[Intervistë e huazuar nga gazeta “Echo”]
Lexuesit tanë me siguri kanë dëgjuar për shumë personalitete intelektuale të shquara nga Perëndimi, të cilët kanë përqafuar fenë islame. Kjo dukuri nuk është e rrallë në vendet evropiane dhe në Amerikë, ku liria e shprehjes së mendimit ka një traditë të gjatë. Dhe mu ky ambient u bë i volitshëm për përhapjen e mendimeve islamike tek intelektualët e preokupuar me çështje esenciale filozofike të ekzistencës njerëzore.
Por lexuesit tanë nuk dijnë apo dinë fare pak për përhapjen e kësaj dukurie në Lindje, dhe sidomos në mesin ortodoks, ku kjo dukuri po ashtu është shfaqur në vitet e fundit, sidomos pas kolapsit të regjimit totalitar ateist.
Edhe në këtë ambient të vështirë për përhapjen e së vërtetës islamike, akulli ka filluar të shkrijë, dhe sot nuk janë të rralla rastet e përqafimit të fesë islame nga pjesëtarët e konfesionit “pravosllav”.
Është e nevojshme të ceket se procesi i përhapjes së ndikimit të mendimeve islamike në qarqet intelektuale ruse është evident sidomos që nga fillimi i shekullit XIX. Kjo influencë evidentohet në veprat e Pushkinit i cili për një kohë ishte marrë me leximin e përkthimeve të Kur`anit, kurse për shkrimtarin e madh rus Tolstoj dihet mirë se në vitet e fundit të jetës së tij ishte marrë seriozisht me studimin e jetës së Muhammedit a.s. dhe me Kur`anin.
Këto hulumtime të tij rezultuan me kundërshtimet e tij të hapura të qëndrimeve të Kishës “pravosllave” nga e cila vetë doli ai dhe pastaj u përjashtua nga kisha “pravosllave”. Këtë qëndrim ndaj kishes “pravosllave” Tolstoj e mbajti deri në vdekje.
Me këtë rast do të bëjmë fjalë për intelektualin dhe filozofin e teologun rus bashkëkohor, i cili përqafoi fenë islame .
Kush është Vjeçeslav Polosin?
Vjeçeslav Polosin, i cili ishte para disa vjetve prift ortodoks, tani ka zgjedhur për vete emrin Ali. Ai ka kryer Fakultetin Filozofik të Universitetit Shtetëror të Moskës, dhe Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Ka kryer edhe Seminarin Shpirtëror të Moskës (që konsiderohet shkolla më e lartë “pravosllave”).
Më 1999 arriti titullin e doktorit të shkencave më temën: “Dialektika e mitit dhe mitokrijimtaria politike”.
Në fillim të viteve 90 Vjeçeslav Polosin ishte prift i ri dhe në atë kohë u zgjodh deputet i Sovjetit Suprem (parlamentit) të Rusisë, pastaj u zgjodh kryetar i Komitetit për liritë e ndërgjegjes të Sovjetit Suprem.
Renesansa islamike do të realizohet nga evropianët dhe amerikanët
Ne po sjellim intervistën e Ali Vjeçeslav Polosinit, që i ka dhënë gazetës ditore azerbejxhanase “Echo” (12 tetor 2002) që del në Baku, ku Aliu tregon shkaqet e përqafimit të fesë islame.
Echo: Duke gjykuar se në çfarë moshe keni pranuar Islamin, ky ishte një hap i juaj i vetëdijshëm. Ç`ju shtyri ta bënit këtë?
Vjeçeslav Polosi: Në një kohë të caktuar, duke kërkuar Zotin, une arrita në fenë “pravosllave”. Por kur e analizoj sot atë hap timin, unë e kuptoj se nuk ishte një zgjedhje e vetëdijshme ndër fetë e ndryshme. Ajo zgjedhje më tepër ishte alternativa e vetme e e ateizmit. Më vonë gjatë studimeve në Seminar dhe kur isha prift, une arrita në përfundim se ritet krishtere, në mënyrë të qartë kanë karakter pagan dhe atëherë iu drejtova burimeve të para të krishterimit. Dhe në fund arrita tek feja islame si religjion i vetëm që paraqet burimin e pastër të monoteizmit në botë.
