Dr. Ejup Haziri

Abstrakt

Ky punim tenton të sjell një pasqyrë të shkurtuar rreth agjërimit, duke filluar nga përkufizimi i tij, për të vazhduar me urtësitë e ligjshmërisë së tij, më pas për të bërë një analizë –ndonëse të shkurtuar- rreth ajeteve të agjërimit, në mënyrë që të nxjerren urtësitë e secilit ajet, ngase secili prej tyre është mrekulli në vete, për shkak të përmbajtjes së tyre të ndryshme nga njëri-tjetri dhe porosive që sjellin.

Punimi ka një përqendrim të theksuar rreth nijetit të agjërimit dhe kohës kur juridikisht është i mundur fillimi i nijetit për agjërim dhe kohës kur nijetit i skadon koha. Respektivisht të dihet koha kur mund të bëhet nijeti si dhe koha kur nijeti më nuk ka fuqi juridike. Në këtë pikë do të ndërlidhemi edhe me realitetin e shoqërisë sonë. Gjithashtu çështje të kësaj natyre do të jenë objekt trajtimi në këtë punim, siç mund të jetë çështja e nijetit me gjuhë apo me zemër, apo a duhet bërë nijet për secilën ditë, apo mjafton një nijet i vetëm për tërë muajin ramazan?

Po ashtu nuk do të mungojnë edhe kategoritë e ndryshme që lirohen nga agjërimi, që nënkupton se Islami është fe e mëshirës dhe nuk ka për qëllim ta rëndojë individin. Sikurse që do ta trajtojmë edhe tematikën e gjërave të ndryshme që e prishin agjërimin, ndonëse sipërfaqësisht, pa u thelluar shumë në këtë çështje.

Përkufizimi i agjërimit

Agjërimi në kuptimin etimologjik nënkupton përmbajtje, abstenim, heqje dorë prej diçkaje, ashtu siç ka ardhur në kaptinën “Merjem”, ku thuhet:

إِنِّي نَذَرْتُ لِلرَّحْمَـٰنِ صَوْمًا فَلَنْ أُكَلِّمَ الْيَوْمَ إِنسِيًّا ﴿٢٦﴾

“Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” (Kur’ani, Merjem: 26).

Ndërsa në kuptimin terminologjik nënkupton abstenim ndaj gjërave që e prishin atë, brenda një periudhe të caktuar, (gjegjësisht nga koha e imsakut e deri në aksham), nga një person i caktuar, duke i paraprirë me nijet.1

Ndonëse rreth kuptimit terminologjik të agjërimit jepen përkufizime të ndryshme, e që më të spikaturat kohëve të fundit janë ato përkufizime që agjërimin e ndërlidhin me braktisjen e ushqimit, pirjes dhe marrëdhënieve intime, mendoj që përkundër popullaritetit, janë përkufizime që lënë diskrepanca dhe që nuk përkojnë me qëllimin sublim që ka agjërimi, ngase tentativa e përkufizimit të agjërimit në tre elemente thelbësore, e ngushton tejmase konceptin e agjërimit.

Prandaj, kam përzgjedhur përkufizimin e sipërm që përkon me shkollën hanefite, që është më gjithëpërfshirës dhe më i qartë në vet qëllimin e konceptit të agjërimit si adhurim. Si rrjedhojë e kësaj, ky përkufizim nuk lë hapësirë për mëdyshje, ngase nocioni “gjërat që e prishin” nuk veçohet me tri sosh, por me tërë ato që e prishin. Përmendja e tri gjërave që në shikim të parë duken përfshirëse, -ndonëse ato janë kryesore- ia humb konceptin real të agjërimit, ngase agjërimi më i lehtë është braktisja e ushqimit dhe ujit.

“Brenda periudhës së caktuar” është për qëllim koha dhe limiti që përfshin koha nga imsaku e deri në kohën kur fillon namazi i akshamit, ndërsa “nga një person i caktuar” është për qëllim i moshërrituri që i përket besimit islam dhe që nuk ka ndonjë pengesë juridike për kryerjen e adhurimeve, si fjala vjen jomyslimani, gruaja në të përmuajshmet sikurse edhe gruaja që është në lehoni.

Kushtëzimi i nijetit bëhet kryesisht për të dalluar adhurimin (ibadetin) nga zakoni-tradita (adeti), ngase mund që ndokush të ketë bërë shprehi që në orët e vona të natës të haj diçka, andaj kushtëzohet nijeti për t’u dalluar ibadeti nga adeti.

Vlera dhe dobitë e agjërimit

Agjërimi është nga shtyllat e islamit. Islami ngritet mbi pesë shtylla, e njëra prej tyre është edhe agjërimi. Ai është një adhurim vjetor, për dallim nga shtylla tjetër që është namazi e që është adhurim ditor dhe javor. Ndërsa haxhi e përmbyll këtë, ngase konsiderohet adhurim jetësor.

