëm ata njerëz që kanë besim të madh në Zotin xh.sh. ata që besojnë bindshëm në ditën e Gjykimit, që falin namazin e japin zeqatin dhe nuk ja kanë frikën askujt përpos Allahut xh.sh.. dhe sigurisht se fjala e Pejgamberit a.s. zen vend këtu kur thotë se:”Ai njeri që ndihmon në ngritjen e një shtëpie të Zotit – xhamisë, atij Allahu do t’ia ngrisë një shtëpi në xhenet”. Të gjithë ju që keni kontribuar, Allahu ua ndërtoftë nga një pallat në xhenet, që t’i shijoni kënaqësitë e xhenetit, sepse e keni merituar një gjë të tillë.”
Shani ef. Sylka, kryetar i Këshillit të BI në Rahovec, pasi përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje përfaqësuesve të Kryesisë së BIK me në krye Sabri Bajgora, fshatarëve të Celinës ua uroi hapjen zyrtare të kësaj xhamie. “Nuk ka dyshim se ndërtimi i xhamive është një ndër punët më të pëlqyera dhe më të dashura te Allahu xh.sh.. Ndërtimi i tyre simbolizon forcën e besimit të atyre që i ndërtojnë ato. Të nderuar të pranishëm, banorë të fshatit Celinë, krahas vuajtjeve të mëdha që përjetuat, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, ju gjetët forcën dhe kurajon që të ngritni edhe këtë shtëpi të Allahut, që argumenton dhe reflekton aspektin tuaj shpirtëror pozitiv, besimin në Zotin xh.sh. Në emër të Këshillit të BI në Rahovec, edhe njëherë ju përgëzoj për këtë objekt”
Në emër të Kryesisë së fshatit të pranishmit i përshëndeti kryeplaku i fshatit, z. Rasim Fazliu.
Imami i fshatit, Shkelzim ef. Jemini ftoi kryeimamin Bajgora që ta prejnë shiritin e xhamisë së re në Celine. Ai paraprakisht paraqiti të dhëna rreth ecurisë së punëve gjatë ndërtimit të xhamisë, duke cekur me këtë rast edhe donatorët dhe kontribuuesit e ndërtimit të saj. Pas faljes së namazit të drekës, për gjithë të pranishmit u shtrua një drekë solemne, me ç’rast nxënësit e fshatit dhanë edhe një program me recitim të poezive të ndryshme, dhe ilahi të kënduara nga Menduh Alajbeg, nxënës i Medresesë Alaudin në Prizren.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…