Echo: Hapi juaj ishte rezultat i dëshpërimit tuaj në Krishterim?
Vjeçeslav Polosi: Unë jam rritur në familje besimtare dhe në kishën “pravosllave” kam filluar të shkoj kur kam qenë student i Fakultetit Filozofik të Universitetit Shtetëror të Moskës. Pas universitetit i jam përkushtuar kishës. Si njeri me mendime filozofike, kam pasur edhe shumë pyeteje, më tepër për kuptimin e jetës dhe të së vërtetës. për këto pyetje, në fillim, nuk gjeja përgjigje, pastaj gjeta, por këto përgjigje shkaktuan dëshpërimin tim.
Echo: A i ndanit dyshimet tuaja me dikë?
Vjeçeslav Polosi: Me të vërtetë i ndaja. Në familje… me disa shokë të afërm ndërkohë lexoja libra, më tepër filozofikë dhe teologjikë. Ndikim të jashtëm nga ana e muslimanëve nuk kam pasur. Me duhet të them se asnjë libër mbi Islamin deri në atë moment kur arrita te monoteizmi, unë nuk kisha lexuar.
Echo: Si u pranua vendimi i juaj nga klerikët pravosllav?
Vjeçeslav Polosi: Natyrisht, negativisht. Për ata që mbetën në atë kishë dhe të cilët janë të lidhur për të me disiplinë korporative dhe me interes korporativ, hapi im ishte, një gjë shumë e pakëndshme për ta.
Echo: A provuan t`ju bindin? A ju gjykuan?
Vjeçeslav Polosi: Në momentin kur mora vendimin që të behesha musliman, nuk kisha marrëdhënie me ta. Një kohë të konsiderueshme para se të merrja këtë vendim, unë u largova nga punët e kishës ku shërbeja si prift në Euparkinë e Kaluzhës. Unë atë detyrë e lëshova vetë kur u zgjodha deputet në Sovjetin Suprem të Rusisë. Në atë kohë unë mendoja që pas skadimit të afatit të deputetit, të kthehesha në detyrën time të mëparshme, por pastaj humba dëshirën për ta bërë atë.
Megjithëqë më ofruan pozitën e kryesuesit të një kishe të kryeqendrës (Moskës), unë vendosa që t`i sqaroja gjërat me vetveten. Dhe kështu në kohën kur pranova Islamin, nuk isha i lidhur me klerin pravosllav, mendoj nuk isha i lidhur administrativisht. Deklarova haptas për vendimin tim, dhe shumë lidhje e kontakte të mëparshme u shuan .
Echo: A e dini gjuhën arabe? A e lexoni Kur`anin në gjuhën arabe?
Vjeçeslav Polosi: Për fat të keq, arabishten nuk e di. Islamin e kam pranuar qe tre vjet dhe menjëherë pas këtij hapi dhashë dorëheqje nga parlamenti, ku isha i punësuar. Tani jam këshilltar i myftiut të muslimanëve të Rusisë – RAVIL GAJNUDDIN. Kryesia jonë boton gazetën gjithëruse, që quhet “Çdo gjë për Islamin”. Unë jam kryeredaktor i saj. Kjo gazetë më shpenzon shumë energji dhe kohë.
Përveç kësaj para një kohe të shkurtër më kanë emruar udhëheqës të Departamentit për lidhje publike të Këshillit të Myftinjve. Unë, po ashtu, shkruaj libra. Më kanë dalë nga shtypi librat; “Rruga e drejtë nga Zoti”; dhe “Tejkalimi i paganizmit”.Tani jam duke përfunduar librin; “Bisedat e një muslimani me një misionar krishterë”. Si po e shihni, punë ka shumë, dhe për këtë shkak nuk më mbetet kohë për mesimin e gjuhës arabe. Nuk më bie mua të shpjegoj se gjuha arabe është gjuhë mjaft e vështirë dhe që kërkon shumë kohë e mund.
Echo: A e lexoni Kur`anin në gjuhën ruse?