Agjërimi ndikon në përmirësimin e individit dhe e ngrit njeriun në shkallën e devocionit. Për këtë tha Allahu i Madhëruar tek ajeti i agjërimit:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ﴿١٨٣﴾

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Kur’ani, el-Bekare: 183).

Ky është qëllimi primar i ramazanit dhe njëherit ky llogaritet revolucion në vete, ngase nëse njeriu agjëron si duhet, ai gjithsesi do të jetë më i mirë se që ka qenë, më i dobishëm dhe më efektiv.

Agjërimi, i cili çdo vjet përsëritet nga një muaj në kohë të ndryshme, çdo ditë që nga agimi e deri në mbrëmje e privon njeriun nga shijimet epshore, nga kënaqësia e ushqimit, pijes dhe marrëdhënieve intime, e edukon njeriun, e stërvit në devocion, në përkryesinë e adhurimit të Allahut. Në një hadith kudsij thuhet: “Agjërimi është për Mua dhe Unë e jap shpërblimin për të! Kjo për arsye se robi e lë ushqimin dhe pijen për Mua, nuk kënaqet me gruan e vet dhe me gjërat tjera tërheqëse vetëm për ta fituar pëlqimin Tim!”

Në çdo moment gjatë agjërimit tonë ne i frenojmë epshet dhe dëshirat tona, dhe me sjelljen tonë vërtetojmë superioritetin e ligjit të Zotit. Kjo vetëdije mbi obligimin dhe durimin, të cilin agjërimi njëmujor e mbjell në ne, na ndihmon që të forcojmë fenë tonë. Përmbajtja dhe disiplina e ashpër gjatë këtij muaji na vendosin sy më sy me realitetin e jetës dhe na ndihmojnë të bëjmë jetën tonë edhe gjatë muajve tjerë, një jetë me nënshtrim të sinqertë ndaj dëshirës së Tij.2

Agjërimi është një adhurim i cili e pastron ndjenjën e njeriut, e ngritë atë shpirtërisht, njëherit është edhe shëndet për organizmin.3

Kur’ani filloi të zbresë pikërisht në këtë muaj, e për këtë Allahu i Madhëruar tha:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ … ﴿١٨٥﴾

“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”4

S’ka dyshim se agjërimi është njëra ndër veprat më të mira që mund t’i bëjë robi për Krijuesin e tij dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme, ai mbron njeriun nga zjarri i skëterrës, e pastron zemrën

dhe shpirtin e tij dhe e lartëson tek i Madhërishmi. I Dërguari i Allahut për vlerën e madhe të agjërimit ka thënë: “Agjërimi është mburojë nga zjarri i xhehenemit…Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, era e agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se sa era e miskut (parfumit)…”5 Për agjëruesit, do të ketë shpërblim enkas dhe madje ata do ta kenë edhe hyrjen e veçantë. Në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Me të vërtetë në xhenet është një portë e cila quhet ‘Rejjan’, në të hyjnë vetëm agjëruesit, e përpos tyre askush nuk mund të hyjë në të. U thuhet: Ku janë agjëruesit, e ata ngriten e pos tyre s’mund të hyj askush, e kur ata hyjnë, ajo derë mbyllet dhe askush s’mund të hyj në të.”6 Ai i cili agjëron muajin e ramazanit me bindje të plotë dhe pa hezitim, i falen mëkatet e kaluara. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush agjëron muajin e ramazanit me bindje të plotë dhe duke llogaritur në shpërblim, i falen atij mëkatet e kaluara.”7

Agjërimi është adhurim për hirë të Allahut, prej të cilit ka shumë dobi për vet njeriun:

-Agjërimi qetëson aparatin tretës dhe stomakun nga lodhja e punës së tyre të vazhdueshme, shkrin mbeturinat (në aparatin tretës zorrë etj.) dhe forcon trupin. Ai është i dobishëm, gjithashtu, sepse shëron shumë sëmundje.

-Agjërimi edukon shpirtin tonë dhe është mjet i fuqishëm që na çon në veprime të mira dhe rregull, na kultivon ndjenjën e ibadetit (të adhurojmë Allahun sinqerisht), të kemi durim (në përballimin e vështirësive) dhe sinqeritet (në sjelljen tonë).

