Prishtinë, më 16 qershor 2024

Besimtarët myslimanë po festojnë sot festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila vije pas kryerjes se haxhit. Kjo feste  simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin mes njëri-tjetrit.
Ceremonia kryesore e faljes se namazit të Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.
Ceremonia filloi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Sami ef. Fetahu, ndërsa ligjëratën kushtuar festës së Kurban Bajramit e mbajti Hetem ef. Sopjani. Namazit të Kurban Bajramit i priu kryeimami i Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, ndërsa hytben e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

“Sot është ditë feste e gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë. Në këto ditë fisnike, janë ditë që bashkojnë zemrat e të gjithë besimtarëve gjithandej, ku do që janë, për të përjetuar me shpirt gëzimin e harenë dhe duke e falënderuar Allahun për begatitë dhe të mirat që na i ka dhuruar Ai. Kjo është festë që i afron rreth sofrës familjet dhe të afërmit e tyre.
E mbi të gjitha, festa e Kurban Bajramit është këshillë dhe rikujtim i mësimeve dhe porosive hyjnore, të cilat e ndihmojnë besimtarin për organizimin e jetës në këtë botë dhe për të qenë faqebardhë e të shpëtuar në botën tjetër.
Kjo, ashtu siç është festë në Tokë, po ashtu është festë edhe në qiell. Po, po! Sepse, krahas njerëzve, festojnë edhe engjëjt – krijesa të të Gjithëmëshirshmit Allah”, tha gjatë ligjeratës Hetem ef. Sopjani.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Ternava, në këtë hytbe potencoi rëndësinë e kryerjes së haxhit si shtyllë e Islamit si dhe rëndësin e therjes së kurbanit.

“Zoti i Madhëruar i ka caktuar dy festa fetare për robërit e tij myslimanë, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Ai i ka ligjësuar ato për vendime dhe kuptime të mëdha, përfshirë këtu edhe falënderimin dhe lavdërimin e Tij. Ne festojmë Kurban Bajramin dhe jemi të lumtur, falënderojmë Zotin e Madhëruar për gjithçka që na ka dhuruar dhe gjithçka që do të na dhurojë në të ardhmen.
Kryerja e haxhit dhe therja e kurbanit janë dy rituale kyçe, të cilat i japin domethënien dhe ia shtojnë vlerën festës së Kurban Bajramit. Haxhi është një ndër veprat më të mira te Zoti i Madhëruar pas besimit. Muhamedi a.s., ka thënë:“Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim përveç Xhenetit” ,tha ai.

Myftiu Tërnava nga kjo hytbe përçoi mesazhet e tij për paqe në gjithë botën, duke shtuar se dashuria ndaj atdheu është simbol i identitetit, historisë dhe krenarisë.
“Shprehja e dashurisë për atdheun në lutjet e përditshme, është një ndjenjë e natyrshme, e lindur në brendësinë shpirtërore, dhe që rritet me rritën tonë. Ajo na jep ndjenjën se asgjë nuk krahasohet me ngrohtësinë e tokës ku jemi krijuar dhe ushqyer. Dashuria ndaj atdheut është një dhuratë e pashtershme, është simbol i identitetit, historisë, qytetërimit e krenarisë, prandaj themi se është detyrë jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Në këtë mënyrë bëhemi qytetarë të një vendi ku jetohet me dinjitet, e për t’u bërë të tillë, kërkohet që të jemi bashkë, t’i qëndrojmë besnikë atdheut, duke e promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe në Mekën e largët.”

Festa e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë vije pas kryerjes së obligimit të haxhit, ku edhe nga Kosova shumë besimtarë po kryejnë këtë obligim. Ndërsa që nga falja e namazit të Bajramit besimtarët myslimanë therin kurban për tri ditë me radhë.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Përfundoi aksioni i shpërndarjes së mishit të kurbanit

Prishtinë, më 10 korrik 2024 Rreth 20 mijë kurbane janë therur dhe janë shpërndarë nga Bas…