Prishtinë, 27 maj 2018
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, nëpërmjet shoqatës së saj humanitare ‘Bereqeti”, shpërndau 1000 pako ushqimore për familjet nevojtare në rajonin e Dukagjinit (Klinë, Istogu, Pejë dhe Deçan), 350 pako në Prizren, 200 pako në komunën e Sharrit dhe 100 pako në Brod. Ky donacion është për nder të muajit të bekuar të Ramazanit nga fondacioni Sheijh Zajd nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Drejtori i Bereqetit Fitim Flugaj tha se ky është viti i tretë me radhë që po ndihmohen familjet nevojtare nga ky fondacion. “Po mundohemi që t’u dalim në ndihmë sado pak shtresave të varfra edhe po shtrojmë iftare për këtë kategori të shoqërisë,- tha drejtori Flugaj. Ai ka falënderuar EBA-në për këtë ndihmë dhe për besimin e dhënë që vazhdimisht po ndihmon Kosovën me anë të shoqatës Bereqeti.
Përfituesit e këtyre ndihmave i vlerësuan si tejet të nevojshme këto ndihma duke u ankuar se jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe jetojnë nga asistenca sociale me 75 euro në muaj. Falënderuan Bashkësinë Islame të Kosovës që po kujdeset për ta dhe falënderuan edhe donatorët për këtë ndihmë, e cila do t’ua lehtësojë sado pak jetën e tyre tejet të vështirë.