-Agjëruesi ndien barazinë midis vëllezërve të tij agjërues. Kështu e agjëron bashkë me ta dhe ha në një kohë me ta. Kupton gjithashtu unitetin e përgjithshëm islamik, ndien edhe urinë, e ia kupton hallet vëllezërve të tij të uritur dhe nevojtarë.8

Nga ana tjetër, agjërimi ka ndikim të madh në shoqërinë, sepse të gjithë myslimanët, pa marrë parasysh pozitën e tyre, duhet të agjërojnë gjatë të njëjtit muaj. Kjo shpreh bashkimin e vërtetë të njerëzve dhe krijon në ta ndjenjën edhe më të thellë të dashurisë dhe vëllazërimit. Gjatë ramazanit e keqja humbet, kurse e mira vjen në plan të parë dhe e tërë atmosfera është e mbushur me devotshmëri dhe pastërti.9

Urtësia e agjërimit

Agjërimi është adhurim diskret mes robit e Zotit dhe si i tillë ngërthen në vete një mori urtësish, që i kanë elaboruar dijetarët e mirëfilltë.

Përveç urtësisë si një obligim i veçantë dhe një adhurim diskret, prapa urdhrit për agjërim fshihet përmbajta e nefsit dhe distancimi i tij ndaj të këqijave, epsheve dhe gjithë atyre veprimeve që urrehen nga Zoti. Andaj, nuk është e rastësishme përse tek ajeti i agjërimit, në fund ka ardhur shprehja: kështu që të bëheni të devotshëm.” (Kur’ani, el-Bekare: 183). Pra, agjërimi synon që individi ta përmbajë vetveten dhe bëhet mburojë ndaj të këqijave. Përndryshe nëse besimtari synon që të bëjë një shkëputje dhe distancim nga ushqimet e pirjet, atëherë agjërimi i tij mund të jetë i pavlerë, ngase i Dërguari i Allahut tha:

«رُبَّ صَائِمٍ لَيْسَ لَهُ مِنْ صِيَامِهِ إِلَّا الْجُوعُ، وَرُبَّ قَائِمٍ لَيْسَ لَهُ مِنْ قِيَامِهِ إِلَّا السَّهَرُ»

“Ndoshta ndonjë agjërues nuk do të përfitojë asgjë nga agjërimi i tij, përveç urisë, e ndoshta edhe ndonjë namazfalës nuk do të përfitojë asgjë nga qëndrimi në namaz, përveç lodhjes.”10

Hadithi është indikacioni më i qartë se nëse përkushtimi dhe përqendrimi maksimal në namaz mungon, atëherë vlera e namazit është në pikëpyetje, gjithashtu nëse agjëruesi largohet vetëm nga ushqimi dhe pirja, por jo nga veprat e këqija e të liga, atëherë agjërimi i tij është në pikëpyetje. Prandaj, është shumë e rëndësishme që agjëruesi t’i braktisë edhe veprat e liga, fjalët e këqija dhe veset e turpshme, ashtu siç e braktisë ushqimin dhe pijen.

Përmes agjërimit synohet dhembshuria ndaj të varfërve dhe ndaj atyre që ndiejn uri të vazhdueshme. Kjo nënkupton që besimtari ndien varfërinë e tjetrit dhe vuan nga gjendja e tij. Kjo ndikon në socializimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë dhe në vetëdijësimin e jashtëzakonshëm të masës, ku secili ndjen vuajtjen e tjetrit. Në këtë kontekst i Dërguari i Allahut tha:

«الْمُؤْمِنُ لِلْمُؤْمِنِ كَالْبُنْيَانِ يَشُدُّ بَعْضُهُ بَعْضًا

“Besimtari për besimtarin është sikur një godinë, ku pjesët e saj janë (ngjitur) njëra për tjetrën…”11

Agjërimi është edukim i vullnetit të njeriut në durim dhe në ballafaqim me mundimet, është edukatë e të ndierit dhembjet e tjetrit dhe përpjekje për barazi. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut këtë muaj e ka quajtur ‘Muaji i durimit’12 dhe ‘Muaji i barazisë.’

AJETET E AGJËRIMIT

Në kaptinën “el-Bekare”, në lidhje me agjërimin janë pesë ajete që flasin për të, njëri pas tjetrit (kam fjalën në renditje, sepse ajete për agjërimin ka edhe më tepër). Po që se studiohen mirë, atëherë do të del në pah një element tepër i rëndësishëm, që mund të quhet mrekulli në vete. Ai i cili i shqyrton mirë këto ajete, njëren prej tjetres, lehtë mund të vjen në përfundim se këto ajete shpërfaqin:

Ajeti i parë: Platforma e agjërimit

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ﴿١٨٣﴾

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Kur’ani, el-Bekare: 183).

Në këtë ajet, Allahu shfaq platformën e agjërimit në tre hapa: (1) dedikimi (besimtarëve), (2) kontinuiteti dhe kronologjia e agjërimit (thuajse tek të gjithë popujt), dhe (3) synimi i agjërimit (devotshmëria-kalimi në një stad më të mirë dhe më të kënaqshëm, gjegjësisht ndryshimi i vetvetes).