Vjeçeslav Polosi: Po, i lexoj përkthimet e Kur`anit në gjuhën gjermane, angleze dhe ruse, i krahasoj ato dhe thellohem në esencë. Arritja e thellësive kuranore nuk varet aq shumë nga gjuha. Sa ka arabë që janë komunistë, të krishterë, bile edhe paganë! Kuptimi i Kur`anit arrihet nëpërmjet arritjeve shpirtërore, nëpërmjet tefsireve, interpretimeve të Kur`anit. Këto gjëra ndihmojnë të gjendet ai kuptim, i cili është i mbjellë aty. Gjuha është përparësi, por është larg që të përbëjë gjithçka.
Echo: Si reagoi bashkëshortja e juaj ndaj zgjedhjes suaj?
Vjeçeslav Polosi: Bashkëshortja ime ka përqafuar Islamin së bashku me mua.
Echo: Pas ngjarjeve të 11 shtatorit, a nuk ju duket se Islami është fe e vrazhdë?
Vjeçesllav Pollosi: Kurrsesi. Unëkëtë mund ta argumentoj.Të marrim Biblën dhe Kur`anin dhe t`i vëmë njërin pranë tjetrit, pastaj të hapim vendet paralele që flasin për luftën. Në Bibël shkruan “…të asgjësohen të gjithë deri në foshnjën e fundit…”, në të mund të gjejmë edhe qortimin e rreptë të atij që e ka kursyer një femër shtatzënë, edhe pse nuk e ka zhdukur. Kurse në Kur`an shkruan “…kurrë mos sulmoni të parët…”, por, për fat të keq këtë disa e komentojnë në mënyrë të vetë. Xhihadi lejohet vetëm në rastet e vetëmbrojtjes. Bile, nëse kundërshtari propozon negociata, aksionet luftarake ndërpriten menjëherë. Asgjë të vrazhdët nuk ka në Islam. Islami është religjion i denjë dhe i përkryer. Në të njeriu nuk shihet si kundërthënie e dy elementeve (dy gjërave esenciale, fillestare): shpirtërores dhe trupores. Nëse e ke arritur të vërtetën, duhet të mundohesh që ajo të jetë jo vetëm në shpirt, por edhe në jetën e përditshme, shoqërore, familjare, politike etj.
Sot shumë njerëz pranojnë Islamin. Femrat e bëjnë këtë më shpesh sesa meshkujt. Kur flas për këtë dukuri, kam ndërmend evropianet etnikë. Kjo tregon se femrat e ndiejnë veten të lira në mënyrë të vërtetë mu në fenë islame. Tjetërgjë është fakti se në shumë vende që e quajnë veten islame (jo të gjitha), femrat në të vërtetë gjenden në një gjendje të nënçmuar, por kjo gjendje rrjedh jo nga Kur`ani, por nga traditat nacionale të popujve. Edhe te ne në Kaukazin Verior, mund të vërejmë një dukuri të tillë. Këto janë zakone të malësorëve. Kur`ani në të vërtetë mbronë në mënyrë shumë të denjë të drejtat e femrave. Sot, përshembull, në Francë ka mbi 500 mijë françezë etnikë në fenë islame, në Gjermani 400 mijë etj. Ky proçes është duke marrë hov. Unë mendoj se renesansa islamike do të realizohet nga evropianët dhe amerikanët.
* * *
Në saje të bisedës telefonike me Sekretariatin e Këshillit të Muftinjve në Moskë u informova se dukuria e përqafimit të Islamit nga rusët etnikë nuk është e rrallë dhe se numri i tyre është rreth 10 mijë, por një pjesë emadhe e tyre janë femra të martuara me muslimanë.
Në Kryesinë Shpirtërore të Muslimanëve të Rusisë është i angazhuar një grup i intelektualëve të njohur rusë, të cilët vitet e fundit kanë përqafuar Islamin, rreth revistës islame “Çdo gjë për Islamin” dhe botimet e tjera islamike në gjuhën ruse. Më të njohurit ndër ta jane; Akademikja Valerija Porohova, e cila ka zgjedhur emrin Iman; ajo është autore e përkthimit më të mirë të Kur`anit në gjuhën ruse dhe Ali Polosin, por ka edhe të tjerë intelektualë me perspektivë, pasi janë më të rinj nga mosha.
“Allahu udhëzon në rrugën e drejtë atë që do, dhe e humb atë që do”