Prishtinë, më 2 dhjetor 2022
Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot, në të gjitha xhamitë anekënd Kosovës, në hytben e xhumasë, u ligjërua tema “Angazhimi familjar dhe kolektiv për luftimin e dhunës ndaj femrës”
Hytbeja e plotë:
Java që po e lëmë pas ishte dëshmi e dy ngjarjeve makabre që na tronditën të gjithëve. Vrasja e mësueses në Prishtinë dhe vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së poashtu në Prishtinë, ishin lajme që me të drejtë provokuan debate të shumta rreth të drejtave të femrave që shkelen në vazhdimësi, rreth mungesës së dënimeve meritore për kryesit e krimeve, rreth qasjes institucionale karshi këtij dhe fenomeneve të ngjashme.
Si institucion fetar, ne i dënojmë ashpër këto krime të rënda dhe kërkojmë nga autoritetet që të marrin masat e duhura, në mënyrë që rastet e tilla mos të përsëriten kurrë. Po kështu, kërkojmë nga shoqëria civile, që, bashkërisht, të punojmë për ngritjen e vetëdijes shoqërore.
Kjo hutbe e sotme është hap ynë konkret dhe i vazhdueshëm në këtë rrugë.
DHUNA E PAJUSTIFIKUAR
Dhuna, parimisht, është e refuzuar, sepse, duke qenë se Allahu xh.sh., nuk ia ka lejuar as vetvetes, atëherë ajo askujt nuk i lejohet. Allahu xh.sh., thotë:
وَلَا تَعْتَدُوا ۚ إِنَّ اللَّـهَ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ
“…mos tejkaloni kufirin! – Se, Allahu, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” [Bekare: 190]
Në hadith kudsij thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe të tillë e kam caktuar në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit padrejtësi!”[1]
Pra, parimisht, dhuna ndalohet ndaj çdokujt, ndërsa kur të jemi tek gratë, ndalesa bëhet edhe më e fuqishme, për shkak të natyrës së tyre të dobët dhe pamundësisë për t’u mbrojtur. Abdul Aziz Tarifi, një hoxhë bashkëkohor, duke folur për këtë temë, thotë: “Padrejtësia ndaj gruas tek Allahu gjykohet si mëkat më i madh se padrejtësia ndaj mashkullit sepse ndihma e Allahut dhe mbështetja e Tij për të dobëtin është në varësi të mundësisë që ka për ta mbrojtur veten. Për këtë shkak, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O Allahu im, unë i deklaroj rreptësisht të paprekshme të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas.”
Se dhuna ndalohet, flasin edhe shumë argumente tjera, të cilat parësore e shohin respektin, nderimin dhe vlerësimin ndaj femrës, e jo dhunën ndaj saj. Allahun xh.sh., thotë:
ومِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” [Rrum: 21]
Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë se tre gjëra janë që sjellin lumturinë: gruaja e ndershme, mjeti komod i udhëtimit dhe shtëpia e madhe.[2] Duke qenë e këtillë, atëherë ajo që duhet vepruar me gruan është respekti dhe nderimi, jo dhuna dhe maltretimi. Siç shënojnë Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ju porosis për mirësjellje me gratë andaj pranojeni porosinë time…” Dhe jo vetëm kaq, tregues të nivelit fetar e qytetar të besimtarit e ka bërë pikërisht raportin ndaj gruas. Në hadith qëndron: “Më i miri prej jush është ai që kujdeset më së miri për familjen e vet. Unë jam më i miri prej jush sepse kujdesem më së miri për familjen time.”[3]
Ky hadith nuk na ofron thjesht një mësim teorik por edhe praktik. Ai na mëson se Pejgamberi Muhammed ﷺ, ka qenë shembull për sa i përket respektimit të gruas. Ka qenë njeriu që më së shumti e ka respektuar gruan.
PËRZGJEDHJA E BASHKËSHORTIT/BASHKËSHORTES
Duke qenë se jeta bashkëshortore ka rëndësi shumëdimensionale, atëherë si kusht paraprak që duhet marrë në konsideratë të madhe është edhe përzgjedhja e bashkëshortit, respektivisht bashkëshortes. Ekzistojnë shumë motive që njerëzit i shtyjnë të përzgjedhin partnerin apo partneren, por ai që garanton jetëgjatësinë e martesës dhe respektin e ndërsjellë është vetëm elementi fetar. Për këtë shkak, anashkalimi i këtij elementi paraqet probleme të mëdha, të cilat mbase edhe mund të kenë fund të këtillë të hidhur. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse vjen t’ua kërkojë dorën e vajzës suaj dikush, fenë dhe moralin e të cilit e pëlqeni, atëherë jepjani, ndryshe do të bëni çrregullime në tokë.”[4] Pra, nëse i anashkaloni të ndershmit dhe vajzat i martoni për njerëz që i përzgjidhni vetëm pse kanë pasuri ose kanë këtë e atë, ndërsa nuk interesoheni për nderin, moralin, sjelljet dhe fenë e tyre, atëherë ju keni kontribuar për të keq, keni kontribuar për këtë gjendje degraduese dhe të mjerë, në të cilën, rastet e dhunës ndaj femrës, shkelja e nderit të saj, mund të jenë të përditshme.
Ja si do ta trajtonte një femër dikush tjetër i edukuar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Besimtari nuk e urren besimtaren; nëse nuk i pëlqen një tipar i saj, mund t’i pëlqejë tjetri.”[5]
Imam Gazaliu citon Hasan Basriun të jetë përgjigjur kur dikush nga besimtarët e kishte pyetur se kujt duhet t’ia jepte vajzën meqë dorën e saj e kishin kërkuar disa. Ai kishte thënë: “jepja atij që ia ka frikën Allahut xh.sh., sepse, nëse e do, e nderon, e nëse nuk e do, nuk i bën padrejtësi.”
BASHKËPUNIMI NDËRINSTITUCIONAL PËR LUFTIMIN E DUKURIVE NEGATIVE
Fakti se kohëve të fundit janë shfaqur kaq shumë dukuri negative në mesin e popullatës sonë, duhet të na alarmojë të gjithëve, dhe të na vë në lëvizje për të gjetur zgjidhjet më të mira për këto dhe probleme të ngjashme, që për bazë kanë edukimin.
E kemi thënë sa e sa herë dhe do ta përsërisim se zgjidhja më e mirë është edukimi fetar. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë edukimin fetar. Çdo vonim në aprovimin e edukimit fetar në shkolla është me pasoja. Ndaj, le të jetë kjo një thirrje për institucionet tona qeverisëse që ta marrin në konsideratë futjen e edukatës fetare në shkolla, ashtu siç veprojnë një numër i madh i shteteve në perëndim. Le të jetë ky një mesazh i yni kundër këtyre dukurive negative që po prekin shoqërine tonë!
[1] Hadithin e shënon Muslimi.
[2] Shih: Sahihu-l-Xhami, 3056.
[3] Tirmidhiu, nr. 3895.
[4] Tirmidhiu, nr. 1084.
[5] Muslimi, nr. 1469.