Ajeti i dytë: Toleranca

أَيَّامًا مَّعْدُودَاتٍ ۚ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ ۚ وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ ۖ فَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًا فَهُوَ خَيْرٌ لَّهُ ۚ وَأَن تَصُومُوا خَيْرٌ لَّكُمْ ۖ إِن كُنتُمْ تَعْلَمُونَ ﴿١٨٤﴾

“(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim, ushqim (ditor), i një të varfëri ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më mirë për te. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Kur’ani, el-Bekare: 184).

Në këtë ajet, Allahu shfaq mëshirën e Tij që ka kapluar çdo gjë, duke treguar se bëhet fjalë vetëm për disa ditë të caktuara dhe se tregon edhe për (disa nga) grupet e liruara nga agjërimi. Me fjalë tjera tregon për tolerancën e agjërimit, duke lënë hapur derën ndonëse bëhet fjalë për një adhurim shumë të veçantë.

Ajeti i tretë: Privilegjet

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ ۚ فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ ۖ وَمَن كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ ۗ يُرِيدُ اللَّـهُ بِكُمُ الْيُسْرَ وَلَا يُرِيدُ بِكُمُ الْعُسْرَ وَلِتُكْمِلُوا الْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُوا اللَّـهَ عَلَىٰ مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ ﴿١٨٥﴾

“(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aqë ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falenderoni.” (Kur’ani, el-Bekare: 185).

Ky ajet flet për mirësitë dhe privilegjet e mëdha të agjërimit, e si mund të ketë privilegj më të madh se ai që takimi i tokës me qiellin ndodhi në këtë muaj me zbritjen e Kur’anit, ku shkëndijat hyjnore nga qielli larguan errësirën e madhe të tokës?

Ajeti i katërt: Rezultati

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ ۖ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ ﴿١٨٦﴾

“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Kur’ani, el-Bekare: 186).

Përmes këtij ajeti tregohet se lutja e robit është e pranuar dhe se Zoti është përherë afër robit të Vet. Ai është në gjendje përherë për t’iu përgjigjur robit të Tij. E, si mund të ndihet robi i anashkaluar përderisa qëndron pranë portës së Tij? E, si mund të jetë i vetmuar, gjersa është i shoqëruar me Të. Ndonëse ky ajet në mënyrë decidive nuk flet për agjërimin, ai ka hyrë në mes të ajeteve të agjërimit dhe tërthorazi ndërlidhet me agjërimin si adhurim diskret, ashtu siç është edhe lutja.

Ajeti i pestë: Normativat

أُحِلَّ لَكُمْ لَيْلَةَ الصِّيَامِ الرَّفَثُ إِلَىٰ نِسَائِكُمْ ۚ هُنَّ لِبَاسٌ لَّكُمْ وَأَنتُمْ لِبَاسٌ لَّهُنَّ ۗ عَلِمَ اللَّـهُ أَنَّكُمْ كُنتُمْ تَخْتَانُونَ أَنفُسَكُمْ فَتَابَ عَلَيْكُمْ وَعَفَا عَنكُمْ ۖ فَالْآنَ بَاشِرُوهُنَّ وَابْتَغُوا مَا كَتَبَ اللَّـهُ لَكُمْ ۚ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ ۖ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْلِ ۚ وَلَا تُبَاشِرُوهُنَّ وَأَنتُمْ عَاكِفُونَ فِي الْمَسَاجِدِ ۗ تِلْكَ حُدُودُ اللَّـهِ فَلَا تَقْرَبُوهَا ۗ كَذَٰلِكَ يُبَيِّنُ اللَّـهُ آيَاتِهِ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ ﴿١٨٧﴾

“Natën e agjërimit u është lejuar afrimi të gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pinin derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhamia, mos t’u afroheni atyre (për marëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.” (Kur’ani, el-Bekare: 187).

Ky ajet flet për rregulla, dispozita dhe norma dhe se ato vijnë krejtësisht në fund, pasi që të arrihen hapat tjerë. Jo e rastësishme, që normat, jo vetëm tek ky rast, por edhe tek rastet tjera, gjithnjë kanë ardhur në fund. Për dallim nga e tashmja, që njerëzit së pari vendosin normat, e pastaj elementet tjera mbesin pa kuptim. Kjo tregon se predikimi nuk po bëhet nga hapat e parë, por është filluar nga fundi, prandaj si të presim rezultate?

Dispozita të ndryshme rreth agjërimit

Agjërimi si adhurim diskret ka rregulla, dispozita dhe norma të ndryshme, që ndoshta një pjesë e masës nuk kanë edhe njohuri të mjaftueshme rreth tyre, andaj e shoh të arsyeshme të shpjegoj disa prej tyre.

Nijeti të bëhet gjatë natës

Meqë muaji i Ramazanit është një adhurim i veçantë dhe shumë i rëndësishëm, është me rëndësi që nijeti të bëhet patjetër. Juristët kur flasin për agjërimin, shprehen se ai patjetër duhet të shoqërohet me nijet, ngase veprat llogariten në bazë të nijetit, respektivisht qëllimit të njeriut. Në këtë kontekst i Dërguari i Allahut kishte thënë: “

«إِنَّمَا الأَعْمَالُ بِالنِّيَّاتِ، وَإِنَّمَا لِكُلِّ امْرِئٍ مَا نَوَى…»

“Veprat shpërblehen sipas qëllimeve, e secilit njeri i takon ajo që ka pasur për qëllim (që e ka synuar)…”13

Andaj për t’u dalluar adeti nga ibadeti, gjegjësisht shprehia nga adhurimi, është kushtëzuar nijeti, ngase siç shprehet edhe autori i “Bahru-rr Rraik-it”, se ka disa njerëz që ia kanë bërë shprehi vetit të hanë gjatë natës, e kjo shprehi tek ta është e vazhdueshme, prandaj nijeti është ai që bën dallimin në vepër, qëllim dhe shpërblim.14

Nga kjo rezulton se agjërimi duhet të shoqërohet me nijet dhe kjo është e kushtëzuar, mirëpo dikush mund të shtrojë pyetjen: “Po nijeti kur duhet të bëhet?”

Ulemaja e shkollës hanefite kur e trajtojnë çështjen e nijetit të Ramazanit, e shpjegojnë detajisht se nijeti duhet të bëhet gjatë natës dhe kjo është çështje e unifikuar mes dijetarëve brenda shkollës sonë. Mirëpo, cila pjesë e natës dhe kur është koha kur nijeti mund të bëhet?

Koha e natës fillon nga koha e akshamit e mbaron me lindjen e diellit, andaj nijeti për agjërimin e ditës së ramazanit lejohet të bëhet pas kohës së akshamit, e jo assesi para kohës së akshamit, madje nuk lejohet as në kohën kur dielli është duke perënduar, sepse llogaritet nijet para kohe. Pra, namazi i akshamit, është koha përcaktuese që e bën të lejuar nijetin për agjërim.

E, nëse akshami është vija përcaktuese dhe nga aty fillon lejimi i vendosjes së qëllimit për agjërim, atëherë domosdo na lind pyetja tjetër: “Deri kur mund të bëhet nijet?” apo: “Kur përfundon koha e nijetit të syfyrit?

Koha më e vlefshme dhe ajo që rekomandohet gjatë muajit të ramazanit është që nijeti për agjërim të bëhet gjatë natës, respektivisht deri në kohën e namazit të sabahut, mirëpo për shkaqe të ndryshme dhe duke marrë parasysh rrethanat e ndryshme që mund të shfaqen, ulemaja e kanë lejuar që deri në kohën e zenitit lejohet të bëhet nijeti për agjërim, por jo edhe më vonë. Me fjalë tjera, zeniti nënkupton kur dielli arrin në pikën më të lartë në kupën qiellore, e që është koha para namazit të drekës.

Përfundimisht koha kur lejohet të bëhet nijeti për agjërim, fillon nga koha e namazit të akshamit e mbaron para namazit të drekës. Me hyrjen e namazit të drekës, praktikisht nijeti më konsiderohet i pavlevshëm. Mirëpo, ajo që rekomandohet dhe pëlqehet është që nijeti të bëhet gjatë natës, e jo pas namazit të sabahut. Mirëpo, kur mirren shkaqet e ndryshme, si harresa e disa elemente tjera, atëherë agjëruesit i jepet edhe një mundësi më e gjerë sa i përket nijetit, e që zgjatet deri në kohën e zenitit, respektivisht koha pak para namazit të drekës.

E, nëse harrohet tërësisht dhe agjëruesit nuk i kujtohet që nuk e ka bërë nijet, ose i kujtohet pasi të ketë kaluar dita e agjërimit, agjërimi i tij është në rregull, sepse qëllimi i tij nuk ka qenë të vazhdoj pa nijet, por nijeti ka munguar si pasojë e harresës.

Një dukuri jo e mirë që haset në shoqëri është edhe ajo që disa zgjohen në syfyr, mirëpo nuk e bëjnë nijet, me arsyetimin se ndoshta s’mund ta agjërojmë, e presin pasditen që nëse deri atëherë nuk kanë pengesa, atëherë e vazhdojnë agjërimin, por nëse kanë pengesa, e prishin. Faktikisht, një gjë e tillë nuk lejohet. Nijeti duhet bërë, ngase nijeti shpërfaqë vendosmërinë dhe vullnetin për vazhdimin e adhurimit në fjalë, e mos shprehja e nijetit, dobëson vendosmërinë dhe rritë luhatshmërinë për prishjen e agjërimit.

Realisht, mendoj se këtë e bëjnë më tepër ata që agjërimin e fillojnë me luhatje dhe me dy mendje, që mendoj se ju mungon serioziteti dhe vendosmëria për të qenë sa më të palëkundur. Serioziteti dhe vullneti i palëkundur e bëjnë agjërimin shumë të lehtë, ndonëse agjërimi mund të jetë i vështirë, por bindja dhe vullneti e kthejnë vështirësinë në lehtësi. Realisht, agjëruesi nuk agjëron me forcën fizike të tij e as me peshën që mund ta ketë, por ai agjëron me bindje e me vullnet, ashtu siç njeriu që s’mund ta kalojë urën e Siratit në bazë të shkathtësive e fuqisë së tij, por vetëm me veprat dhe punët e tij.

Nëse agjërimi është vullnetar, por jo obligativ si muaji i ramazanit, atëherë nijeti për të mund të bëhet edhe më vonë, duke u bazuar në hadithet kur i Dërguari i Allahut pyeste në shtëpinë e tij se a ka diçka për të ngrënë, e kur atij i thonin se nuk ka asgjë, atëherë i Dërguari i Allahut thoshte: “Atëherë unë po agjëroj!”15

Si të bëhet nijeti?

Nijeti për agjërim mjafton të bëhet me zemër, mirëpo nëse shprehet me gjuhë, nuk ka asgjë të keqe. Madje, ka dijetarë që thonë se vet zgjimi në syfyr është një lloj nijeti, pa marr parasysh a shprehet a jo. Madje autori i “Dhahirijeh” e mbron këtë mendim, sepse zgjimi gjatë kohës së përcaktuar të ramazanit është indikacioni më i qartë se ai është zgjuar për agjërim. Sidoqoftë, nijeti me zemër apo me gjuhë është i domosdoshëm, për shkak të specifikave të veçanta që ka nijeti (qëllimi) në adhurimet e kërkuara. Sem’ani kur flet për nijetin, thotë: “Veprat, te cilat nuk konsiderohen adhurime (ibadete), nuk mund të kenë shpërblim përveç nëse kryesi i tyre e bën nijet afrimin tek Allahu me to.”

A mjafton një nijet për tërë Ramazanin?

Kam shtjelluar se nijeti për agjërimin e ramazanit është i kushtëzuar dhe duhet të aplikohet gjatë agjërimit. Por, ulemaja kanë debatuar se a duhet bërë nijet çdo ditë apo mjafton një nijet për tërë muajin e ramazanit?

Opinioni zyrtar i shkollës hanefite parasheh që për secilën ditë nga muaji i Ramazanit të bëhet nijet, e jo vetëm një herë të vetme gjatë atij muaji, ndonëse edhe brenda shkollës hanefite ka mendime se mjafton një nijet i vetëm, siç është Zuferi nga hanefitë,16 por zyrtare mbetet qëndrimi i shumicës së dijetarëve që parashohin nijet për çdo ditë nga muaji i ramazanit. Praktikisht mendimi i Zuferit është i njëjtë me mendimin e Malikut, i cili mendon se mjafton të bëhet një nijet në fillim, e nuk ka nevojë për përsëritje, ndonëse përsëritja e nijetit edhe tek ta është më e rekomanduar.

Ibën Abidini kur flet pët këtë çështje, shtjellon në detaje se Ebu Hanife dhe dy nxënësit e tij më të spikatur, mendojnë se nijeti për agjërimin e ditëve të ramazanit duhet të përsëritet çdo ditë, e jo vetëm një herë.17

Kush lirohet nga agjërimi?

Allahu i Madhëruar e obligoi agjërimin e muajit të ramazanit për mbarë myslimanët, megjithatë ai liroi disa kategori prej tyre si shenjë e mirësisë dhe mëshirës së Tij. Prej kategorive që lejohen të mos agjërojnë janë:

I sëmuri- kjo kategori është e lejuar nga agjërimi, por jo secili që është i sëmurë ka të drejtë të mos agjërojë. Në jurisprudencën islame është e definuar kështu: “Çdo sëmundje që e dëmton personin nëse agjëron, apo ekziston frika në masë të madhe se ajo ndikon në rritjen e sëmundjes apo edhe në vet vdekjen e personit, i lejohet të mos agjërojë. Ndërsa për sëmundjet e lehta, të cilat nuk paraqesin ndonjë vështirësi të madhe nëse agjërohet, nuk ka ndonjë lejim për mos-agjërim.18

Ditët e lëna për të sëmurin, kompensohen më vonë. Allahu i Madhëruar thotë:

أَيَّامًا مَّعْدُودَاتٍ ۚ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ

“(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë…” (Kur’ani, el-Bekare: 184).

Udhëtari (mysafiri)- kjo është kategoria tjetër që e bën të lejuar prishjen e agjërimit. Udhëtimi i lehtë dhe që nuk ndikon në lodhjen e individit, (sidomos në kohën tonë udhëtimet me aeroplan

brenda dy orëve) nuk kanë ndonjë vështirësi të madhe, ulemaja kanë debatuar se a është më mirë të agjërohet apo të mos agjërohet?

Sipas dijetarëve të shkollës hanefite, agjërimi në udhëtim, përkundër lejesës për mos agjërim, është më i mirë dhe më i dobishëm. E, nëse udhëtimi sjell vështirësi, atëherë mos agjërimi është më primar dhe më i arsyeshëm. Edhe Shafiu në njërin prej opinioneve të tij ka të njëjtin mendim, ndërsa Ahmedi thotë se nuk është mirë të agjërohet gjatë udhëtimit.19

Gruaja në të përmuajshmet- kategoria tjetër për mos agjërim ka të bëjë me femrat që janë në ciklin e tyre të përmuajshëm. Atyre nuk u lejohet assesi të agjërojnë, ndërsa pas muajit të ramazanit ato kompensojnë po aq ditë sa kanë humbur nga ramazani.

Gruaja pas lindjes- kjo është kategoria tjetër që u lejohet të mos agjërojnë, e kjo është si mëshirë për to dhe për gjendjen e tyre.

Gruaja që është shtatëzënë- Islami ua ka lejuar grave që janë shtatzënë të mos agjërojnë, si mëshirë për gjendjen e tyre. Nëse shtatzania është e lehtë dhe nuk ka ndonjë komplikim, atëherë ato mund të agjërojnë. Nëse agjërimi nuk u sjell ndonjë vështirësi apo telashe, është më mirë për to të agjërojnë. Mirëpo, nëse agjërimi sjell komplikime apo vështirësi në shtatzaninë e tyre, atëherë e kanë të ndaluar agjërimin.

Gjidhënësia- Në parim gratë që janë gjidhënëse janë të liruara nga agjërimi, mirëpo këtu duhet të kihen parasysh dy gjëra. E para: Nëse agjërimi nuk ndikon fare në shëndetin e saj dhe nuk ka frikë për fëmijën e saj, atëherë i obligohet të agjërojë. E dyta: Nëse ajo ka frikë për veten e saj dhe për fëmiun e saj, atëherë mos-agjërimi është më i arsyeshëm dhe më primar.

Gjërat që e prishin agjërimin

Ushqimi dhe pirja e qëllimshme e prishin agjërimin, ndërsa nëse agjëruesi han apo pin nga harresa, atëherë ai nuk ka nevojë për prishjen e asaj dite. E, nëse han apo pin pa e ditur se është agjërueshëm, por gjatë ngrënies apo pirjes i kujtohet se është agjërueshëm, duhet ta ndërpresë menjëherë, e nëse ka ushqim në gojën e tij, duhet ta braktisë atë menjëherë.

I Dërguari i Allahut tha:

«مَنْ أَكَلَ أَوْ شَرِبَ نَاسِيًا وَهُوَ صَائِمٌ فَلَا يُفْطِرْ، فَإِنَّمَا هُوَ رِزْقٌ رَزَقَهُ اللَّهُ»

“Ai i cili ha apo pi nga harresa dhe është duke agjëruar, të mos e prish agjërimin e tij, ngase ajo që ka hangër apo pirë është furnizim që e ka furnizuar atë Allahu.”20

Pjesët e ushqimit që mbesin brenda dhëmbëve apo në fyt, në rast se depërtojnë brenda, agjërimi prishet, me përjashtim kur ato janë thërmija shumë të vogla. Gjithashtu edhe pikat e veshit dhe hundës e prishin agjërimin, ndërsa pikat e syrit nuk e prishin agjërimin.

Agjërimi prishet edhe për atë i cili bën marrëdhënie seksuale gjatë ditëve të ramazanit apo masturbon. Ndërsa puthja nuk e prish agjërimin, por që ulemaja kanë sugjeruar që të evitohet ajo gjatë ditëve të agjërimit, me theks të veçantë për moshën e re.

Vjellja e qëllimshme e prish agjërimin dhe ajo që është e paqëllimshme por që është vjellje e madhe. Ebu Jusufi në këtë kontekst thoshte: “Nëse ajo është në sasi të madhe (pa qëllimshëm) sa tërë goja, atëherë agjërimi prishet.”21 E, për atë ditë e agjëron një ditë më vonë, si plotësim apo zëvendësim.

Hixhameja nuk e prish agjërimin, ndonëse nuk preferohet që ajo të bëhet gjatë ramazanit.

Institucioni fetar dhe agjërimi

Institucioni fetar është përgjegjës kryesor për çështjet që ndërlidhen me myslimanët. Personat përgjegjës brenda këtij institucioni janë përgjegjësit primarë për të gjitha gjërat që janë në interesin e besimtarit. Çështjet madhore si kjo e ramazanit, bajramit, haxhit dhe të tjera, Zoti nuk ua ka lënë përgjegjësinë e tyre secilit njeri, por i ka ngarkuar të zotët e dijes dhe përgjegjësit. Masa e gjerë duhet të pasojë udhëheqësit e tyre dhe njerëzit kompetentë, e jo në çështje të tilla të jap secili opinion në vete e pastaj të bëhet katrahurë e vërtetë. Zakonisht në çdo fillim të ramazanit dhe në mbarimin e tij, po bëhen rrëmuja nga një pjesë e njerëzve, duke u krijuar dy tabore në mesin e shoqërisë sonë. Ata të cilët fillojnë agjërimin sipas njoftimit të institucionit që i përfaqëson dhe që është kompetent për ta dhe pjesës tjetër që e injoron plotësisht dhe e shpërfill autoritetin fetar.

Çudia më e madhe në këtë çështje është se ata shpërfillin një institucion të tërë e pasojnë një individ apo një grup sosh. E për të qenë kjo situatë edhe më e çuditshme dhe më qesharake, ata injorojnë institucionin fetar që është kompetent në vendin e tyre, e pasojnë një dijetar apo një grup sosh nga një vend tjetër. Ata nuk kanë ndonjë përgatitje fetare e as që janë njohës të këtyre çështjeve. Në emër të sunetit është motoja e tyre, që kundërshtojnë pjesën dërmuese. Në emër të sunetit ata nuk e kuptojnë fare sunetin. Të tillët injorojnë pjesën më të madhe të literaturës islame, madje edhe djegin atë në emër të luftimit të “bidatit” dhe “të keqes”. Le ta ilustrojmë me një shembull praktik: Në ramazanet e viteve të fundit, Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, si zakonisht kishte paraparë që muaji i ramazanit fillon me filan datën. Një rrjet nga persona të caktuar, për secilin vit radhazi, shpërndanin mesazhe të mos fillohet me agjërim, dhe atë e bënin në emër të sunetit, ngase në Arabinë Saudite “x dijetari” ka konfirmuar se ende nuk është parë hëna atje. Mund të paramendosh një situatë të tillë, ku shpërfillet institucioni në vend e merret për bazë një individ apo një grup individësh dhe pasohen ata, ndonëse distanca mes neve dhe atyre është mijëra kilometra dhe ne jetojmë në një kontinent tjetër e ata në kontinentin tjetër. Shto kësaj se mundësia e pamjes së hënës është jo një çështje e lehtë, pasi që hëna e re fillon të shfaqet përafërsisht 4 orë para namazit të akshamit, sipas kohës së Mekës. Problemi tjetër është se hëna e re gjatë ditës-natës së parë mund të shihet vetëm dy minuta, jo më tepër se aq, prandaj kjo çështje është komplekse në vete.

Në kohën e Omerit, një njeri erdhi tek ai dhe tha: “E pash hënën!” Askush përveç tij nuk kishte thënë se e kam parë hënën. Omeri urdhëroi që t’i lahen sytë me ujë. E më pas i tha: “Ku është hëna?” Njeriu shikoi dhe kur nuk pa asgjë, tha: “E humba atë. Nuk po e shoh!” Omeri ia ktheu: “Një qime të kishte rënë mes vetullave e syrit e ti mendove se ishte hënë!”22

Përfundim

Në këtë punim, u munduam sado pak të hedhim dritë mbi vlerën dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka agjërimi, si adhurim diskret mes robit dhe Zotit, duke vazhduar në shpjegimin dhe ndërlidhjen e ajeteve kuranore që flasin për të, pastaj u përqëndruam tek dispozitat që kanë të bëjnë me agjërimin, e që mendoj se janë të rëndësishme dhe në interes të lexuesit, me qëllim që të njihen më për së afërmi për to.

Punimi përqendrohet edhe tek kategoritë që lirohen nga agjërimi, për shkaqe të ndryshme si dhe gjërat që e prishin agjërimin, ndonëse në këtë pjesë jemi munduar shkurtimisht dhe sipërfaqësisht, pa u thelluar shumë.

Punimi përfundon me një dukuri shoqërore tejet negative që disa të rinj, të pashkolluar e pa kualifikim fetar, kanë marrë mbi supet e tyre drejtimin e masës, me direktiva nga vendet tjera dhe bëjnë propaganda që kundërshtojnë thirrjet e institucionit fetar në vendin tonë.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …